Artisti nga Dibra – Tahiri, tha: Pranoni sa më shumë kritika nga artistët me përvojë (VIDEO)

Tahiri që i vogël kishte mëdyshje shumë të çuditshme për artin. Filloi të vizatojë nga mosha katërvjeçare. Por, kishte një periudhë që ai la pas artin dhe hyri në botën e kompjuterit. Si çdo i ri i cili provon veten në më shumë gjëra, edhe Tahiri ishte i tillë. Por, mendja dhe shpirti i tij gjithnjë qëndronte tek arti. Kështu, në moshën 14-vjeçare, ai nisi të merret më seriozisht me të, shkruan Portalb.mk.

Në fillimet e tij, ai u përball me një periudhë shumë të vështirë. Mosha në të cilën ai nisi me vizatim ishte shumë delikate. Por, ishte shoku i tij Roni, i cili e nxori nga kjo situatë e keqe. Roni jeton në SHBA dhe ata vazhdojnë komunikimin mes rrjeteve sociale.

“Që atëherë e deri më tani, unë kalova shumë nivele në vizatim dhe pikturë. Falë tërë atyre kritikave të shokut tim Ronit, unë kuptova aq shumë gjëra sa që të gjithë ato që i mësova, më bën të kuptoj gjëra pafund për artin. Gjithashtu, dua të them që pikturën që e bëj unë e bëj nga shpirti, nuk e bëj nga kërkesat e njerëzve ose çfarë pëlqejnë të tjerët. Gjithçka që bëj është personale.” tha Tahiri

Stili që Tahiri përdor në vizatimet e tij, siç thotë ai, është akademik klasik modern. Atij i pëlqen të pikturojë portrete, natyra të qeta dhe ndonjëherë dhe abstrakt. Inspirimin e gjen nga artistët e mëdhenj si Rembrandt dhe David Leffel. Ai gjithashtu theksoi se një inspirim të madh i jep edhe muzika.

Mesazhi që Tahiri përcolli për të gjithë artistët e rinj është:

“Mesazhi im për të gjithë artistët e rinj është që të punoni sa më shumë. Ndiqni atë stil që ju tërheq më së shumti. Pranoni sa më shumë kritika nga artistët me përvojë. Kini durim dhe besim për punën që bëni.” pëmbylli Tahiri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button