RMV, Policia dhe Prokuroria po i ndjek informatat për protestën e së dielës: Nuk mund të gjobiten për mosmbajtje të maskës

Prokuroria dhe Policia po i ndjekin informatat në lidhje me protestën e së dielës kundër masave anti-covid dhe kundër vaksinimit, të cilët në kohën kur numrat e infektimeve ditore janë alarmante rrezikuan shëndetin publik. Autoritetet për Portalb.mk, thonë se nuk mund t’i gjobisin protestuesit për mosmbajtje të maskës pasi që është në fuqi vendimi qeveritar që lejon qytetarët të mos mbajnë maska në ambient të hapur, shkruan Portalb.mk.

“Prokuroria i ndjek të gjitha informatat lidhur me protestën dhe do të veprojë nëse konstatohen elemente të veprës penale”, thonë për Portalb.mk nga Prokuroria.

Nga MPB thonë se nuk mund të gjobiten protestuesit për shkak se nuk kanë mbajtur maskë, por se nëse konstatohen shkelje të tjera ligjore do të dorëzohen parashtresa përkatëse.

“Lidhur me pyetjen tuaj drejtuar Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun dhe Çështjeve Strategjike (nr. ynë 16.1-1949 1), dhe në lidhje me protestën kundër masave të miratuara nga Qeveria në seancën e 97-të me qëllim parandalimin e pandemisë së “Covid 19” mbajtur më 15.08.2021, ju njoftojmë se sipas vendimeve të vlefshme të Qeverisë në ambient ​​të hapur nuk është e detyrueshme të mbahet maska ​​për fytyrën, dhe në lidhje me grupimin, nga punonjësit e policisë u janë dhënë rekomandime organizatorëve të protestës për respektimi i masave për mbrojtje kundër COVID-19. Nga ana e njësisë organizative në kuadër të SPB Shkup në koordinim me Prokurorinë Publike Themelore Shkup po ndërmerren masa me qëllim konstatimin e shkeljeve eventuale të masave të obligueshme, nëse të njëjtat konstatohen në pajtueshmëri me ligj, do të dorëzohen parashtresa përkatëse”, thonë për Portalb.mk nga MPB.

Ndryshe, derisa e tërë bota po lufton me COVID-19 dhe në ndërkohë ka rritje dramatike të rasteve dhe vdekjeve, në Shkup të dielën u mbajt protestë para Kuvendit dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut kundër vaksinimit dhe masave të reja restriktive kundër COVID-19 të cilat sot hyjnë në fuqi për ta parandaluar shpërndarjen e virusit.

Njerëzit që mbanin fjalime para turmës që ndodhej para Kuvendit, dhanë komente të tilla si “s’ka virus”. Reagimi i turmës ndaj këtyre deklaratave ishte përshëndetës dhe pritej me ulërima dhe duartrokitje.

Në ndërkohë, turma dërgonte dhe porosi si “Vrasës”, “liri”, “Shko Zaev”, që nuk kishin të bëjnë me protestën, të tilla si “Asnjëherë e Veriut, vetëm Maqedonia”, “Maqedonia”, por edhe me përmbajtje skandaloze si “mjekët janë vrasës”, si dhe ofenduese si “Filipçe pederast”. Para Qeverisë, turma i dogji maskat mbrojtëse.

Ndaj thirrjeve të këtilla pati reagime të shumta si nga opinioni publik, por edhe nga autoritetet qeveritare, mjekët dhe shoqëria civile.

Protesta erdhi në kohën që në mënyrë drastike janë rritur numrat ditor të të infektuarve me COVID-19 dhe kur autoritetet vazhdimisht bëjnë thirrje për respektim të masave anti-Covid dhe vaksinim të popullatës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button