RMV, vitin e kaluar, zjarret përfshinë sipërfaqen më të vogël pyjore në vend në dekadën e fundit (Infografik)

Vitin e kaluar, zjarret në pyje përfshinë më së paku hektarë tokë të mbjellë me drunj, në dekadën e fundit në vend. Nga djegia e bimësisë në pyje në vitin 2020 kanë pësuar gjithsej 438 hektarë që është shumë më pak në krahasim me vitet e mëparshme, tregojnë të dhënat e Entit shtetëror të statistikave, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Të dhënat statistikore tregojnë se viti më i keq për pyjet në dekadën e kaluar ishte viti 2012, kur zjarret kishin kapluar madje 19.312 hektarë. Dëme jashtëzakonisht të mëdha në fondin pyjor ka pas edhe në vitin 2019, kur zjarret shkatërruan drunj dhe bimësi të tjera në një sipërfaqe prej 10.661 hektarë.

Zjarret pyjore në vend janë shpesh rezultat i djegies së qëllimshme të drunjve, por edhe për shkak të lëvizjes në pyje gjatë motit të nxehtë dhe të thatë, kur ndezja e një zjarri për të përgatitur skarë nga qytetarët ose djegia e kashtë pranë tyre shumë thjesht mund të përfundojë në zjarr i madh, i cili rrezikon jo vetëm bimësinë, por shpesh shkakton dëme të tjera materiale.

Përndryshe, sektori i Pylltarisë është një nga sektorët më të lëndueshëm mbi të cilin ndryshimet klimatike kanë ndikim. Rritja e temperaturave mesatare të ajrit ndikon negativisht në zhvillimin e vetë drunjve, ndërsa periudhat e thata janë ndër shkaqet kryesore të zjarreve në pyje, të cilat veçanërisht përhapen verës.

Nga ana tjetër, nëse i mbrojmë pyjet nga zjarret dhe shkatërrimi i tyre, atëherë drunjtë e mbjellë mund të ndihmojnë në zvogëlimin e ndikimit negativ të ndryshimeve klimatike në jetën tonë.

Të dhënat nga Raporti i tretë dyvjeçar për ndryshimet klimatike të Ministrisë së mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor të përgatitur në vitin 2020 tregojnë se sektori i Pylltarisë ka devijimet më të mëdha ndër vite në emetimet e gazrave serë.

Në vitet kur nuk ka zjarre në pyje, sipas të dhënave, pyjet e rrisin efikasitetin në thithjen e dyoksidit të dëmshëm të karbonit nga atmosfera. Ky ishte rasti në vitin 2014, kur pemët thithën 3.597,4 gigabajt dyoksid karboni ekuivalent (Gg. CO2-eq) në atmosferë.

Por në raste si 2000, kur kishte zjarre të mëdha, sektori i Pylltarisë u bë shkaku kryesor i lirimit të emetimeve të dëmshme në atmosferë. Kështu, pikërisht këtë vit ky sektor prodhoi 10.441,4 gigramë ekuivalentë të dyoksidit të karbonit (Gg. CO2-eq), gjegjësisht e kishte pjesëmarrjen më të madhe në emetimet e gazeve serë në vend.

“Pylltaria kontribuon më së shumti në fundosjen e gazrave serë, me përjashtim të disa viteve kur kishte numër mbi mesataren e zjarreve dhe zonave të djegura. Sipërfaqja me tokë pyjore, llojet e drunjve (gjethmbajtës, gjetherënës, të përzier) dhe pyllëzimi dhe shpyllëzimi vjetor është relativisht i qëndrueshëm. Është vlerësuar se në vitin 2015, në këtë sektor u fundosën 1.608,3 ndërsa 2.120,6 në vitin 2016 Gg CO2 ekuivalent”, theksohet në Raportin e tretë dyvjeçar për ndryshimet klimatike.

Në periudhën e tanishme të verës, vendi veç më ishte prekur nga një valë e zgjatur e nxehtësisë me temperatura të larta, të përcjellë pa reshje. Një valë e dytë e tillë me mot shumë të nxehtë pa reshje ka goditur përsëri vendin këto ditë dhe kjo është arsyeja për të cilën u bë thirrje për qytetarët që të jenë shumë të kujdesshëm kur lëvizin në pyje, të mos ndezin zjarre dhe të respektojnë masat e autoriteteve në ato raste kur ndalojnë lëvizjen nëpër pyje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button