Njerëzimi i ka shpenzuar burimet për këtë vit më 29 korrik, tani ne jetojmë me kredi nga Toka

Njerëzimi i ka shpenzuar burimet për këtë vit më 29 korrik! Njerëzit përdorin aq shumë burime mjedisore sikur të jetonim në 1,7 planetë. EarthOvershootDay po lëviz gjithnjë e më shpejt çdo vit, që do të thotë se njerëzit po shpenzojnë shumë më tepër sesa planeti mund të rindërtojë. Përdorimi i pamëshirshëm i ujit, ushqimit, energjisë dhe mineraleve na çon në një të ardhme shumë të pasigurt në të cilën brezat e ardhshëm do të vuajnë për gjërat që ne i marrim si të mirëqena sot, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Kjo datë vendimtare llogaritet çdo vit nga Global Footprint Network, një organizatë hulumtuese ndërkombëtare që e monitoron përdorimin e burimeve dhe materialeve natyrore nga njerëzimi, si dhe dëmet mjedisore që i shkaktojnë. Që nga viti 1974, kur burimet u përdorën në fund të dhjetorit, dita ka ecur përpara dhe përpara çdo vit. Kjo do të thotë që këtë vit nga 29 korriku deri më 31 dhjetor jetojmë me kredi të llojit të vet.

Lesnicë, në Malin Sharr. Foto: Projekti STEP

Në botë, nën hashtagun #MoveTheDate, prej kohësh bën thirrje për kursime të burimeve dhe ka ndarë praktika të mira për zhvillimin e qëndrueshëm. Ambientalistët në të gjithë botën theksojnë se për të mbijetuar njerëzimi, duhet të ndalojmë huazimin e burimeve të ardhshme të Tokës dhe ta kthejmë konsumin në nivel të qëndrueshëm.

Këtë vit kemi arritur një rekord të keq

Kjo është Dita më e hershme EarthOvershootDay që kemi pasur ndonjëherë! Pandemia vitin e kaluar shkaktoi pakësim të përdorimit të burimeve globale, por këtë vit, ndërsa ekonomitë punojnë me shpejtësi për të kompensuar kohën e humbur gjatë bllokimit, jemi kthyer dhe e tejkaluam nivelin e vitit 2019. Krahasuar me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 6.6 përqind të gjurmës së karbonit dhe një rënie prej 0.5 përqind të bio-kapacitetit global të pyjeve. Përkeqësimi i pyjeve tropikale të Amazonës dhe kthimi i papritur i emetimeve dhe konsumit para pandemisë janë disa nga arsyet kryesore për këtë.

Maqedonia është një nga vendet me deficit në bio-kapacitet duke e kapërcyer për 111 përqind gjurmën mjedisore sa i përket bio-kapacitetit. Kjo na bën një nga vendet që kontribuon në përdorimin e tepruar të burimeve të planetit. Qendra për hulumtim dhe informim mjedisor “Eko Vetëdija” (Eko Svest) thotë se në kushte kur përballemi me një krizë klimatike, përparësia duhet të jetë ndryshimi i sistemeve ekonomike në mënyrë që të ripërdorim mallrat e prodhuara tashmë për të zvogëluar nevojën për burime të reja. Në të njëjtën kohë, për të ndryshuar sistemet ekonomike, njerëzit urgjentisht duhet të ndryshojnë shprehitë e tyre.

Po i përdorim burimet në mënyrë të paqëndrueshme dhe shpejtë dhe siç thotë vetë analiza, kjo do të thotë që nëse të gjithë do të jetonim dhe shpenzonim burime si njerëzit e Shteteve të Bashkuara, do të kishim nevojë për pesë planetë të Tokës, ndërsa e kemi vetëm një. Kur do t’i shterojmë burimet, prej të cilave varemi thjesht nuk do të ketë asnjë mënyrë që të mbijetojmë. Por, kemi zgjedhje. Mund të zgjedhim energji elektrike nga dielli, të kursejmë energji elektrike dhe të blejmë pajisje për kursimin e energjisë, të riparojmë pajisjet kur është e mundur para se të blejmë të reja, të mos blejmë produkte plastike dhe me paketim prej plastike, të ripërdorim produktet dhe t’i riciklojmë ato, të kursejmë ujë, të lëvizim në këmbë dhe me biçikletë, thotë Ana Çolloviq-Leshoska nga “Eko Vetëdija”.

Koncesionet për miniera dhe minierat, si dhe përzgjedhja e mbetjeve janë probleme kritike për vendin

Shembull për keq-menaxhim të burimeve janë koncesionet e diskutueshme të lëshuara për minierat në vendin tonë. Shumë prej tyre janë planifikuar në rajone prej ku e fitojmë pothuajse të gjithë ushqimin. Në atë mënyrë, do të shteronim burimet si ari dhe bakri duke shkatërruar tokën pjellore dhe duke penguar prodhimin e ushqimit. Përveç kësaj, si shtet ne duhet urgjentisht të fillojmë përdorimin e një sistemi për përzgjedhje të mbeturinave dhe deponitë moderne rajonale me objekte riciklimi dhe zbatim të qëndrueshëm dhe jo selektiv të ligjeve ekzistuese në vend.

Foto: Grupi në Facebook “Shpëtimi për Vallandovën”

“Kurrë nuk është vonë, ndërsa ka ende shumë për të bërë. Por, ne duhet të kuptojmë se aktualisht po luftojmë për të siguruar një të ardhme për fëmijët dhe nipërit tanë në një planet që po ngrohet shpejt. Ne të gjithë kemi përgjegjësi sa herë që marrim vendime për pajisje të re elektrike ose automjet ose telefon të ri celular”, tha Çolloviq-Leshoska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button