Fillon sfida e ri-integrimit në Kosovë pas kthimit të 11 personave nga Siria

Autoritetet në Kosovë njoftuan sot se shtatë nga 11 të kthyerit nga Siria në Kosovë të shtunën, po mbahen në ndalim policor prej 48 orësh ndërsa pritet të paraqiten para gjykatës “sipas afateve ligjore”, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njëherësh bashkërendues kombëtar për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, tha në një konferencë për media se rehabilitimi dhe ri-integrimi i të kthyerve nga Siria është sfidë e madhe për institucionet e vendit.

“Tash fillon puna e madhe me ri-integrimin e shtetasve tanë të kthyer në Kosovë, do të na duhet angazhim shumë dimensional, jo vetëm i institucioneve të sigurisë por edhe i atyre të mjekësisë, arsimit e të gjitha instrumenteve shtetërore në mënyrë që këta persona sa më mirë të integrohen në shoqëri, normalisht ata të cilët kanë kryer krime edhe të sillen para drejtësisë”, tha Sveçla.

Në mesin e 11 të kthyerve nga zonat e konfliktit në Siri, janë gjashtë burra, një grua dhe katër fëmijë, ndërsa kthimi i tyre sipas autoriteteve në Kosovë u bë me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Ambasada amerikane në Prishtinë, tha të shtunën se kthimi i këtyre shtetasve “dëshmon vullnetin e Kosovës që të marrë përgjegjësi për shtetasit e saj, teksa vendos shembull edhe për të tjerët”.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se tash për tash nuk ka numër të saktë të shtetasve të Kosovës që ndodhen ende në zona të konfliktit.

“Deri më tani janë kthyer nga zonat e konfliktit gjithsej 253 persona, prej të cilëve 130 burra, 39 gra dhe 84 fëmijë. Aktualisht është edhe një numër i shtetasve të Kosovës që qëndrojnë atje, ky numër natyrisht që duhet të përpunohet dhe ne jemi duke punuar intensivisht në identifikimin e tyre, por nuk është lehtë aktualisht të jipet numër i saktë i tyre”, tha ai.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa qindra janë kthyer nëpër vite prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.

 

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button