fbpx

Komente: Iniciativa për “Ballkanin e Hapur” është e pasinqertë dhe ka prapavija politike

Analistët shqiptar në Maqedoninë e Veriut janë shprehur skeptik sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur”, duke thënë se në këtë nismë do të synojë Serbia të dominojë si faktor kyç i rajonit. Analisti, Selim Ibraimi deklaroi për Portalb.mk, përkundër anës pozitive të qarkullimit të lirë të mallrave dhe tregut të punës, ndarja e rajonit në blloqe do të vështirësojë raportet mes popujve.  

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

“Ka shumë rezerva për këtë nismë pasi që Serbia si faktor ekonomik kryesorë do të dominojë ekonomitë e Ballkanit. Ka anë pozitive si qarkullimi i lirë i mallrave dhe tregu i punës, megjithatë pa përfshirjen serioze të Mal të Zi, Kosovës dhe Bosnjës nuk mund të themi se nisma nuk ka prapavija politike ose gjeoekonomike. Vetë ndarja në blloqe e Ballkanit me këtë nismë do ta vështirësojë edhe më shumë integrimin e rajonit dhe pajtimin në mes popujve. Në të ardhmen në qoftë se ky union do të bëhet realitet Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do ta bëjë të varur nga Serbia për shkak të natyrës së ekonomisë serbe dhe rënies së prodhimit në Shqipëri dhe MV. Në vazhdim duhet parë se çfarë forme do të këtë ky union dhe efikase do të jetë përballë BE-së dhe raporteve me Rusinë dhe Kinën”, deklaroi Ibraimi.

Ndërkohë, kolumnisti Fatmir Sulejmani, tha për Portlab.mk se, pa Kosovën nuk duhet të ketë asnjë iniciativë që prezantohet nga liderët e tre shteteve.

“Dua të them që pa Kosovën nuk duhet të ketë asnjë lidhje që prezantohet mes këtyre tre kryeministrave, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë, sepse Kosova është çelësi dhe natyrisht se Serbia nuk ka se si të lëvizë ndryshe përpos nëpër Kosovë që të kaloj në territorin shqiptar. Unë mendoj se është një gabim i madh dhe shqiptarët para se të kenë sikletet e të tjerëve duhet të brengosen fillimisht për veten, fillimisht duhet të bashkohen, t’i bashkangjisin gjërat brenda kombit shqiptar dhe më pas të dalin në terren me të tjerët. Përndryshe, nuk do të kenë asnjë të mirë shqiptarët nga kjo”, tha Sulejmani.

Fatmir Sulejmani
Fatmir Sulejmani

Ai vlerëson se kjo iniciativë nuk është e sinqertë, pasi sipas tij, Serbia asnjëherë nuk ka qenë e sinqertë ndaj shqiptarëve.

“Kur ka qenë Serbia e sinqertë ndaj shqiptarëve dhe kur e ka mbajtur fjalën? Të gjitha gjërat që ka iniciuar në favor të vetin, me pretekstin se është edhe në favor të të tjerëve, të shqiptarëve. Prandaj, një armik gati biologjik që asnjëherë nuk i ka mbajt fjalët në raport me shqiptarët dhe ka qenë çdoherë i pabesë, nuk duhet besuar. Në rastin konkret, nuk ka këtu si të gjykohet ndryshe kur ata nuk e pranojnë Kosovën, ndërsa këndej shtiren kinse janë miq të shqiptarëve, kjo është iluzore të mendohet se ka diçka të sinqertë brenda. Prandaj, unë mendoj se nuk ka fare sinqeritet në këtë”, vlerësoi ai.

Ndryshe, dje në Shkup u mbajt konferenca rajonale për iniciativën “Ballkani i Hapur” i cili paraprakisht quhej “Mini Shengen”, në të cilën morën pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama dhe presidenti serb, AleksandarVuçiq. Kësaj iniciative tani për tani nuk i janë bashkangjitur tre shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Mali i Zi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button