Tryezë e rrumbullakët: Marrëveshja e Ohrit sjell stabilitet, paqe dhe progres

Paqja, progresi, arritjet fillojnë nga Marrëveshja e Ohrit, deklaroi rektori i Universitetit “Nënë Tereza” Shkup, Aziz Pollozhani, në tryezën e rrumbullakët me rastin e shënimit të 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit. Ai theksoi se, kjo marrëveshje është provokuar nga refuzimi i klasës së atëhershme politike për ndërtimin e një kushtetute që do t’i reflektojë dhe harmonizojë të drejtat e bashkësive, transmeton Portalb.mk.

“Me Kushtetutën e vitit 1991, të drejtat që i kemi pasur me kushtetutën nga viti 1974 veç më nuk i kishin dhe për momentin kur të gjithë popujt e demokracisë prisnin liri dhe afirmim të të drejtave të tyre, ne në Maqedoni e ndjenim si ngushtim të saj. Nuk mundet një popull i cili është një e treta në Maqedoni dhe bashkësitë tjera ta përjetojnë demokracinë, pluralizmin si dënim, sepse i kemi humbur të drejtat”, tha Pollozhani, i cili është një ndër nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit.

Bashkësia ndërkombëtare sipas tij, nuk ka pasur qasje të favorizimin të shqiptarëve apo maqedonasve në raport me Marrëveshjen e Ohrit, por ato siç theksoi ai, kanë dashur Maqedoni stabile, përkatësisht i kanë dashur të gjithë që jetojnë në shtet.

“Ato më së miri e kanë ditur se stabiliteti i Maqedonisë mund të arrihet përmes zgjidhjeve adekuate në kushtetutë, që do t’i bëjë të lumtur të gjithë popujt që jetojnë këtu dhe ajo shihej në çdo moment edhe në procesin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe në procesin e implementimit”, tha Pollozhani.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut dhe ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve midis Komuniteteve, Artan Grubi, në tryezën e rrumbullakët kushtuar 20-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit ka deklaruar se nga tani do të fillojnë një kapitull të ri përtej Ohrit për të ndërtuar të ardhmen e vendit në frymën e kësaj marrëveshjeje, por “kompatibil me të nesërmen

“Çfarë ka (ndodhur) deri më 2021-shin ishte deri tek Ohri, pas 2021-shin, siç e thashë kush e ka guximin të na bashkangjitet, sepse do të fillojmë kapitullin e ri përtej Ohrit. Aty do të na duhet ndihma e gjithë secilit, të gjitha tre universitetet të cilët ligjërojnë në gjuhën shqipe këtu në vendin tonë, gjithë botës akademike, gjithë botës së biznesit, gjithë botës politike, sepse do të duhet të ndërtojmë koncepte të reja në të cilat ne si komunitet i dytë shumicë, bashkë edhe me komunitetin shumicë dhe komunitetet e tjera të ndërtojmë të ardhmen e këtij vendi në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, por të jemi kompatibil me të nesërmen duke qenë shumë të vetëdijshëm me të sotmen në të cilën jetojmë”, deklaroi Grubi.

Marrëveshja Kornizë, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit, u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 në Rezidencën Presidenciale në Shkup mes partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-ve. Kjo marrëveshje, negociatat e të cilës filluan në Shkup për të vazhduar më tej në Ohër ku u bë përafrimi i dokumentit, i dha fund konfliktit ndëretnik të vitit 2001 ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha etnike në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button