Zaev vizitoi rajonin e përfshirë nga zjarri mes Berovës dhe Pehçevës

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i shoqëruar nga një delegacion qeveritar, vizitoi sot hapësirën rreth fshatit Budinarcë në Komunën e Berovës, i cili është i përfshirë nga zjarri dhe së bashku me drejtorin e QMK, Stojançe Angellov dhe kryetarët e Komunave të Berovës dhe Pehçevës, Zvonko Pekevski dhe Dragan Trençovski inspektuan terrenin e përfshirë nga zjarri, transmeton Portalb.mk.

“Jemi këtu mbi fshatin Budinarcë, në malin ku ka shpërthyer zjarr në disa lokacione dhe dua t’ju bëj thirrje gjithë qytetarëve për kujdes maksimal dhe të respektohet ndalesa për shëtitje nëpër pyje, e cila është në fuqi dhe për shkeljen e saj pason dënim”, tha Zaev.

Kryeministri tha se, në gjithë territorin e shtetit ka zjarre dhe një pjesë e tyre janë me të vërtetë kërcënuese, siç është ky mes Berovës dhe Pehçevës, të tjerët po lokalizohen dhe janë nën kontroll. Ai tha se shpreson se do të reduktohet era, si një ndër arsyet më të mëdha për përhapjen.

“Në këto ditë të solidaritetit rajonal, edhe njëherë shprehim falënderim të madh për ndihmën që është veç më në terren, ndërsa ka arritur nga Serbia, Sllovenia, Bullgaria dhe nga Austria, si dhe për dy avionët që arrijnë nga Rumania, si pjesë e mekanizmit të NATO-s. Situatën e ndjekim vazhdimisht dhe me kujdes, në angazhim dhe koordinim të vazhdueshëm janë të gjitha kapacitetet e shtetit dhe së bashku me qytetarët dhe me ndihmën miqësore do të ballafaqohemi me këtë rrezik”, deklaroi Zaev.

Kryetarët e komunave të Berovës dhe Pehçevës thanë se pyjet në këtë rajon po digjen në radius më shumë se 50km, por theksuan se me solidaritet dhe sakrificën e treguar do të arrijnë në lokalizimin e zjarrit dhe reduktimin e dëmeve nga përhapja e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button