Liria e medieve shënon rënie – është kërcënim për sundimin e ligjit

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Le të hedhim një vështrim më të hollësishëm se cila janë çështjet që preokupojnë BE -në në fushën e sundimit të ligjit. Këtë po e bëjmë në një seri artikujsh kushtuar katër fushave që mbulohen me Raportin e BE-së për sundimin e ligjit: 1. gjyqësori 2. Korniza anti-korrupsion, 3. pluralizmi i medias dhe liria e medieve, dhe 4. sistemi i kontrolleve dhe ekuilibrave.

Fillojmë me temën e medieve.

Kriteri kryesor për përzgjedhjen e fushave që kanë të bëjnë me pluralizmin e medieve dhe lirinë e medias në Raport është “ku vendimet dhe politikat politike mund të kenë ndikim të fortë mbi aftësinë e mediave për të luajtur rolin e tyre”.

Malinka Ristevska Jordanova

Gjatë vlerësimit KE mbështetet në masë të madhe në instrumentin që ka krijuar disa vjet më parë – Monitorim i pluralizmit mediatik, i cili është rezultat i punës kërkimore nga Qendra për pluralizmin mediatik dhe Lirinë e medieve pranë Universitetit Evropian – Firencë, që financohet nga një projekt i BE -së. Monitoruesi i vlerëson rreziqet për lirinë e medias dhe pluralizmin në katër fusha: mbrojtja themelore e lirive të mediave, pluralizmi i tregut, pavarësia politike dhe përfshirja sociale e mediave. Është shqetësuese që rezultatet e hulumtimit në vitin 2021 tregojnë përkeqësim të ndjeshëm të situatës në tre tregues kryesorë: lirinë e shprehjes, mbrojtjen e të drejtës për informacion dhe profesionin e gazetarit dhe mbrojtjen e gazetarëve. Edhe pse situata KOVID citohet si një nga arsyet kryesore për këtë përkeqësim, tendenca të tilla janë shqetësuese. Për sa i përket pavarësisë politike, në vitin 2021 të njëjtat shtete anëtare si në vitin 2020 vlerësohen me rrezik të lartë: Bullgaria, Hungaria, Malta, Polonia, Rumania dhe Sllovenia. Përndryshe, në këtë raport janë përfshirë edhe vendet kandidate. Rreziqet në Maqedoni janë vlerësuar si të ulëta për mbrojtjen bazë, dhe të mesme për tre treguesit e tjerë kryesorë.

Pavarësia e rregullatorit të medias, që është detyrim i shteteve anëtare të BE-së sipas Direktivës për shërbime audio-vizuale është një nga çështjet kryesore të Raportit të BE-së për sundimin e ligjit në fushën e medieve. Reformat janë duke u zhvilluar në disa shtete anëtare, megjithëse të gjithë kanë themeluar rregullator të pavarur. Megjithatë, KE vëren ndërhyrje politike edhe pse ka pavarësisë formale (Kroacia, Malta, Sllovakia, Hungaria), mos emërim i anëtarëve (Rumani) dhe pamjaftueshmëria e burimeve (Sllovenia dhe Spanja).

Greqia, Finlanda, Irlanda dhe Lituania janë vende ku shënohen përmirësime ligjore ose institucionale në drejtim të transparencës së pronësisë së mediave. Nga ana tjetër, Republika Çeke, Sllovenia dhe Bullgaria janë nën kritika. Rreziqet për transparencën dhe shpërndarjen e barabartë të fondeve të reklamimit shtetëror janë identifikuar në Austri, Kroaci, Hungari, Bullgari dhe Poloni.

Si rreziqe për pavarësinë politike, KE i jep shembujt e kundërthënieve politike mbi organin rregullator në Çeki, pronësinë e medieve nga partitë kryesore politike (Maltë), ndryshimet në mënyrën e financimit të servisit publik dhe presionin ndaj agjencisë kombëtare të lajmeve (Slloveni), mundësia e ndërmarrjes së një grupi shtypi nga një kompani e madhe e naftës (Poloni), ndikimi politik mbi mediat për shkak të pronësisë së mediave nga politikanët (Bullgaria), mbyllja e një prej radiove të fundit të pavarur (Hungari).

Qasja deri te informacionet publike garantohet në mënyrë normative në të gjitha shtetet anëtare, por ka pengesa praktike në realizimin e saj (Rumania, Kroacia, Luksemburgu, Danimarka). Nga ana tjetër, masat e marra nga shtetet në kuadrin e mbrojtjes kundër KOVID-19 kishin ndikim serioz në realizimin e kësaj të drejte. Megjithatë, ndërsa kufizimet në shumicën e vendeve ishin të kufizuara në kohë, ka përsëri shembuj të përdorimit të vazhdueshëm dhe të gjerë të kufizimeve të qasjes (Hungari, Poloni, Rumani). Nga ana tjetër, shembuj pozitivë janë Holanda dhe Lituania, të cilat kanë siguruar lirinë maksimale të lëvizjes për gazetarët që të jenë në gjendje të raportojnë në mënyrë objektive në kushte të pandemisë.

Fatkeqësisht, Raporti vë në dukje situatën e përkeqësuar në lidhje me mbrojtjen e gazetarëve nga kërcënimet dhe sulmet. Vrasjet e fundit të gazetarëve në Greqi dhe Holandë tregojnë për rreziqe të mëdha për këtë profesionin, e kështu për sundimin e ligjit në përgjithësi. Dhuna e shtuar ndaj gazetarëve u vu re gjatë protestave në kontekstin e pandemisë KOVID -19 – si nga protestuesit ashtu edhe nga forcat e policisë. Si formë e veçantë e frikësimit identifikohen paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike, që janë vërejtur në disa shtete anëtare, me shembujt më eksplicit – Kroacia dhe Polonia.

Pothuajse të gjitha vendet anëtare të BE -së kanë zbatuar masa për të siguruar mbështetje ekonomike për mediat dhe gazetarët, të cilët kanë rënë në një krizë serioze si rezultat i pandemisë. Megjithatë, KE shpreh kujdes në lidhje me transparencën, drejtësinë e shpërndarjes së fondeve, si dhe besimin publik të qytetarëve në media.

Padyshim, rimëkëmbja do të jetë e nevojshme në shumë fusha – ndërsa një nga ato kryesoret është sigurisht liria e medias.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button