Askush nuk i mat dëmet e hidrocentraleve të vogla

Debati me argumentet për dhe kundër për ndërtimin e hidrocentraeve të vogla nuk zhvillohet vetëm në Maqedoninë e Veriut por në gjithë botën. Mediat serbe shkruajnë se kompani të lidhura me kumbarin e presidentit Aleksandar Vuçiq përfitojnë më së shumti nga hidrocentralet e vogla, ndërsa në Mal të Zi lidhen me persona të afërt me Millo Gjukanoviq. Në Bosnjë dhe Hercegovinë zhvillohen polemika rreth arsyetimit të tyre, ndërsa Republika Srpska ka ndërprerë 22 marrëveshje për koncesione, prej të cilave pjesa më e madhe për hidrocentrale të vogla nuk i është përmbajtur marrëveshjeve, shkruan Doma, transmeton Portalb.mk.

Në vend situata është e ngjashme, përkatësisht problemet janë pothuajse të njëjta.

Të dhënat tregjnë se nga viti 2010 deri në mars të këtij viti, të ardhurat e 10 kompanive – hidrocentrale të vogla të cilat shfrytëzojnë tarifa të autorizuara janë pothuajse 80 milionë euro. Një pjesë e tyre kanë pronarë të huaj, ndërsa te një pjesë e madhe si pronarë paraqiten ish kryeministri Koço Angjushev dhe vëllau i tij, Todor Angjushev apo kompani të lidhura me tij.

Investitorët të cilët ndërtojnë hidrocentale të vogla marrin status të prodhuesve të autorizuar të energjisë elektrike, ndërsa përfitojnë në atë mënyrë që shteti e blen rrymën që e prodhojnë, sipas çmimit të caktuar paraprakisht. Të hollat që shteti i shfrytëzon për blerje, vijnë nga qytetarët, përkatësisht nga faturat e tyre të rrymës.

Kryetari i Grupacionit të burimeve të ripërtërishme të energjisë në Asociacionin Energjetikë të Maqedonisë, Todor Angjushev tha se ndërtimi i një hidrocentrali të vogël kushton mesatarisht rreth 1,5 deri në 2 milionë euro.

“Çmimi i ndërtimit të një hidrocentrali të vogël në masë më të madhe varet nga çmimi i pjesës së ndërtimit, kyçjes, kompensimit të koncesionit, punët juridike pronësore dhe pajisjes, kështu që nuk mund të ketë përgjigje precize, posaçërisht duke pasur parasysh se çdo elektranë paraqet projekt të posaçëm dhe çmimi është i ndryshëm. Në mënyrë ilustrative, çmimi mesatar për ndërtim të një hidrocentrali të vogël prej 1 MW është mes 1,5 dhe 2 milionë euro”, tha Angjushev.

Ai shtoi se, është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksohet se 80-90 % e atyre mjeteve të nevojshme për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla mbesin në vend, me çka paraqesin përfitim të madh ekonomik për ekonominë maqedonase, para së gjithash në sektorin e ndërtimit.

Reagime më të mëdha ka në pjesën e pasojave që elektranat e vogla i lënë në mjedisit jetësor, për çka shpesh alarojmë banorët që jetojnë në afërsi të këtyre kapaciteteve energjetike. Njëkohësisht, ekologjistët thonë se në lumenjtë ku ndërtohen hidrocentrale të vogla, për shkak të humbjes së oksigjenit, uji merr cilësi “moçalore” gjë që sjell në ndryshimin e botës bimore në afërsi të lumit.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor thonë se në lidhje me vlerësimin e ndikimit në mjedisin jetësor për të gjithë hidrocentralet e vogla për të cilat janë nënshkruar marrëveshje për koncesione zbatohen procedura të posaçme për verësim të ndikimit të mjedisit jetësor.

“Nuk është bërë studim për ndikim të përgjithshëm të ndërtimit të hidrocentraleve të vogla ndaj mjedisit jetësor”, thanë nga ministria.

Një ndër problemet kyçe me këtë biznes është se shteti ka lejuar ndërtim të hidrocentraleve të vogla edhe në zonat e mbrojtura. Koncesione janë ndarë edhe për lumenjtë e Malit Sharr, i cili në ndërkohë u shpall park nacional.

KRRE ka dhënë gjithsej 118 licenca për prodhim të energjisë elektrike nga hidrocentrale të vogla. Prej tyre, 97 janë prodhues të autorizuar, që e shesin energjinë sipas tarifave të autorizuara, ndërsa të tjerat e shesin në tregun e energjisë elektrike.

Është e qartë se mungon kontrollë dhe matje e dëmeve të shkaktuara nga puna e hidrocentraleve të vogla. Ato mund të jetë të paçmueshme nëse merret parasysh se këto kapacitete energjetike paraqesin kërcënim për zhdukjen e llojeve endemike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button