Kosovë, një i vdekur dhe 352 raste të reja me COVID-19

Një viktimë nga koronavirusi është regjistruar gjatë 24 orëve të fundit, ka njoftuar të shtunën (7 gusht) Ministria e Shëndetësisë në Kosovë. Viktima është nga komuna e Prizrenit. Autoritetet shëndetësore kanë regjistruar edhe 352 persona të infektuar me koronavirusin e ri. Shifra është publikuar pas testimit të 5.204 mostrave, transmeton REL. 

Më së shumti të infektuar janë shënuar në Prishtinë, gjithsej 68.

Sipas njoftimi, në 24 orëshin paraprak janë shëruar edhe 13 pacientë, ndërsa raste aktive janë 1.659.

Sipas raportit ditor, më së shumti raste janë shënuar në grupmoshën 20-29 vjeç, përkatësisht 103 raste.

Që prej 13 marsit të vitit 2020 deri më 7 gusht 2021, Kosova ka regjistruar gjithsej 109,662 raste me COVID-19, 2,271 viktima ndërsa 105,732 pacientë janë shëruar.

Më herët, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se, 83 pacientë të diagnostikuar me COVID-19 po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Klinikat COVID dhe spitalet e përgjithshme rajonale.

“114 pacientë të shtrirë në klinikat Covid dhe spitalet e përgjithshme, prej tyre 83 të konfirmuar COVID-19, 75 me trajtim në oksigjeno-terapi”, thuhej në njoftim.

Gjatë 24 orëve të fundit me vaksina kundër COVID-19 janë vaksinuar 9.590 persona.

Që prej fundit të marsit të vitit 2021, kur nisi procesi i vaksinimit, në Kosovë janë administruar 487.685 doza të vaksinës. Me të dyja dozat janë vaksinuar 166.148 persona.

Në Kosovë, qytetarët mund të zgjedhin nëse duan të vaksinohen me vaksinën AstraZeneca apo Pfizer.

Qeveria e Kosovës mëton që deri në fund të këtij viti të imunizojë kundër koronavirusit 60 për qind të popullatës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button