Pas dy viteve anashkalim, u rikonstruua Skejtparku në Tetovë, ndriçimi publik nuk është vendosur ende (FOTO)

Pas dy viteve jo-mirëmbajtje dhe anashkalim nga autoritetet lokale, më në fund u pastrua dhe u rikonstruua skejtparku afër Stacionit të Autobusëve në Tetovë. Premtimi i kryetares së Komunës së Tetovës për vendosje të ndriçimit publik në këtë hapësire nuk është përmbushur ende, nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë që deri në fund të muajit do të instalohet edhe ndriçimi, shkruan Portalb.mk.

Pas disa ditëve punë, më në fund u bë rikonstruimi i hapësirave të skejtparkut, që paraprakisht  ishte e lënë pas dore nga autoritetet komunale dhe e mbushur me mbeturina, kullosa të gjata, degë pemësh dhe të tjera që e pamundësonin hyrjen dhe shfrytëzimin e këtyre hapsirave.

Sot këto të fundit nuk ekzistojnë më si dhe gjithashtu është bërë lyerja e pajisjeve në këto hapësira, të rinjtë mund të shfrytëzojnë përsëri këto hapësira për të organizuar ngjarje të ndryshme si më parë.

LEXO: Pas dy viteve anashkalim, filloi rikonstruimi i Skejtparkut në Tetovë

Në qershor, kryetarja Arifi premtoi se gjatë kësaj vere do të punohet që ky skejtpark të kthehet në formë më të mirë, madje ajo tha se në këtë zone do të vendoset edhe ndriçimi publik.

Sidoqoftë, edhe pse skejtparku është rikonstruuar, ende nuk është vendosur ndriçim publik në këto hapësira.

Për këtë, kontaktuam zëdhënësit e Komunës së Tetovës të cilët thanë se deri në fund të muajit edhe ndriçimi do të vendoset.

“Para një jave u bë pastrim i përgjithshëm i parkut, duke qenë se kishte shumë mbeturina. Gjatë periudhës së ardhshme, pajisjet do të rindërtohen dhe ndriçimi do të instalohet. E gjithë kjo duhet të përfundojë deri në fund të muajit”, thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.

Kështu duket skejtparku sot që është rikonstruuar:

This slideshow requires JavaScript.

Rikujtojmë se ky premmtim i Arifit erdhi pasi në mungesë të përgjegjësisë dhe kujdesit nga autoritetet ndaj skejtparkutdisa aktivistë të rinj bënë pastrimin e kësaj hapësire nga mbeturinat, kositjen e barit, lyerjen e ulëseve të cilat ishin vjetërsuar si dhe rehabilitimin e përgjithshëm të tij nga vandalizmi i qytetarëve dhe nga mosmirëmbajtja institucionale. Portalb.mk ishte në teren dhe e ndoqi punën e tyre atë kohë.

“Meqenëse skejtparku është vazhdim natyror i parkut, edhe për atë kemi ndarë buxhet që ta kthejmë në formë. Gjatë verës aty do të punohet. Te skejtparku do të vendoset ndriçim publik, pas kësaj do të shohim se çfarë mund të shtohet së bashku me ndriçimin” tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Kështu dukej skejtparku gjatë kohës kur punohej në të, ku Portalb e ndoqi punën e tyre:

This slideshow requires JavaScript.

Rikujtojmë që Portalb.mk muajin e kaluar ishte te skejtparku në Tetovë, dhe situata ishte shumë ndryshe nga ajo që dukej në fillim dhe pas pastrimit nga aktivistët. Mbeturina, kullosa të gjata dhe degë pemësh ishin tre elementet e para që të bienin në sy në zonën e skejtparkut, grumbullimi i të cilave në disa pjesë edhe e pamundësojnë hyrjen deri tek skejtparku. Gjithashtu ndriçim publik nuk ishte vendosur.

Nga Komuna e Tetovës në muajin korrik nuk u përgjigjën në pyetjet e Portalb.mk në lidhje me premtimet e dhëna të Arifit për këtë zonë.

Kështu dukej Skejtparku gjatë gjithë muajit korrik:

This slideshow requires JavaScript.

Përpara gati se dy vitesh, “Social Cultural Space Tetova” ka kërkuar edhe ndriçim në këtë pjesë të qytetit, siguri dhe mbajtje e rendit publik, mirëmbajtje të rregullt të hapësirave të gjelbra e kështu me radhë. Sidoqoftë, secila nga këto kërkesa të tyre ka hasur në vesh të shurdhër.

Në momentin kur u ndërtua ky skejtpark, kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ishte në vendngjarje nga ku u fotografua dhe projektin e promovoi në rrjetet e saja sociale.

Përveç kësaj, ajo në takim i kishte ftuar edhe iniciatorët e këtij projekti, të cilëve në mes të tjerash u kishte premtuar se përmes Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) do të mirëmbahet hapësira rinore, gjegjësisht skejtparku, por nuk mund të themi se e njejta është realizuar.

Ndryshe, kjo hapësirë së bashku me atë në ish Radio Tetova u realizua nga 45 vullnetarë të organizatës joqeveritare Toestand nga Belgjika, diku 20 nga organizata joqeveritare Termokiss nga Kosova si dhe vullnetarë të organizatës joqeveritare Democracy Lab nga Tetova.

 

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button