“Qyteti human i gjelbër”: Rritja e pragut për listat e pavarura është goditje për demokracinë

Listat e pavarura për këshilltarë komunalë i kundërshtojnë ashpër propozimet e paralajmëruara për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sipas të cilave ata duhet të mbledhin 2 përqind të votuesve nga komuna ku garojnë. Ky prag është shumë më i lartë nga ai që ka qenë deri më tani. Përpos pragut, ato kundërshtojnë edhe procesin byrokratik të mbledhjes së nënshkrimeve i cili vështirësohet me ndryshimet e reja, shkruan Portalb.mk.

Dragana Velkovska nga lista e pavarur “Qytet human i gjelbër” në pres konferencën e mbajtur për media, tha se këto propozime janë jodemokratike dhe antikushtetuese, të cilat cenojnë të drejtën e qytetarëve që të kandidohen në mënyrë të pavarur.

“Paralajmërimet e kryeministrit Zaev janë goditje e fortë për demokracinë në Maqedoninë e Veriut. Neni 62 nga Kodi Zgjedhor nuk është ndryshuar 15 vite, që kur ka hyrë në fuqi ligji në vitin 2006, ndërsa ajo është neni me të cilin është e rregulluar se sa nënshkrime nevojiten për lista të pavarura në nivel lokal. Ne do të luftojmë në çdo mënyrë të mundshme kundër praktikave të këtilla jodemokratike, që janë pasqyrë e vendeve të regjimit jo të demokracive. Me ndryshimet e paralajmëruara do të shkelen 7 nene të Kushtetutës, do të cenohet e drejta e qytetarëve që të mund të dalin në mënyrë të pavarur dhe të lirë në zgjedhjet lokale në vetëqeverisjet lokale, ku ato në të vërtetë duhet të jenë më shumë të zëshëm, të dëgjohen më shumë, me shkeljen e këtyre neneve ligjore do të cenohet e drejta e tyre për përcaktim politik, përcaktim e cila nuk është partiake, ato të drejta janë të garantuara gjithkund në botë dhe nga ajo arsye ne kërkojmë që pragu që momentalisht është në Kodin Zgjedhor prej 1000 nënshkrime për Qytetin e Shkupit të ulet, sepse vetëm ajo është racionale”, tha ajo.

Velkovksa po ashtu kundërshton edhe mënyrën e mbledhjes së nënshkrimeve,  pasi përpos që kërkohet numër i madh i nënshkrimeve, afati për mbledhjen e tyre është i kufizuar në 15 ditë dhe vetëm gjatë orarit të punës, që sipas saj është e pamundur të arrihet.

“Ne kërkojmë lirim të procesit të fuqishëm momental byrokratik për mbledhjen e nënshkrimeve. Kërkohet nga qytetarët që të shkojnë në zyrat rajonale të KSHZ-së, kërkohet në 15 ditët e caktuara saktë të mblidhen ato nënshkrime, që në kulmin e pushimeve verore është praktikisht e pamundur. Nëse kjo shumicë parlamentare me të vërtetë është aq e përkushtuar në zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, të OSBE/ODIHR, atëherë është e domosdoshme ta ulë pragun momental në Kodin Zgjedhor, prej 1000 nënshkrimeve në shumë më pak dhe t’i lirojë proceset shumë të byrokratizuara dhe t’iu sigurojë qytetarëve të mund të kandidohen lirisht për funksionar publik”, tha ajo.

Ndërkaq, Gorjan Jovanovski nga po e njëjta listë, tha se ndryshimet e propozuara janë absurde dhe kërkoi që të ulet pragu dhe të hiqen proceset byroktarike.

“Komisioni i Venecias thotë se duhet të definohet prag i caktuar maksimal për numrin e nënshkrimeve që duhet të mblidhet dhe esenca kryesore e atyre rekomandimeve është se nuk guxon t’i shkurtohet e drejta askujt që dëshiron të dalë si listë e pavarur në zgjedhjet lokale. Kjo është diçka që do të shkurtohej nëse miratohen ndryshimet e këtilla. Që të regjistrojmë një parti politike te ne në shtet, nevojiten vetëm 1000 nënshkrime. Ajo parti politike mund të vepron gjithkund në shtet, në të gjitha njësitë zgjedhore, për dallim nga listat e pavarura zgjedhore, të cilat sipas këtyre propozimeve, do të duhej të mbledhin 10 mijë nënshkrime që të veprojnë vetëm në rajonin e Qytetin të Shkupit. Nëse kjo nuk është absurd, unë me të vërtetë nuk e di se çfarë është. Kështu që, këto ndryshime nuk guxojnë të kalojnë, pragu duhet të ulet, proceset byrokratike duhet të lehtësohen”, tha Jovanovski.

Sipas ligjit aktual të Kodit Zgjedhor, për të kandiduar si kandidat i pavarur për këshilltar në Qytetin e Shkupit nevojiten 1000 nënshkrime nga votuesit.

Kodi Zgjedhor aktual, neni 62Ndërkaq, sipas ndryshimeve të paralajmëruara, për dorëzimin e kandidaturave për lista të pavarura apo kryetar komune, do të nevojiten nënshkrime prej 2 përqind nga votuesit në komunën apo Qytetin e Shkupit.

Për një komunë me 50 mijë votues, nevojiten 1000 nënshkrime. Siç paralajmëroi Zaev, përpos Qytetit të Shkupit, ku sipas të dhënave nga zgjedhjet e fundit lokale ka 460 mijë votues, komuna me mbi 50 mijë votues janë Kumanova, Manastiri, Tetova Gostivari, Aerodromi, Prilepi, Karposhi, Kisella Voda dhe Ohri. Në të gjitha këto nënshkrime do të nevojiten mbi 1000 nënshkrime për kandidaturë të një liste të pavarur apo kryetar komune.

Për shembull në Kumanovë do të nevojiten rreth 1.800 nënshkrime, në Manastir, Tetovë dhe Gostivar rreth 1.600, ndërsa në Qytetin e Shkupit rreth 10.000.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button