fbpx

Prania amerikane, temë qendrore në takimin e nivelit të lartë SHBA-Irak

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden pret të hënën në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin irakian Mustafa al-Kadhimi dhe e ardhmja e trupave amerikane në Irak pritet të jetë në qendër të bisedimeve mes tyre.

Ministri i Jashtëm irakian Fuad Hussein i tha Shërbimit Kurd të Zërit të Amerikës javën e kaluar se ai priste që dy palët të bien dakord mbi përfundimin e misionit luftarak amerikan në Irak.

Shtetet e Bashkuara kanë rreth 2,500 trupa në Irak, si pjesë e përpjekjes së koalicionit të udhëhequr nga SHBA për të luftuar grupin e Shtetit Islamik që filloi në 2014.

Të dyja vendet ranë dakord në prill për ta ndryshuar misionin e trupave amerikane, duke u përqëndruar tek rolet e trajnimit dhe këshillimit për të ndihmuar forcat e sigurimit të Irakut, por nuk ishte caktuar një afat kohor për përfundimin e tranzicionit.

Iraku deklaroi fitoren kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik në vitin 2017. Megjithatë grupi vazhdon të jetë aktiv në rajon, përfshirë kryerjen e një bombe vetëvrasëse në një treg në Irak javën e kaluar, që shkaktoi vdekjen e të paktën 30 personave.

“Objektivi është disfata përfundimtare e ISIS-it,” u tha një zyrtar i lartë i administratës Biden gazetarëve.

“E kuptojmë që duhet të vazhdojë presioni mbi këto rrjete ndërsa ata përpiqen të ringrihen, por roli i forcave amerikane dhe të koalicionit mund të transformohet, duke trajnuar, këshilluar, këmbyer informacion zbulimi dhe duke ndihmuar me logjistikën.”

Takimi i së hënës vjen gjithashtu në mes të sulmeve të vazhdueshme kundër pozicioneve ushtarake të SHBA-së në Irak për të cilat Shtetet e Bashkuara fajësojnë milicitë e lidhura me Iranin. Më 24 korrik, një komandant i milicisë pro-iraniane lëshoi një deklaratë duke kërcënuar të sulmonte forcat amerikane brenda vendit dhe duke bërë thirrje për tërheqjen e trupave.

Prania e trupave amerikane është një temë polarizuese në Irak, me disa që përmendin nevojën për mbështetje ushtarake amerikane për forcat e sigurisë së Irakut dhe të tjerë, përfshirë fraksione politike të lidhura me Iranin, duke kërkuar që trupat amerikane të largohen.

Përveç aspektit ushtarak, zoti Biden dhe zoti al-Kadhimi pritet të diskutojnë tema të bashkëpunimit të ardhshëm për çështje politike, ekonomike, shëndetësore, arsimore dhe kulturore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button