“Shqiptarë jeni?”

Vera është stina më e dashur e vitit. Ngrohtësia e diellit të bën ti harrosh muajt e gjatë e të errët të dimrit dhe bën të mendosh se vjeshta, bashkë me shiun e ftohtë, nuk do të vijë kurrë. Vera është stina e udhëtimeve për të veruar, për të kaluar pak ditë pranë detit, për ta marrë atë vitaminën D që krijon kujtime që na mbajnë të buzëqeshur për një vit të tërë. Vera është stina kur njeriu fiton mjaft energji për të besuar se çdo gjë do të jetë mirë.

Vera është stina kur Vlora vlon nga vizitorët që vinë nga shumë vende për të shijuar ujin e kristaltë të Rradhimës. Vera është stina kur mes pishave të Llogarasë i gjen shitësit e mjaltit më të mirë dhe çajit shërues. Vera është stina kur një ditë në plazhin me gurrëz të bardhë të Dhërmisë të duket si ditë e kaluar në ndonjë destinacion të largët ekzotik që mund ta shohësh vetëm në filma dhe në video-klipe të shtrenjta këngëtarësh me fame botërore. Nuk ka si vera kur takohesh sërish me pronarët e apartamenteve ku ndjehesh si në shtëpi, ku flasin shqip e ku frymohet shqip.

Por shqipen e dëgjon jo vetëm në Shqipëri ku na pëlqen kaq shumë ti kalojmë ditët e pushimit. Shqipen e dëgjon gjithkund nëpër botë, aty ku nuk e pret dhe ku nuk të shkon mendja.

Para disa vitesh isha në një takim pune në Berlin, dhe organizatorët e takimit kishin bërë një rezervim për darke në një restorant të bukur Italian. Më shumë pjesëtarë të takimit si dhe të punësuar në organizatën që organizonte takimin ishim shqiptarë dhe flisnim shqip ndërmjet nesh. Kamerieri na dëgjoi dhe na pyeti menjëherë: “Shqiptarë jeni? Nga ju kemi?” Doli që ishim të gjithë nga rajoni i Pollogut.

Doli që pronarët e restorantit dhe të gjithë të punësuarit ishin mërgimtarë nga ana jonë dhe ne përnjëherë të gjithë u ndjemë në shtëpi dhe midis miqsh. Të njëjtën ndjenjë e kam përjetuar edhe një here në Romë, kohë më parë, në vitin 2008, kur sërish me punë u ulëm të darkonim në një restorant pranë Panteonit. Sapo kamerieri dëgjoi bisedën tonë, sërish e njëjta pyetje: “Shqiptarë jeni? Po nga vini?” Sërish e njëjta ndjenjë e të qenit në shtëpi në mesin e një qyteti të panjohur. Në Nju Jork, në vitin 2015, deri sa haja mëngjes në hotelin Holiday Inn, kur kamerieri ma solli llogarinë e hotelit, më foli shqip, duke më treguar se edhe aty pronarët janë shqiptarë nga Dibra dhe kanë vite që jetojnë në SHBA. Është vërtet e veçantë sa shpesh përjetohet ky emocion në vende të ndryshme të botës.

Ajo që më ka mbetur në kujtesë në këtë drejtim është përjetimi në një plazh të Greqisë vite më parë. Në Greqi po ashtu, në çdo hap që ecni do të takoheni me pyetjen e ndonjërit që do t’ju pyesë a jeni shqiptarë dhe nga vini, pasi të dëgjojë fjalët e para që dalin nga biseda juaj. Kam takuar të rinj që kanë lindur dhe janë rritur në Greqi në familje mërgimtarësh, por të cilët flasin shqipe të pastër dhe i kam pyetur si nuk e kanë harruar gjuhën. Më kanë thënë që shkojnë shpesh në Shqipëri dhe i vizitojnë familjarët, se u pëlqen të shkojnë atje dhe të shoqërohen me të afërmit, se ndjehen mirë dhe në shtëpi gjatë secilës vizitë, se e kanë mësuar gjuhën e nënës në shtëpi bashkë me greqishten në punë, dhe se nuk duan të harrojnë çfarë janë. Është rrëqethëse të kuptohet thellësia e mallit dhe vendosmëria për të mos e humbur identitetin në ato dy fjalë të vetme, të cilat instinktivisht shqiptohen sapo dëgjohet gjuha e nënës: “Shqiptarë jeni?”

Të kthehem te ajo që e kujtoj nga plazhi në Greqi disa vite më parë. Një bar i bukur në plazh, pranë një deti përrallor. Aty punonin dy kamerierë shumë të sjellshëm, njëri grek, tjetri shqiptar nga Korça. Ditët e para nuk i venim vesh anës në të cilën ulemi, por pastaj e kuptuam që secili prej kamerierëve shërbente një anë të caktuar të shezlongjeve, dhe ata ndërronin anën çdo të hënë. Të gjitha shezlongjet ishin gjithmonë të zëna, nga turistë nga Serbia, Rumunia, Italia, Austria, dhe nga ne dhe një familje tjetër mërgimtarësh shqiptarë që jetonin në Greqi e që po ashtu kishin ardhur aty me pushime. Normalisht, sipas një kodi të pashkruar, të gjithë shqiptarët mund ti shihje në anën e korçarit, pavarësisht se edhe kamerieri tjetër ishte shumë, shumë i sjellshëm dhe ndihmues. Si me një marrëveshje të pashkruar, ditën e hënë, kur korçari e ndërronte anën, të gjithë shqiptarët që uleshin në ato shezlongje, e ndërronin anën po ashtu. Ishte e paharueshme të shihet kjo mënyrë e sinkronizuar në të cilën funksiononte një kod i pashkruar i solidaritetit ndër-shqiptar, i njerëzve që pavarësisht se në cilin cep të tokës ndodhen, gravitojnë drejt një gjuhe të përbashkët, drejt një gjaku që s’bëhet ujë.

Do të ishte bukur të shihet më shpesh një solidaritet ti tillë në raportet ndër-shqiptare. Ne e duam dhe e përkrahim njëri tjetrin kur jemi jashtë, na bashkon dhe afron gjuha që e flasim, na tërheq si forcë magnetike. E brenda vendeve ku jetojmë vazhdimisht e shajmë dhe e urrejmë njëri tjetrin duke e harruar gjithë atë lidhshmëri të cilën e ndjejmë dhe e kërkojmë sapo dalim jashtë kufirit. Le të tregojmë pak më shumë ndjeshmëri dhe solidaritet në përditshmërinë tonë, në të njëjtën mënyrë si e tregojmë këtë sapo takohemi me një shqiptar diku larg shtëpisë, ku vetëm jehona e gjuhës na bën të ndjejmë lidhshmërinë e përhershme me vendlindjen.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button