Koha e lirë dhe pushimi: vështrim sociologjik (II)

Koha e lirë si praktikë ka ekzistuar qysh nga antikiteti; Aristoteli ka pohuar se duhet të ekzistojnë dy agora. E poshtmja, ku bëhet tregtia dhe puna, dhe e sipërmja shërben vetëm për të shfrytëzuar kohën e lirë (Politika, 1331, 13). Por termi pushim (vacation) në kuptimin që ka sot është zhvilluar në shekullin XIX në kuptimin e “një periudhe të kaluar larg shtëpisë ose biznesit, në udhëtim ose rekreim”. Në të kaluarën   pushimi ka qenë punë e njerëzve të pasur, e elitarëve, ka qenë shenjë privilegji, kurse me kalimin e kohës ai është shndërruar në institucion të klasës së mesme, si kohë për vetëpërmirësim fizik, mental dhe shpirtëror.

Në Greqinë antike koha e lirë ka pasur të bëjë me varësinë nga shkenca, arti, atletika, filozofia dhe mendimi i thellë, kurse në Romë ka pasur statusin e një vegle politike përmes të cilës Perandori i ka bërë të pavdekshme normat e veta duke i zbavitur dhe rehatuar qytetarët e vet. Në Periudhën e Mesjetës kisha mori një vendim kufizues ndaj veprimtarive rekreative; Theodosi i I-rë i pati ndaluar lojërat olimpike me pretekstin se kanë karakter pagan. Atëbotë në epiendër të udhëtimeve ishin pelegrinazhet, apo vizitat e vendeve të shenjta. Treni i viteve 1830 ka qenë një agjent i rëndësishëm në mobilitetin e sërishëm të njerëzve. Benjamin Hunnicutt (Hunnicutt, 1980) thotë se koha e lirë më së tepërmi është aktualizuar kah mesi i shek. XIX kur u shfaqën vendimet e gjykatave për kufizim të orarit të punës në tetë orë për të gjithë punëtorët në vende të rrezikshme të punës, që u mbështet nga ekspertë shkencorë si Frederickson Taylor. Mes viteve 1901 dhe 1921, në vendet e industrializuara ka ndodhur zbritja e orëve javore të punës nga 58.4 në 48.4. Standardi 48 orë është aprovuar në Konferencën Ndërkombëtare të Punëtorëve të Gjenevës të vitit 1924, ku u theksua se për përmbushjen e nevojave shëndetësore, familjare dhe kulturore punëtorët kanë nevojë për më tepër kohë të lirë. (Kraus, 1998: 211). Sipas Grazia-s (1962) në vitin 1860 mesatarja e orëve të punës në të gjithë ka qenë 69.7 orë për javë, në vitin 1890, 61.7, kurse më 1910, 54.9 (orë pune).

Pas Luftës së Dytë Botërore veturat ishin gjithnjë e më të arritshme për amerikanët, të cilët tani kishin para edhe për gjëra jashtë veshmbathjes dhe shtëpisë.  Cindy Aron në veprën e saj “Working at play: A history of vacations in the United States”, thekson se koncepti i pushimeve në SHBA lidhet me kampingjet metodiste në Delaware dhe në Vreshtat e Martha-s që kanë shërbyer si resorte fetare. (NPR, 2009) Amerikanët nuk kanë shkuar në pushim deri në Luftën Civile, kurse sot koncepti i pushimit është shumë i përhapur në mesin e tyre. Mbi 60 % e amerikanëve kanë shkur në pushime në vitin 2017, madje edhe më tepër kanë raportuar se kanë qenë në pushim 3 vitet e fundi. Reklama marramendëse dhe filma bëhen për pushimin dhe ideja për një udhëtim epik në jetë shihet si një gjë natyrale, e arritshme, jo si një ëndërr apo iluzion.

Sipas një hulumtimi të Momondo-s (2016) të realizuar në 20 shtete, populli që më së shumti del në pushim janë zviceranët. Për raste përvjetori (si martesa) dalin 42 %-shi i zviceranëve, vijojnë anglezët dhe turqit. Për t’u shplodhur nga një periudhë e ngarkuar sërish më së tepërmi në pushim dalin zviceranët (38%), pastaj turqit (36%) dhe anglezët (30%). Sot turizmi është shndërruar në industri të fuqishme, në një domen të rëndësishëm të ekonomisë për shumë vende të botës si Italia, Franca, Spanja, Greqia, Turqia etj.

Turizmi apo pushimi ndihmon në njohjen mes popujve, në ndërtimin e paqes dhe mirëkuptimit, sjell në kontakt direkt njerëz me sfonde dhe mënyra të ndryshme të jetesës, me të ardhura të niveleve të ndryshme. Sipas Eliot-it (1974) njeriu që del në pushime është i kërkuari për paratë dhe konsumin që bën, një njeri pa dije për kulturën pritëse.

Në kushtet e sodit, pushimi thuajse është bërë i pashmangshëm. Hiperdinamizmi i jetës e shndërron njeriun në një qenie të stërngarkuar, të stresuar, që mezi që pret të shkëputet nga mjedisi i punës. Kjo në rregull, por dimensioni tjetër është i çuditshëm: publicizimi i pushimit. Nëse hapni rrjetet sociale dhe statuset në platformat digjitale do vëreni fotografi të pushimit ku ekpozohet trupi, rrobat, plazhet, pishinat, hotelet, ushqimet, pijet etj. Gjithçka është transparente, asgjë nuk i lihet imagjinatës. Zanzibar, Hurghada, Antalia, Ksamili, Makarska janë disa nga pikat prej ku lançohen fotografitë që ndjellin pasionin e atyre që janë në shtëpi. Kultura e panekspozimit është bërë trend i shtresës dhe rinisë që ka mundësi të bëjë atraksione dhe që sfidon pjesën tjetër që përballet me probleme ekzistenciale.

S’duhet harruar as përmasat pozitive të pushimit. Sipas një hulumtimi, 86 % i njerëzve që udhëtojnë kanë pikëpamje më pozitive. 63 % i çifteve besojnë se pushimi e forcon lidhjen familjare. Vetëm planifikimi i pushimit e fuqizon lumturinë deri në tetë java para udhëtimit. Departamenti i Arizonës i Shëndetit dhe i Shërbimeve Humane ka gjetur se gratë që dalin në pushim janë shumë më të kënaqura nga martesa e tyre. (Isham, 2021)

Të përfundojmë se pushimi paraqet një segment të rëndësishëm të ritmit të jetesës së njeriut modern, të epokës hiperdinamike. Ai ndërlidhet me shumë sektorë shoqërorë, duke ndihmuar ekonominë dhe gjendjen psikologjike të individëve. Ai nuk çështje dukjeje ose krekosjeje, është nevojë për një pjesë të njerëzve, një risi që dita ditës bën për vete kategoritë e ndryshme shoqërore, që disa i bën të ndjehen më në formë dhe më në kondicion për të nisur periudhën e re të vitit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button