fbpx

Bashar al-Assad nisi mandatin e katërt si president i Sirisë

Lideri i kahmotshëm i Sirisë, Bashar al-Assad është betuar si president për të nisur mandatin e katërt shtatë vjeçar në Siri. Kjo vjen pas zgjedhjeve të muajit maj që nga opozita u cilësuan si të manipuluara, REL.

Assadi sot u bëri thirrje sirianëve të kthehen në atdheun e tyre dhe i falenderoi personat që votuan për të.

“Ju vërtetuat me vetëdijen tuaj dhe lidhjen atdhetare që njerëzit nuk bëjnë kompromis me vendosmërinë e tyre për të mbrojtur të drejtat e tyre, pa marrë parasysh truqet e kolonialistëve”, tha ai.

Bazuar në rezultatet zyrtare të kundërshtuara, Assadi fitoi 95.1 për qind të votave në zgjedhjet e 26 majit, që u mbajtën në pjesën e shtetit të kontrolluar nga qeveria.

Siria është e kapluar nga një luftë civile që nga viti 2011 dhe gati gjysma e popullsisë të para luftës është zhvendosur ose ka ikur jashtë vendit. Gati gjysmë milionë njerëz janë vrarë dhe dhjetëra mijëra janë të zhdukur.

Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara, 80 për qind e popullatës jeton në varfëri. Inflacioni është I pandalshëm dhe valuta zyrtare e shtetit është duke pësuar rënie të thellë.

Edhe pse luftimet janë pakësuar në muajt e fundit, rreth 40 për qind të vendit mbetet jashtë kontrollit qeveritar. Forca të huaja dhe forcat e mbështetura nga jashtë janë aktivë brenda kufijve të Sirisë.

Qeveria e Assadit është e mbështetur nga Rusia dhe Irani, të dy këto shtete që kanë dërguar forca ushtarake dhe ndihma të tjera për të gjatë konfliktit.

Assadi ka udhëhequr Sirinë nga viti 2000, pas vdekjes së babait të tij që e mori pushtetin përmes një grushteti në vitin 1970.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button