Replika ndërmjet BDI-së dhe opozitës shqiptare në lidhje me zbatimin dhe festimin e Marrëveshjes së Ohrit

Bashkimi Demokratik për Integrim e ka vlerësuar opozitën shqiptare si një subjekt që Lufton kundër Marrëveshjes së Ohrit, derisa Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa vlerësoi që vazhdimisht është në mbrojtje të kësaj Marrëveshje e cila po devalvohet nga BDI-ja, transmeton Portalb.mk.

“VMRO dhe ASh-AA në një vijë, kundër Marrëveshjes së Ohrit. VMRO-DPMNE dhe kreu i saj Hristijan Mickoski, duhet të jenë të vetëdijshëm dhe mos harrojnë që Maqedonia e Veriut është shtet anëtarë i NATO-s dhe nuk duhet devijuar nga politikat eurointegruese. Ndërsa, sa i përket partive opozitare shqiptare, ato si zakonisht nuk rreshtohen aty ku janë forcat progresive dhe aleatët tanë SHBA dhe BE, por rreshtohen pas VMRO-DPMNE dhe nuk meritojnë vëmendje të veçantë apo të ndarë nga VMRO-DPMNE”, deklarojnë nga BDI-ja.

Ata theksojnë se VMRO-DPMNE nuk duhet të harrojë se janë pjesë e përpilimit dhe nënshkrimit të kësaj marrëveshje dhe nënshkrimi i tyre figuron aty.

“Kjo marrëveshje i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe ikja nga përgjegjësia dhe mospjesëmarrja në manifestimin jubilar është thjeshtë dyfytyrësi politike dhe me këtë VMRO-DPMNE dëshmon se janë parti që ende punon në politika me linjë një etnike”, vlerësojnë nga BDI-ja.

Opozita e përbërë nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa vlerësojnë se BDI-ja ka dështuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, jo vetëm që nuk janë kundër Marrëveshjes së Ohrit, por punojnë për ta mbrojtur atë nga çdo devalvim që ia bëjnë njerëzit si ju. E kuptojmë mirë shqetësimin e BDI-së, gjendjen e mjerueshme në të cilën kanë zgjedhur vetë të jenë, pas dështimit për dy dekada si në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ashtu dhe në të gjitha sferat e tjera”, deklarojnë nga opozita.

Ata theksojnë se nuk do të jenë spektatorë të dështimeve të BDI-së.

“Ju zotërinj të nderuar, vetë keni parapëlqyer të jeni në panel dhe në shoqërim vetëm të Branko Cërvenkovskit, Hari Kostovit, Hristijan Mickoskit, Ljupço Georgievskit dhe me radhë, siç tregon dhe fotografia më poshtë. Për këtë nuk ju kemi faj ne, por mos prisni kurrë që ne të jemi vetëm audiencë e juaja dhe spektatorë të dështimeve tuaja, ashtu siç na ftuat duke ju dhënë të drejtë fjale vetëm personave të lartpërmendur”, deklarojnë opozita në reagimin e tyre ndaj BDI-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button