fbpx

RMV, joefikasiteti i politikave komunale, arsye kryesore që tre iniciativa qytetare garojnë për këshillin komunal

Në zgjedhjet lokale të Maqedonisë së Veriut në tetor, risi janë tre iniciativa qytetare të përbërë nga aktivistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Ata do të garojnë për këshillin komunal në tre qytetet më të mëdha të vendit, në Shkup, Tetovë dhe Manastir. Аta thonë se funksionimi jo i mirë i politikave komunale, është arsyeja kryesore e iniciativave qytetare për t’u futur në këshill, shkruan Portalb.mk.

“Zelen Human Grad” (Qyteti i Gjelbërt Human), “Më mirë për Tetovën”  dhe“Poinaku”(Përndryshe) janë emrat e tre iniciativave qytetare të cilat në zgjedhjet komunale të tetorit do t’i futen garës për këshillin komunal në Shkup, Tetovë dhe Manastir.

Qëllimi i këtyre iniciativave është transformimi i plotë institucional që do të mundësojë mbikëqyrje dhe kontroll të vazhdueshëm qytetar mbi procesin e vendimmarrjes dhe në administratën lokale. Sipas tyre modeli aktual ka përjashtuar plotësisht qytetarët dhe për këtë arsye rezultatet për interesin publik janë vazhdimisht nën-optimalen.

Zelen Human Grad garon në këshillin komunal të kryeqytetit

Zelen Human Grad

Kjo iniciativë është e përbërë nga mbi 25 organizata dhe individë. Qëllimi i tyre është që këshilli i qytetit të përfshijë aktivistë, ekspertë dhe qytetarë që dëgjojnë zërin e qytetarëve, dhe në të njëjtën kohë të përpiqen për një qytet më të bukur, më të gjelbër dhe më njerëzor.

Kjo nismë javën e kaluar e shpalli zyrtarisht kandidaturën për zgjedhjet lokale 2021 me një listë të pavarur të udhëhequr nga këshilltarja Dragana Velkovska dhe eko-aktivisti Gorjan Jovanovski,

“Më mirë për Tetovën” në garë për Tetovën

Më mirë për Tetovën

Nën sloganin “Më mirë për Tetovën” aktivistë dhe profesionistë të fushave të ndryshme do të garojnë për këshillin komunal në komunën e Tetovës. Pjesë e kësaj nisme janëElmedina Abdullahi, Hamdi Sulemani, Merita Maksuti, Blendi Hodai, Blerta Ahmedi, Ngadhnjim Mehmeti etj.

Kjo iniciativë javën e kaluar e shpalosi përpara publikut listën e pavarur të këshilltarëve për zgjedhjet e tetorit, ku ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve që ja duan të mirën Tetovës, t’u bashkëngjiten.

Për herë të dytë “Poinaku” garon për Manastirin

Poinaku

“Poinaku” është iniciativa qytetare e cila do të garoj në këshillin komunal për komunën e Manastirit.  Kjo iniciativë garon për herë të dytë për këshillin komunal në Manastir, sipas iniciatorëve arsyeja që do të futen në garë përsëri vazhdon të mbetet e njejtë, t’i shpërtojnë banorët e Manastirit nga udhëheqja partiake në 30 vitet e fundit.

Lista e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Komunal përbëhet nga qytetarë me profesione, arsim dhe etni të ndryshme.

Funksionimi jo i mirë i politikave komunale, arsyeja kryesore e iniciativave qytetare për t’u futur në këshillin komunal

Nga “Më mire për Tetovën” thonë se e duan më të mirën për Tetovën, prandaj janë bërë bashkë, të detyruar të aktivizohen për shkak të degradimit të situatës në të cilën gjendet komuna e Tetovës.

Arsyeja kryesore që  “Zelen Human Grad”  do të futet në garë për këshillin komunal është mënyra e katastrofale e organizimit dhe funksionimit të partive politike.

“Ne duam të bashkojmë organizatat e shoqërisë civile për t’i dhënë atyre fuqinë për të kundërshtuar modelin partiak të veprimit politik dhe për ta zëvendësuar atë në plan afatgjatë”, thanë nga Zelen Human Grad.

“Poinaku” beson se komuna duhet të udhëhiqet sipas nevojave dhe përparësive të qytetarëve, dhe jo sipas axhendave të partive.

Çfarë do të ofrojnë këto incicativa për qytetarët?

Shtyllat kryesore ku “Zelen Human Grad” do të fokusohet janë lëvizja urbane,  drejtësia sociale, mjedisi i pastër, zhvillimi i qëndrueshëm, efikasiteti i energjisë dhe mbrojtja e kafshëve. Nga kjo iniciativë thonë se ajo që i bashkon në një kornizë më të gjerë ideologjike është  përkushtimi ndaj sovranitetit lokal, dhe se qytetarët e Shkupit duhet të marrin vendime për qytetin e tyre.

Nga “Më mirë për Tetovën” thonë se duke mos pasur pushtet ekzekutiv, misioni i tyre  do të jetë parandalimi i projektit për degradimin e Tetovës. Andaj, kjo iniciativë do të  fokusohet në tre pika: Llogaridhënie dhe transparence, ambient i pastër dhe hapësira të gjelbërta  si dhe qytet me plan, zhvillim me planifikim të qëndrueshëm.

Nga “Poinaku” thonë që incicativa e tyre do të jetë faktor kryesor në këshillin e ardhshëm komunal, ku nuk do të marren më vendime bazuar në drejtimin e partisë, por në përputhje me nevojat dhe interesat e qytetarëve .

“Misioni ynë është që nevojat dhe problemet e përditshme të qytetarëve t’i bëjmë prioritet të vetëqeverisjes lokale. Të jetë transparente, e arritshme, në solidaritet dhe i përgjegjshëm ndaj çdo qytetari, dhe jo vetëm ndaj atyre mbështetësve që janë në pushtet”, thanë nga “Poinaku”.

“Sektori civil, zgjidhja më e mirë për qytetarët”

Nga këto iniciativa thonë se partitë politike zakonisht përfaqësojnë grupet e biznes-interesit. Andaj zgjidhja më e mirë në dobi të qytetarëve mund të arrihet nëpërmjet sektorit civil.

Nga Zelen Human Grad thonë se ato tashmë bëjnë shumë gjëra ndryshe nga politikanët. Ku punojnë mbi baza vullnetare dhe pa ndonjë mbështetje financiare nga askush.

“Në këshill, këshilltarët tanë nuk do të përfaqësonin vetëm bindjet e tyre ose të votojnë me urdhër, por do t’i transmetojnë drejtpërdrejt vendimet e marra nga platforma MojGrad”, thanë nga Zelen Human Grad.

“Parti ka plot, por fatkeqësisht numri i tyre nuk e përmirësoi as ndopak gjendjen e qytetarëve. E pamë të arsyeshme që presionin tani ta bëjmë duke qenë edhe brenda institucioneve, si korrektor i pushtetit lokal. Sektorin civil ne e shohim si mundësi për të përmirësuar gabimet e politikës në favor të qytetareve, e jo si trampolinë për të hy në politikë”, thane nga “Më mire për Tetovën”.

“Në 4 vitet e fundit ne kemi treguar se detyrimi ynë është jeta e përditshme në Manastir. Ne e dimë se cilat janë problemet, por gjithashtu se kemi zgjidhje për to, sepse zgjedhjet nuk duhet të vijnë në mënyrë që diçka duhet të punohet, por problemet duhet  të zgjidhen në mënyrë të vazhdueshme dhe pa presion, sepse kjo është përgjegjësia e vetëqeverisjes lokale. Është koha që problemet tona të zvogëlohen, dhe qyteti të marrë shkëlqimin e duhur”, theksuan nga “Poinaku”.

Listat për këshilltarë në këto inicativa janë ende të hapura

Nga Zelen Human Grad thanë se lista e këshilltarëve është një tjetër ndryshim kryesor nga qasja aktuale e partive politike. Gjysma e kandidatëve për këtë iniciativë është zgjedhur, kurse gjysma tjetër do të zgjidhet përmes platformës MojGrad.

Bashkëngjitja te iniciativa e Zelen Human Grad #MojGrad bëhet përmes uebfaqes https://mojgrad.mk/ 

Te “Më mirë për Tetovën”, përzgjedhja e këshilltarëve do të bëhet në bazë të etikës dhe përvojës profesionale se kush mund të jep më të mirën për tu përfaqësuar në Këshillin komunal, duke pasur në fokus tre pikat kryesore. Nga kjo nismë thonë se çdo ditë u bashkëngjiten anëtarë të rinj, me vizione të reja për Tetovën.

Bashkëngjitja te iniciativa #MëMirëPërTetovën bëhet përmes uebfaqes  https://www.pertetoven.org/

Lista e “Poinaku” formohet çdo ditë, për disa vite. Listën te ne e bëjnë qytetarët nëpër takime në rrugët e Manastirit, në vendet e punës, në dyqanet përtej pazarit, në shëtitje në park etj.

Bashkëngjitja te iniciativa “Poinaku” bëhet përmes faqes së fejsbukut https://www.facebook.com/poinakubitola

“Ky është një zbatim praktik i konceptit të demokracisë së drejtpërdrejtë që ne kemi promovuar që nga fillimi, dhe i cili bazohet në transparencën e plotë në çdo moment të procesit”, theksuan nga Zelen Human Grad.

Zgjedhjet lokale të këtij viti do të mbahen në gjysmën e dytë të tetorit. Disa parti i kanë bërë publike emrat e kandidatëve, dhe disa të tjera janë dakorduar se do të bëjnë koalicione në rrethin e parë dhe të dytë. Ndryshe, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) e zgjodhi kompaninë gjermane Dermalog në tenderin për furnizim të pajisjes teknike për zbatim të zgjedhjeve lokale me shenja nga gishti.

LEXO: “Zelen Human Grad” me listë të pavarur zgjedhjet lokale në Shkup

LEXO: Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën” me listë të pavarur për zgjedhjet lokale në RMV, synon transparencë dhe llogaridhënie nga Komuna (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button