fbpx

Turqia pret nga Maqedonia e Veriut t’ia dorëzojë 86 persona që, sipas saj, kanë lidhje me Fetullah Gylenin

Turqia pret nga Maqedonia e Veriut që t’ia dorëzojë 86 persona, shtetas të Turqisë, të cilët janë të dyshuar për lidhje me lëvizjen e klerikut mysliman Fetullah Gylen, të cilin Ankara zyrtare e vlerëson si organizator të puçit të pasuksesshëm ushtarak pesë vite më parë, njofton Portalb.mk.

“Në katër vitet e kaluara është rritur numri i kërkesave për dëbimin dhe ekstradim deri te autoritetet në vend. Gjithsej për 86 persona kërkohet dëbimi nga vendi, për 20 prej tyre kërkohet ekstradim. Të gjithë këto kërkesa janë dorëzuar deri tek autoritetet e Maqedonisë së Veriut, por deri më tani nuk janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim”, deklaroi ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizqok në konferencën e sotme me rastin e 15 korrikut 0 Ditës së Demokracisë dhe Bashkimit Nacional në Turqi.

Ai theksoi se në pesë vitet e kaluara nga prioritetet themelore të shtetit turk ishte pamundësia e veprimit të lëvizjes së Gylenit në vend dhe jashtë vendit, të cilën Ankara e quan “Organizata Terroriste e Fetullahut” – FETO.

Në Turqi, tha Sekizqok, është e “definuar struktura e vendosjes së FETOS-s në institucionet shtetërore dhe jashtë institucioneve” dhe janë shkatërruar aktivitetet e saja, ndërkaq janë zbatuar edhe dëbime nga jashtë vendit.

“Kur jemi te Maqedonia e Veriut, strukturat e FETO-s vazhdojnë të jenë të pranishme në shtet, të fshehura prapa perdeve si institucione arsimore dhe shoqëri tregtare. Në çdo rast deri tek autoritetet e Maqedonisë së Veriut i transmetojmë kërkesat tona për pamundësimin e veprimit të strukturave të FETO-s dhe dëbimin e personave të lidhur me FETO-n. Dhënia fund e veprimeve të strukturave të FETO-s dhe dëbimi i personave të lidhur me FETO-n do të paraqet hap konkret nga aspekti i bashkëpunimit bilateral në drejtim të luftës kundër terrorizmit. E shfrytëzoj këtë rast që edhe njëherë t’i theksoj këto pritje. Me vendosmëri do të vazhdojnë veprimet e tona në drejtim të shkatërrimit të strukturave të FETO-s jashtë vendit”, tha ambasadori Sekizqok.

Ai megjithatë theksoi se marrëdhëniet Turqi – Maqedoni e Veriut bazohen në themele të forta dhe nuk varen vetëm nga një dosje.

“Ne me aktualizimin e kërkesave në lidhje me FETO-n shprehim kërkesë legjitime. Turqia gjithmonë i ndjek ëto kërkesa, pasi që ne si shtet vlerësojmë se këtu i realizojmë nevojat e procedurave juridike. Janë dërguar dosjet për personat për të cilët kërkojmë ekstradim dhe dëbim dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen që t’i dërgojmë kërkesat tona. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Maqedoninë e Veriut. Turqia do t’i dërgojë këto kërkesa jo vetëm për përfaqësuesit e FETO-s, por edhe për përfaqësuesit e organizatave tjera terroriste kundër të cilëve luftojmë. Ikja nga drejtësia nuk mund të jetë e përhershme dhe nëse nuk mundësohet që para drejtësisë të japin përgjegjësi, këto persona do ta rrezikojnë ndjenjën dhe përgjegjshmërinë ndërkombëtare në lidhje me drejtësinë”, tha ambasadori.

Në lidhje me ekstradimin e Fetullah Gylenit, i cili jeton në SHBA, Sekizqok tha se ende nuk janë plotësuar pritjet e Turqisë, por se me këmbëngulje do të vazhdojnë ta ndjekin situatën, a kjo temë gjithmonë do të aktualizohet në marrëdhëniet bilaterale me Uashingtonin.

I pyetur në lidhje me kontestin e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, ambasadori turk tha se nuk mund të komentojë për këtë temë, e cila është “jashtë kompetencave të tija”, por e përsëriti qëndrimin zyrtar të Ankarasë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë dy shtete mike dhe se beson se me qëllim të përbashkët dhe dialog diplomatik do të vijnë deri te zgjidhja.

Në puçin e pasuksesshëm në Turqi, më 15 korrik të vitit 2016-të, që sipas autoriteteve turke e ka organizuar lëvizja e Fetullah Gylenit, kanë humbur jetën 251 persona, a mbi 2.000 të tjerë janë lënduar.

Nga ana tjetër, Gylen i ka mohuar akuzat se ai ka qenë organizator i puçit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button