RMV, miliona euro dëme nga zjarret, duhen pesë dekada për përtëritjen e pyjeve

Në 2 vitet e fundit, dëmi nga zjarret është rreth 14 milionë euro. Dëmet nga zjarret e këtij viti ende nuk janë kalkuluar. Për ripërtëritjen e zonave të djegura, sipas Pyjeve të Maqedonisë, nevojiten 50 vjet, shkruan REL në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Dëmet nga zjarret, të cilët janë ende aktive në të gjithë vendin do të dihen pasi të lokalizohen, por nëse marren parasysh shifrat e viteve të kaluara, bëhet fjalë për shuma milionëshe. Mijëra hektarë pyje janë shkatërruar në periudhën e kaluar, kurse autoritetet akoma po luftojnë me zjarret. Nga 3 gushti hyri në fuqi ndalesa për lëvizje në pyje.

Drejtoresha e Ndërmarrjes Publike Pyjet Kombëtare Juliana Nikollova thotë se për momentin dëmet nuk mund të përcaktohen pasi duhet të përfundojë procesi që të llogariten.

“Pas përfundimit të vatrave, ne kemi ekipe që dalin në teren, të cilët përcaktojnë dëmin që është bërë, si material ashtu edhe financiar dhe më gjerë. Këtu varet nga lloji i drunjve dhe në çfarë sipërfaqe janë, kështu që ne do t’i bëjmë të gjitha vlerësimet pas shuarjes së zjarreve”, tha Nikollova.

Për dy vite dëme prej 14 milion eurosh

Në vitin 2020, sipas raportit vjetor të Pyjeve të Maqedonisë, kishte 102 zjarre në vend. Gjithsej ishte djegur një sipërfaqe prej 1.233 hektarë. Masa e druve të djegur ishte 8.138 m3. Ndërsa u shkaktuan dëme prej rreth 1 milion e 300 mijë euro.

“Një numër domethënës që është dëm jo vetëm për kompanitë dhe shtetin, por edhe për atë që mund të matet me mjete materiale. Dëmi që është shumë më i gjerë përsa i përket dëmtimit të ekosistemit është i madh dhe i pariparueshëm”, tha Nikollova.

Në vitin 2019, sipas raportit vjetor të Pyjeve të Maqedonisë në vend, kishte 402 zjarre ose katër herë më shumë se vitin e kaluar. Humbjet janë shumë më të mëdha, përkatësisht janë djegur 15.675 hektarë. Masa e druve të djegur sillet në 95.938 m3. Dëmi i shkaktuar nga zjarret ishte rreth 13 milionë euro.

Sa kushton pyllëzimi varet nga sipërfaqja, lloji i dheut dhe çfarë lloj druri ku rritet, shton Nikollova. Sipas saj, duhen disa dekada për të riparuar zonat e djegura.

“Në konsultim me kolegët që janë ekspertë në këtë fushë, duhen për rreth 50 vjet të vijë në gjendjen fillestare, që është me të vërtetë shumë”, theksoi ajo.

Qeveria shpalli gjendje të jashtëzakonshme 30-ditore më 5 gusht për shkak të zjarreve.

“Vendimi për gjendjen e krizës në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për shkak të rritjes së zjarreve dhe parandalimit të përhapjes së tyre për 30 ditë u mor duke pasur parasysh nevojën për përdorim racional të burimeve kombëtare dhe veprim të koordinuar të të gjitha institucioneve të interesuara, për shkak të rritjes së “zjarreve dhe parandalimit të përhapjes së tyre”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.

Në vitin 2020, kishte gjithsej 569 hektarë pyllëzim, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave. Numri është më i lartë në vitin 2019 dhe 2018 kur u mbollën pothuajse një mijë hektar. Për tre vjet, u krye pyllëzimi me 2493 hektarë. Sipërfaqja e përgjithshme e pyjeve vitin e kaluar, sipas statistikave, ishte 910.552 hektarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button