Premier League gati për t’i mirëpritur tifozët në edicionin e ri

Premier League kthehet me stadiume të mbushura, për herë të parë që nga goditja e pandemisë së koronavirusit, dhe me pak shenja të telasheve financiare të 18 muajve të fundit, që ngadalësuan garën e klubeve për talente në tregun e transferimeve, raporton Koha.net.

Brentfordi i kthyer këtë edicion në elitë ka shitur të gjitha biletat për ndeshjen e parë me Arsenalin, në stadiumin me kapacitet prej 17.500 ulëseve, i cili u hap vitin e shkuar.

“Ky është fillimi i një bote të re ku nuk kemi qenë kurrë më parë”, tha trajneri i Brentfordit, Thomas Frank.

Pavarësisht lehtësimit të kufizimeve ndaj koronavirusit, Premier League u ka thënë tifozëve që duhet të kenë dëshmi për t’u futur në stadiume. Ata duhet të vërtetojnë se janë plotësisht të vaksinuar ose të kenë me vete një test negativ në 48 orët e fundit para se të futen në stadiume.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka zbatuar ende një skemë të pasaportave të vaksinimit, por mund ta bëjë këtë në muajt e ardhshëm për ngjarjet me turma mbi 20 mijë persona.

“Është një moment i rëndësishëm”, tha shefi ekzekutiv i Premier Leagues, Richard Masters, përpara kthimit të pritshëm të 300,000 tifozëve në dhjetë ndeshjet e nivelit të lartë këtë fundjavë. “Ndihet sikur është një kthim në një lloj normaliteti. Ne gjithmonë do të jemi të kujdesshëm dhe do ta vendosim sigurinë në radhë të parë”.

Thyerja e rekordeve të transferimeve

Rritja ekonomike nga kthimi i tifozëve dhe marrëveshja trevjeçare për të drejtat televizive në vlerë prej 6.5 miliardë eurosh nga viti 2022 tashmë është evidentuar në shumat e shpenzuara nga klubet e Premier League për lojtarët e rinj. Disa prej skuadrave më të mëdha në të gjithë kontinentin, si Barcelona, ​​Real Madridi, Juventusi dhe Interi, është dashur t’i shesin dhe t’i heqin lojtarët e mëdhenj nga faturat e tyre të pagave, kurse gjigantët anglezë kanë shpenzuar. Kampioni në fuqi, Manchester City, ka thyer rekordin e transferimit në Premier League me transferimin prej 120 milionë eurosh të Jack Grealishit nga Aston Villa dhe mund ta bëjë këtë përsëri para fundit të muajit nëse arrin ta bindë Tottenhamin në lirimin e sulmuesit Harry Kane, për të cilin ka ofruar mbi 150 milionë euro.

Kapiteni i Anglisë, Kane, e ka bërë të qartë dëshirën e tij për t’u larguar nga ekipi dhe është në dyshim nëse do të luajë në ndeshjen e parë të Tottenhamit kundër Cityt, të dielën prej orës 17:30.

“Kemi edhe një stërvitje para ndeshjes me Cityn dhe do të shohim”, tha shkurt trajneri i Tottenhamit, Nuno Espirito Santo, kur u pyet për aktivizimin e Kane.

Manchester Unitedi gjithashtu ka shpenzuar mbi 100 milionë euro për Jadon Sanchon dhe Raphael Varanen, kurse synon t’i japë fund pritjes tetëvjeçare për ta fituar titullin. Në xhiron e parë, Unitedi e pret në shtëpi Leedsin, të shtunën prej orës 13:30.

“Mendoj se me Sanchon edhe Varanen kemi forcuar ekipin për ta arritur synimin që kemi. Sancho do të jetë i gatshëm për debutim, por jo edhe Varane”, ka thënë trajneri i Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer.

Chelsea e tregoi forcën kur e mposhti tri herë Cityn në fund të sezonit të kaluar, përfshirë edhe në finalen e Ligës së Kampionëve. Londinezët kanë pësuar një transformim të jashtëzakonshëm nën trajnerin Thomas Tuchel, kurse të mërkurën mbrëma e fituan edhe Superkupën e Evropës. Një ditë pas këtij triumfi, Chelsea e zyrtarizoi Romelu Lukakun, të cilin e transferoi nga Interi për 115 milionë euro. Mbetet të shihet nëse Lukaku do të debutojë të shtunën kundër Crystal Palace.

“Jam i lumtur që e kemi kthyer Lukakun, i cili na ndihmon edhe më shumë të konkurrojmë për çdo trofe në sezonin e ri. Edicionin e shkuar përfunduam në pozitën e katërt dhe sigurisht se nuk llogaritemi favoritë në sezonin e ri. Mirëpo, ne jemi të gatshëm për ta dëshmuar forcën tonë”, tha Tuchel.

Klopp mbështetet te tifozët

Liverpooli e ka bërë vetëm një përforcim për sezonin e ri deri më tani, duke e shtuar qendërmbrojtësin Ibrahima Konate. Megjithatë, ekipi i Juergen Kloppit do të jetë i motivuar nga kthimi i Virgil van Dijkut, Jordan Hendersonit e Joe Gomezit, që ishin të lënduar për pjesën më të madhe të sezonit të shkuar. Madje, Klopp është i bindur se ekipi i tij do të përfitojë më shumë se skuadrat e tjera me kthimin e tifozëve në tribuna.

“Përfundimisht me tifozët tanë do të jemi më të fortë se ekipet e tjera. Do të jemi të motivuar edhe me kthimin e lojtarëve dhe besoj se ekipi është gati për sezonin e ri”, tha Klopp në prag të ndeshjes në udhëtim ndaj Norwich Cityt.

Klopp insistoi se Liverpooli nuk do të luftojë vetëm për titullin e kampionit të Anglisë, por çdo trofe të mundshëm në sezonin e ri. Në fakt, të premten, një ditë para ndeshjes së parë, Liverpooli bëri të ditur se qendërmbrojtësi Van Dijk ka firmosur kontratën e re që do ta mbajë në klub deri në vitin 2025.

“Sezonin e shkuar ishim prapa, por në sezonin e ri nuk e kemi ndërmend t’i fshehim ambiciet tona, pasi do të luftojmë për gjithçka”, insistoi Klopp. “Gara për titull do të jetë e fortë, me Manchester Cityn si favorit, por edhe Manchester Unitedin e Chelsean. Gjithashtu duhet pasur kujdes edhe nga Leicesteri, Tottenhami e Arsenali. Ka shumë ekipe në lojë dhe do të jetë një edicion tejet interesant”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button