Kryetari i Penales: Qytetarët vet na ofrojnë ryshfet, për atë edhe mediat janë fajtore me tituj se gjyqtarët janë të korruptuar

Kryetari i Gjykatës Penale të Shkupit, Ivan Xholev i akuzoi mediat se edhe ata kanë faj për perceptimin e qytetarëve se gjyqësori është i korruptuar, me atë që vazhdimisht shkruajnë se gjyqtarët janë të korruptuar, njofton Portalb.mk.

“Unë vlerësoj se qytetarët janë të korruptuar dhe askush nuk shkruan për atë. Personalisht më vijnë që t’ua mbaroj lëndët, hapur paraqiten me qëllim që të japin bakshish ose ryshfet, jo vetëm tek unë, por edhe te kolegët tjerë. Unë ju them ‘hajt ju lutem!’ Vlerësoj se për atë janë fajtor edhe mediat, shkruajnë vazhdimisht se gjyqtarët janë të korruptuar. Praktikisht i ushqejnë qytetarët me informata të tilla dhe i mësojnë se në këtë mënyrë duhet ta fitojnë drejtësinë para gjykatës”, i kritikoi kryetari Xholev mediat në debatin e sotëm të organizuar nga Komisioni për Antikorrupsion në Gjyqësor.

Në debat edhe gjyqtari Vlladimir Tufegxhiq nga Gjykata Penale e Shkupit tha se problem i madh për gjykatën dhe veçanërisht për gjyqësorin është se lëndët më të mëdha korruptive të cilat ishin para aktgjykimit, u kthyen nga fillimi për shkak të pensionimit të një anëtari të porotës. Propozoi që të miratohen ndryshime ligjore të që anëtarëve t’u vazhdohet mandati derisa të mbarojë procesi gjyqësor me interes të lartë publik, propozoi edhe zgjidhje tjera dhe krahasime me vende tjera.

Për dallim prej tij, Xholev kërkoi që gjyqësori të lavdërohet.

“Pse nuk lavdërohemi për atë se sa lëndë kemi mbaruar? Gjatë pandemisë në Greqi gjithçka ishte e mbyllur, nuk kishte gjykime. Këtu jo vetëm që kishte, por Gjykata Penale e tejkaloi numrin e zgjidhjeve të lëndëve në krahasim me vitin e kaluar. Ku janë mediat të na lavdërojnë?”, sërish i përmendi mediat kryetari i Gjykatës Penale, transmeton SDK.

Mediat në periudhën e kaluar shkruan se burgjet janë të mbushur me qytetarë të cilët nuk kanë para dhe fuqi t’i zvarrisin dhe t’i kthejnë gjykimet nga e para, ose t’i vjetërsojnë tërësisht. Rreth 2.000 persona të dënuar presin që të lirohet krevat në burgje, që t’i mbajnë dënimet. Në mesin e tyre nuk ka funksionarë të dënuar, të cilët ishin përpara fjalëve përfundimtare dhe aktgjykimit, dhe të cilët u kthyen nga e para pasi që një anëtarë i porotës u pensionua.

Për shkak të ndryshimit të porotës, gjykimet për “Titanik” me 20 të akuzuar në krye me ish kryeministrin Nikolla Gruevski dhe funksionarë të tjerë të VMRO-DPMNE-së, Martin Protogjer, Ilija Dimovski, Kiril Bozhinovski, Biljana Brishkovska dhe të tjerë, pastaj “Tenderët” me Elizabeta Kançeska Milevska, “Talir 1” dhe “Talir 2” me Gruevskin dhe një pjesë tjetër të funksionarëve partiak, u kthyen nga e para.

Në raportin më të ri të gjendjes së të drejtave të njeriut të Stejt Departamentit Amerikan për Maqedoninë e Veriut, i cili u publikua në 31 mars, theksohet se papërshtatshmëria gjyqësore, trysnia e tepruar nda gjyqtarëve, drejtësia e anuluar dhe financimi jopërkatës i gjyqësorit dhe prokurorisë edhe më tej e pengojnë efikasitetin e gjykatave dhe se ajo ndikon ndaj besimit publik në gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button