Komisioni për Antikorrupsion kërkon nga Pendarovski të mos e nënshkruajë dekretin për Ligjin për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10

Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, Biljana Ivanovska deklaroi sot se, Ligjin për Përcaktimin e Interesit Publik dhe Emërimin e Partnerit Strategjik për Zbatimin e Projektit për Ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10, i cili u miratua dje në Kuvend me procedurë të shkurtuar, paraqet rrezik të lartë të korrupsionit dhe është në kundërshtim me Kushtetutën, shkruan Portalb.mk.

Ivanovska, e cila në konferencën e sotme paraqiti mendimin e Komisionit për Antiokorrupsion, tha se vërejtjet që i kanë konstatuar pas kontrollit që i kanë bërë pasi u miratua në komisionin amë, kishin për qëllim që t’ia dorëzojnë kryeparlamentarit, por meqë ligji është miratuar në Kuvend, do t’ia dërgojnë presidentit.

“Pas miratimit të propozim ligjit nga ana e komisionit për financa dhe buxhet të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit doli me qëndrim të vet dhe vuri në dukje rreziqet e larta të korrupsionit të cilat janë në këtë propozim ligj. Komisioni ka kryer kontroll të antikorrupsionit të këtij ligji dhe kemi përgatitur mendim, të cilin kishim për qëllim që sot, pas përfundimit të kësaj pres konference, t’ia dorëzojmë kryetarit të Kuvendit. Por, duke pasur parasysh se ky ligj u miratua dje me procedurë më të shkurtër, vërejtjet tona do t’ia dërgojmë presidentit të shtetit”, deklaroi Ivanovska.

Në mendimin e Antiokorrupsionit thuhet se, Ligji për përcaktimin e interesit publik dhe për nominimin e partnerit strategjik për implementimin e infrastrukturës të Korridorit 8 dhe 10 në Republikën e Maqedonisë së Veriut me procedurë të shkurtuar, si tërësi paraqet faktor të lartë të rrezikut për korrupsion dhe konflikt të interesit.

“Ky ligj si ligj i posaçëm, në thelb e suspendon sistemin juridik në shtet, duke përjashtuar zbatimin e ligjeve të tjera në tërësi apo pjesërisht. Përkatësisht, ky ligj do të zbatohet pavarësisht ligjeve të tjera të zbatueshme, edhe atë në të gjitha çështjet e rregulluara në të njëjtin. Suspendimit, përkatësisht përjashtimi i ligjeve të tjera siç qëndron në vet ligjin të cilat paraqesin të drejtë pozitive të Maqedonisë së Veriut, paraqesin precedent ligjor legjislativ, me të cilin  rrezikohet seriozisht sundimi i së drejtës si një ndër të drejtat themelore të përcaktuara në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, si dhe siguria juridike si parakusht për përparim ekonomik dhe zhvillim”, deklaroi Ivanovska.

Ajo shtoi se, një precedent i këtillë ligjor legjislativ në asnjë rast nuk është dhe nuk mund të trajtohet si interes publik, në thelb të së cilit është mbrojtja e sundimit të së drejtës, liria e tregut dhe ndërmarrësisë dhe parandalimit të krimit dhe korrupsionit.

“Suspendimi i të drejtës pozitive, shkelja e vlerave themelore të përcaktuara në Kushtetutë, mundëson arbitraritet, diskrecion, mundësi për keqpërdorim të funksionit të autorizimit publik, pozitës zyrtare apo pozitë për realizimin e interesit në mënyrë direkte apo nëpërmjet ndërmjetësuesit për vete apo për dikë tjetër, me një fjalë rrugë të hapur për veprimtari korruptive por dhe situata të mundshme për konflikt të interesave si holl për korrupsionin, ndërsa me gjithë këtë edhe krijimin e rreziqeve reale për thellimin e problemeve me korrupsionin si dhe, sulm të drejtëpërdrejt ndaj të gjitha masave dhe aktiviteteve që ndërmerren për shtypjen e të keqes së theksuar. Me miratimin e këtij ligji shkelet e drejta e garantuar me Kushtetutë e tregut dhe ndërmarrësisë dhe obligimi i republikës që të sigurojë pozitë të barabartë juridike për të gjithë subjektet në treg dhe është në kundërshtim të drejtpërdrejt edhe me obligimin e shtetit që të ndërmerr masa kundër pozitës së monopolit dhe sjelljes së monopolit në treg. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me miratimin e këtij ligji, vepron në kundërshtim me dispozitën kushtetuese e cila përcakton se në cilin rast mund të kufizohet me lirinë ligjore të theksuar”, tha ajo.

Antikorrupsioni vlerëson se, gjithashtu në ligj ka zbrazëtira ligjore të cilat lënë hapësirë të hapur për subjektivizëm, arbitraritet, ndikim politik, diskrecion gjatë konstituimit të komitetit për negociata, ndërsa në llogari të profesionalitetit, kompetencës dhe profesionalizmit.

“Nga arsyeja se mungon rregullim, përcaktim preciz kush do të jetë anëtarë dhe me çfarë profili profesional do të jenë anëtarët e komitetit, përdorimi i terminit dhe palët e interesuara adekuate është vërtetim për të lartëpërmendurën. Ky komitet është faktor kyç për vërtetimin e kushteve për marrëveshjen për ndërtim me partnerin strategjik dhe është e palejueshme në aspektin e dispozitave ligjore për parandalim të korrupsionit dhe konflikit të interesave të lihet një paqartësi e tillë, zbrazëtirë ligjore në raport me Kushtetutën, kualifikimet dhe bagazhi profesionist i anëtarëve”, deklaroi kryetarja e Antikorrupsionit.

Ivanovska tha se, do t’i shfrytëzojnë të gjitha instrumentet për të parandaluar që të kalojë ky ligj. Fillimisht, do të kërkojnë nga presidenti, Stevo Pendarovski që të mos e nënshkruaj, ndërsa nëse presidenti e nënshkruar, atëherë ligjin do ta dërgojnë te Gjykata Kushtetuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button