Kryeministri Kurti vizitoi vendet ku u shuan zjarret në Suharekë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Komunën e Suharekës për t’u njoftuar nga afër me situatën pas zjarreve që kanë shpërthyer në këtë komunë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kurti u informua për situatën dhe dëmin e shkaktuar nga kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, dhe shërbimi zjarrfikës i Suharekës.

Më pas kryeministri ka vizituar Zonën Industriale, e cila ishte e rrezikuar nga përhapja e zjarreve, por që u shuan me angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, zjarrfikësve, organeve komunale e qendrore.

Kryeministri Kurti bëri thirrje që të ketë kujdes shtesë këto ditë me temperatura të larta, në mënyrë që zjarret të mos ndodhin më.

“Duhet të jemi shumë vigjilentë dhe të kujdesshëm, meqenëse edhe sot, edhe nesër, edhe pasnesër, do të jenë temperaturat e larta dhe erërat e fuqishme e bëjnë shumë më të vështirë fikjen e zjarreve më pastaj”, tha ai.

Kryeministri i falënderoi edhe komunat e tjera që e ndihmuan Komunën e Suharekës, e cila, siç tha ai, e ka një florë dhe faunë të jashtëzakonshme dhe bjeshkë shumë të pasura.

Ai tha se bashkatdhetarët të cilët kanë ardhur për pushime në Suharekë, duhet të ndihen të sigurtë, por tërhoqi vërejtjen sërish për kujdes në mënyrë që zjarret që u fikën këto ditë, të mos rishfaqen.

“Në veçanti, dua të falënderoj vullnetarin, qytetarin e Suharekës dhe jo vetëm të kësaj komune, të cilët bashkë me institucionet këtu, ishin në front të kësaj situate emergjente dhe tash për tash arritën me sukses që dëmet materiale t’i kemi sa të më të vogla, ndërkaq, ato njerëzore të mos na shfaqen”, tha kryeministri Kurti.

Aktualisht janë katër zjarre aktive në Kosovë, nga 50 që nga e premtja, konfirmoi Nehat Koqinaj, zëdhënës i Agjencisë për Menaxhimin e Situatave Emergjente të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla në Facebook theksoi se që nga e premtja zjarret kanë kapluar disa lokacione në komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme ka aktivizuar menjëherë Qendrën Operative e cila aktualisht është duke koordinuar të gjitha veprimet e ekipeve reaguese në terren.

“Zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i janë duke punuar me kapacitete të plota për të shuar vatrat e zjarrit, duke bërë çmos për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në këto lokacione”, ka shkruar Sveçla.

Ai deklaroi se deri më tani, dy persona janë arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button