Predan: Presidenca sllovene me BE-në do të bëjë gjithçka që të zgjidhet çështja mes Shkupit dhe Sofjes, por nuk mund të premtojmë mrekulli politike

Presidenca sllovene me BE-në është shumë e motivuar që ta zgjidh çështjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Veç më kemi komunikim intensiv mes presidencës sonë me Sofjen, me Brukselin dhe me vendet anëtare të BE-së. Do të doja të kemi pasqyrë të qartë sa më shpejtë të jetë e mundur dhe nuk do të doja të presim deri në dhjetor, por nëse është e mundur ta zgjidhim më herët këtë çështje. Këtë sot e ka deklaruar ambasadori slloven në vend, Milan Predan, duke prezantuar prioritetet e presidencës sllovene me Bashkimin Evropian të seancës së përbashkët të Këshillit Nacional për eurointegrime dhe të Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvend, transmeton Portalb.mk.

Predan paralajmëroi se njëra ndër prioritetet më të rëndësishme të presidencës së Sllovenisë, do të jetë zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ajo do të jetë shumë lartë në agjendën tonë. Ngjarja jonë kryesore e nivelit të lartë që planifikojmë ta bëjmë do të jetë Samiti BE – Ballkani Perëndimor, në Bërdo më 6 tetor dhe sinqerisht shpresoj se atëherë veç më do të kemi, nëse jo vendim, të paktën një perspektivë të qartë, përkatësisht pikëpamje të qartë si të zgjidhet çështja mes Sofjes dhe Shkupit”, theksoi Predan.

Ambasadori tha se, Sllovenia pas tentimeve të dy presidencave paraprake, në Gjermani dhe në Portugali, do të bëjë tentim të tretë që të zgjidhet çështja mes Shkupi dhe Sofjes, duke perceptuar situatën politike në fqinjësi dhe duke shpresuar se Sofja së shpejti do të formojë Qeveri të re.

Duke komentuar propozimin portugez, ai tha se është propozim i balancuar mirë që kujdeset për të dyja palët dhe se në zgjidhjen e kësaj çështje ana e mirë është se nuk fillohet nga zero.

“Kuptojmë se ky propozim është bërë me qëllim që të marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave në qershor, por mendoj se ky dokument do të mund të jetë baza për gjetjen e zgjidhjes së mundshme dhe të mençur. Na duhet vullnet politike dhe pragmatizëm nga të dyja anët. Siç thash, veç më punojmë në atë. Nuk mund të premtojmë, veç më tash, nuk mund të premtojmë mrekulli politike sepse në politikën ndërkombëtare atë që mund ta premtojmë është punë e vështirë, diplomaci e qetë”, tha ai.

Euroambasadori, David Geer theksoi se, e kuptojnë zhgënjimin e qytetarëve në muajt e kaluar, për shkak të mos hapjes së negociatave për anëtarësim.

“Ne ju mbështesim dhe ju inkurajojmë. Bashkimi Evropian është këtu për Maqedoninë e Veriut, ishte edhe gjatë kohës së pandemisë dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë në të gjitha mënyrat e mundshme edhe në aspektin ekonomik edhe në atë të investimeve”, tha Geer.

Euroambasadori i përshëndeti përpjekjet e presidencave paraprake në raport me hapjen e negociatave, me çka do ta mbështesin edhe Slloveninë që sa më shpejtë të vjen deri te vendimi.

“Perspektiva evropiane për Maqedoninë e Veriut nuk është vënë në pikëpyetje. Të gjithë liderët e vendeve anëtare të BE-së dhe të gjitha institucionet e Unionit konfirmojnë se nuk ka alternativë tjetër për Maqedoninë e Veriut nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Të gjithë së bashku duhet të punojmë që t’i zgjidhim çështjet e hapura dhe t’i fillojmë negociatat sa më shpejtë të jetë e mundur. Çdo hap në implementimin e reformave në lidhje me BE-në është një hap më afër Unionit. Reformat nuk janë vetëm për BE-në por janë në interes edhe të qytetarëve”, tha Geer.

Përndryshe më 22 qershor Bullgaria konfirmoi qëndrimin e saj për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut në takimin e rregullt të Këshillit për punë të përgjithshme në Luksemburg, duke mbetur e hapur për dialog konstruktiv me presidencën e ardhshme sllovene me Këshillin e BE-së në gjetjen e zgjidhjes së ndërsjellë të pranueshme. Vetoja bullgare megjithatë bllokoi të dy vendet Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në procesin eurointegrues.

Kontesti mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për çështje të historisë dhe të gjuhës maqedonase, ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi paraprakisht dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button