Mbyllni hundët edhe sot, NPK premtoi se nesër do t’i pastrojë mbeturinat në Tetovë (VIDEO)

Mbeturina të grumbulluara në çdo cep të qytetit kanë krijuar mbi dhjetë deponi të vogla në qytetin e Tetovës tani e disa ditë, duke bllokuar edhe disa trotuare për kalimin e këmbësorëve. Banorët shprehen të frustruar nga era e keqe që vjen rrugëve, e cila ju hyn edhe në shtëpi, kurse nga Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) Tetova, thonë se këto mbeturina do të pastrohen nesër, shkruan Portalb.mk.

Ditëve të fundit, gjithandej në qytetin e Tetovës ka pasur mbeturina të grumbulluara, të cilat nuk janë pastruar nga autoritetet komunale. Pos, mbeturinave të amvisërive, qytetarët kanë hedhur edhe gjësende shtëpiake, mobilje e madje edhe materiale ndërtimore.

Pas denoncimit në Portalb.mk për situatën në fjalë, gazetari i Portalb.mk ishte në terren për t’i vërtetuar reagimet e qytetarëve të revoltuar nga mospastrimi i mbeturinave. Nga ajo që kemi verifikuar është se pos vendeve joformale që qytetarët e pandërgjegjshëm i kanë hedhur mbeturinat edhe koshat e plehrave nuk janë të pastruara, ose në disa raste koshat e plehrave janë pastruar, por mbeturinat për rreth janë lënë nga autoritetet komunale të cilat paguhen për ta mirëmbajtur pastërtinë e qytetit.

This slideshow requires JavaScript.

“Na u nxu fryma, jemi në mes të verës dhe temperaturat janë të larta, nuk guxojmë t’i hapim dritaret se era e keqe na shkatërroi”, tha njëri prej banorëve në zonën e Postës së vjetër.

Një prej banorëve të Rrugës 113, tha se kjo është një katastrofë e madhe, dy vjet nuk kemi ardhur në vendlindje dhe një javë që jemi këtu detyrohemi të dëgjojmë erëra të këqija dhe pamje të tmerrshme, natën shoh njerëz të cilët vijnë me kamionë dhe hedhin mbeturina.

Gjatë kohës që gazetari i Portalb.mk ishte në terren, gjegjësisht duke fotografuar mbeturinat në rrugën e Ilindenit, një prej banoreve tha: “Shumë mirë që i fotografoni, nxirrni në të gjitha televizionet”.

Portalb.mk, ka siguruar edhe video nga gjendja në terren:

Nga Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) thonë se mbeturinat do të pastrohen nesër

Edhe pse disa ditë me radhë banorët e Tetovës po e durojnë erën e keqe të bërllokut, ata do të duhet që edhe sot “t’i mbyllin hundët”, derisa ashtu siç premtuan nga NPK Tetova, do t’i pastrojnë gjatë ditës së nesërme.

“Kjo dukuri ndodh për tre arsye: Për shkak të numrit të madh të mërgimtarëve, 4-5 komuna përreth Tetovës nuk grumbullojnë mbeturinat dhe të njëjtat sillen në Tetovë, si dhe një ditë kanë pasur një kamion me defekte, port ë njëjtin e kanë rregulluar”, arsyetohen nga NPK-ja, të cilët shtojnë se qytetarët me reagimet e tyre kanë plotësisht të drejtë.

“Ne mbrëmë kemi punuar gjithë natën me intensitet të plotë dhe prej nesër çdo gjë do të rregullohet”, thanë nga kabineti i drejtorit të NPK-së.

Por, kjo nuk është hera e parë që në qytetin e Tetovës mbeturinat grumbullohen në forma të tilla, Portalb.mk muajin e kaluara raportoi për grumbullimin e mbeturinave në zonën rreth Postës së vjetër, ku të njëjtat më pas u pastruan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button