RMV, qindra punësime të reja parazgjedhore në administratën shtetërore

Vetëm një ditë para se Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, t’i shpallë zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, në faqen e internetit të Agjencisë për Administratë u shfaq shpallje për punësim të 166 personave në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve, të cilën e udhëheq zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi nga BDI. Kërkohen dy profile të stafit, të cilët do të kenë pagë prej rreth 22 mijë denarëve, shkruan DW, transmeton Portalb.mk. Bëhet fjalë për bashkëpunëtorë të rinj për avancim të përdorimit të gjuhëve të bashkësive etnike, si dhe bashkëpunëtorë të rinj për përkthim, lekturë dhe redaktim, në Departamentin e përkthimit. 

Shumica prej tyre do të jenë maqedonas, por kërkohen edhe shqiptarë, serbë, vllahë dhe disa nga kombësitë tjera.

“Duke marrë parasysh që shumica e institucioneve, vitin e kaluar, kishin nevojë për përkthyes dhe lektorë, ne publikuam njoftim publik për atë profil të kuadrove. Ata, gjatë tre deri në gjashtë muajt e parë, do të trajnohen në Ministrinë për Sistem Politik, e pas asaj do të shpërndahen në institucionet të cilat kanë nevojë për kuadro të tilla”, tha për DW Rami Qerimi, Sekretar Shtetëror në Ministrinë për Sistem Politik.

Sipas tij, nevojë për staf të tillë ka pothuajse në të gjitha institucionet. Me zbatimin e dygjuhësisë në vend, po rritet nevoja për staf për përkthim dhe lektorë, shton Qerimi.

Punësimi i 166 administratorëve po bëhet pak para zgjedhjeve të tetorit në vend, në kushte kur në “kopshtet” shtetërore kanë tepricë të punonjësve dhe pas vendimit për të ri-sistemuar 1.349 punonjës, kurse disa prej tyre nuk janë ulur në vendet e reja të punës.

Tre aspekte diskutabile:

Pse njoftimi bëhet një ditë para zgjedhjeve, kur çdo gjë duhet menjëherë të ndërpritet?, pyet e para e komisionit kundër korrupsionit, Biljana Ivanovska. Ajo, për DW, analizon se tre aspekte janë të rëndësishme në lidhje me këtë çështje.

“Sipas Kodit Zgjedhor, si dhe Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave (LPKKI) nuk mund të fillojë procedurë për punësimin e personave të rinj ose procedurë për ndërprerje të punësimit në institucionet shtetërore dhe publike, ndërsa procedurat e filluara vendosen në “pushim”, thekson ajo.

Komisioni Kundër Korrupsionit paralajmëron se fillimi i procesit për punësim pak para zgjedhjeve rrit rrezikun e ndikimit politik dhe klientelizmit.

Ivanovska vë në pah se Komisioni Kundër Korrupsionit edhe në ciklet e mëparshme zgjedhore ka paralajmëruar se fillimi i procesit për punësimi pak para zgjedhjeve e rrit rrezikun e ndikimit politik dhe klientelizmit, si dhe rrezikun e ryshfetit të elektoratit, duke vënë peng kandidatët e mundshëm, duke pritur prej tyre dhe familjet e tyre vota për të siguruar vlerësim të qëndrueshëm politik.

Nga ana tjetër, është fakt se nga viti në vit në këtë Ministri rritej numri i punonjësve, të cilët prisnin me vite që të shpërndaheshin. Në fund të vitit të kaluar, u miratua edhe një ligj i veçantë për t’u shpërndarë në organet të cilat, pavarësisht nga nevojat reale, ishin të detyruara të ndryshonin sistemimet dhe të siguronin një vend pune.

Më 22 janar të këtij viti, Zëvendëskryeministri dhe Ministri për Sisteme Politik, Artan Grubi, e prezantoi planin për shpërndarjen e 1.349 të punësuarve në bazë të “kornizës” në pozicione të reja në 237 institucione dhe organe shtetërore dhe të vetëqeverisjes dhe lokale. Me këtë plan u desh të zgjidhej problemi dhjetëvjeçar, i cili është një barrë serioze në buxhet dhe më në fund të gjejë karrige për administratorët, të cilët nuk shkonin fare në punë. Megjithatë, disa nga nëpunësit ende nuk janë ulur në karriget në të cilat u “caktuan”, për shkak të pengesave të ndryshme që nuk lejojnë realizimin e plotë të planit të zëvendëskryeministrit Grubi.

MPB, DAP, Dogana dhe Zyra e Avokaturës së Shtetit e akomoduan shumicën e administratorëve të kornizës. Shumica e tyre janë ekonomistë dhe juristë, por ka edhe kuadro me arsim të mesëm.

“Nëse Ministria e Sistemit Politik ka nevojë reale për një numër kaq të madh të punonjësve, pse atëherë edhe me Ligj i shpërndante punonjësit sipas programit K5 në organe të tjera shtetërore. Synimi është i qartë, përdorimi i pushtetit politik përmes të cilit grupet e caktuara të qytetarëve ndikohen për të siguruar vota dhe mbështetje në procesin zgjedhor”, thotë shkurtë e  qartë Ivanovska.

Sipas saj, për shkak se Rregullorja për sistematizim në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Komuniteteve nuk është publikuar në faqen e tyre të internetit, në mungesë të transparencës së plotë publiku nuk ka pasqyrë për atë nëse është e arsyeshme nevoja për të punësuar kaq shumë bashkëpunëtorë të rinj në një ministri. “A është qëllimi për t’i rishpërndarë ata në organe të tjera shtetërore?”, pyet ajo.

Administrata shtetërore është e stërngarkuar, por kjo nuk është pengesë për punësime të reja para çdo cikli të zgjedhjeve

Disa nga institucionet komentojnë se ata kishin nevojë për një personel të tillë, por me shpalljet që ata tashmë i kanë shpallur, vetë janë duke i plotësuar ato boshllëqe. Prandaj, ata pyesin, cila është nevoja që Ministria e Sistemit Politik të shpallë konkurse për staf që është i nevojshëm për punën e institucioneve të tjera shtetërore.

Armatë e nëpunësve shtetërorë

Numri i të punësuarve në sektorin publik, më 31 dhjetor 2020, ishte 131.183 persona në 1.332 institucione. Autoritetet pohojnë se në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i të punësuarve në sektorin publik është ulur për 1.717 persona. Çdo vit, shteti ndan mbi tetë milionë euro për punonjësit sipas Marrëveshjes Kornizë të cilët nuk kanë shkonin fare në punë. Ekspertët theksojnë se armata e nëpunësve civilë duhet të zvogëlohet. Është problem për të cilin nuk u gjet zgjidhje vitet e kaluara.

“Në kushtet e punësimit të tepërt, nuk ka nevojë për punësim të stafit të ri, por punonjësit duhet të shpërndahen, me trajnime shtesë të caktuara”, tha Temelko Risteski, profesor dhe doktor i së drejtës administrative për DW.

Sipas tij, administrata është e stërngarkuar, prej vitesh vetëm ngarkohet me punësime të reja, shteti është bërë punëdhënësi më i madh në “çerdhet” shtetërore. “Mbushja e administratës duhet të bëhet në fara dhe mënyrë sistematike, me staf që është vërtet i nevojshëm. Gjithmonë pritet që në 5 në 12, para zgjedhjeve, ata të cilët janë të punësuar për periudhë të caktuar kohore, nxitojnë të vendosen me punësim të përhershëm. Bëhet fjalë më shumë për efekt propagandistik sesa ka nevojë për punësim në periudhën e diskutueshme para zgjedhjeve,” tha Risteski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button