Kryeministri Edi Rama u përgjigjet kritikëve për “Ballkanin e Hapur”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka mbështetur sërish çështjen e “Ballkanit të Hapur” duke iu përgjigjur publikisht akuzave të bëra në adresë të tij për qëndrimin e mbajtur për këtë plan shumë të diskutuar, raporton EN.

Ai thotë se ky projekt, jo vetëm që garanton prosperitet për kombin shqiptar drejt integrimit në Bashkimin Evropian, por rrit më tej shanset për t’i hapur rrugë njohjes së Kosovës nga Serbia.

Shefi i qeverisë përmes një shkrimi të gjatë në “Facebook” thekson se “Open Balkan” krijon mundësi reale për heqjen e kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Teksa u përgjigjet zërave kritikë, që e kanë etiketuar si “tradhtar” të Kosovës, Rama thotë se ka qenë ai që ka ngritur zëri në Beograd dhe ka kërkuar nga Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Unë jam po ai që në mes të Beogradit fola me zë të lartë për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht”, shkruan Rama.

Rama shprehet se kush e sulmon për mbështetjen e projektit të “Ballkanit të Hapur” me mendimin se Kosova do të bëhet më e “fortë në luftën diplomatike për njohjen nga Serbia” është qasje e gabuar dhe s’i shërben askujt.

Plani për “Ballkanin e Hapur” deri tani gëzon mbështetje nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, kurse Kosova, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi kanë deklaruar se nuk do të pranojnë të bëhen pjesë e kësaj nisme rajonale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button