fbpx

KAVALLET E SHARRIT

Jeta baritore dhe blegtorale e kishte mahnitur Naim Frashërin. Ai, sipas shembullit të poemave »Bukoliket« dhe »Gjeorgjiket« të Virgjilit, e shkroi »Bagëti e Bujqësi«.

Naimi, duke i përshkruar bukuritë e natyrës, synonte ta ngjallte dashurinë e shqiptarëve për atdheun e bukur.

Në këngët baritore shqiptare, sikurse thotë Esad Mekuli, ndjehet »malli për t’pambërrijtshëmen«.

Malësori i vetmuar në gjirin e natyrës së paanë krijoi këngë që reflektojnë dhembje, mall, trishtim, krenari dhe ofshama dashurie.

Gjeniu anonim, me dhe pa instrumente, krijoi kryevepra muzikore që përjetohen thellësisht edhe kur nuk e njeh asnjë fjalë të shqipes.

Këngët popullore i mahnitën edhe muzikologët.

Kompozitori Stevan Mokranjac (1856 – 1914) ka shkruar se vendet me më shumë talent për muzikë ishin: Vranja, Tetova, Peja dhe Mitrovica.

Disa autorë kanë shkruar se këngët sllave në Tetovë ishin imitim i këngëve shqipe.

Udhëpërshkruesi bullgar, Andrej Stojanovi (1825 – 1898), në fejtonin »Shënime nga udhëtimi im në Tetovë«, i botuar në revistën »Novini« të Stambollit, më 1891/92, shkruan: »Pasi bullgarët e Pollogut i kishin humbur këngët dhe vallet e tyre, i huazuan të shqiptarëve, por me elemente turke e rome«.

Për veshjet e popullatës sllave shkruan se »shumica kishin emërtime shqipe« dhe e përmend xhubletën e njohur.

Këtë tezë e ka pranuar edhe akademiku serb, Jovan Cvijiqi (1865 – 1827), i njohur për qëndrimet e tij antishqiptare.

Kavalli është njëri nga instrumentet që ka zgjuar shumë interesim tek autorët e huaj.

Shqiptarët, krahas kavallit, e kanë përdorur edhe fyellin. Kryesisht barinjtë vetmitarë. Si relikt kohërash të lashta ka mbetur pipëza e bërë prej gjethit.

Studiuesi kroat, Dr. Ivan Krajaç, i njohur edhe si alpinisti i parë që e vizitoi Sharrin, shkruan edhe për kavallin.

Krajaçi, sipas kujtimeve të studiuesit tjetër kroat, Mirko Markoviqit, në vitin 1926 ishte ngjitur në Luboten i shoqëruar nga një shqiptar i armatosur.

Dr. Krajaçi, në shkrimin »Mali Sharr«, shkruan për natyrën e bukur, mënyrën e jetesës së njerëzve, mjetet e punës, ushqimet, por edhe për kulturën shpirtërore të barinjve të Sharrit. Ai i veçon këngët melankolike të barinjve të kënduara me kavall. Për të kavalli ishte »instrument kombëtar shqiptar«.

»Ata fillojnë ta këndojnë këngën e njohur kombëtare për Xhemë Sadrinë nën përcjelljen e një melodie të dhimbshme. Këndojnë në gjuhën shqipe për trimin e ri që ia kanë vrarë vëllain. Pasi ai hedh martinën krahëve dhe përshëndetet me motrën, premton se do të arratiset në mal dhe do të kthehet vetëm pasi të hakmerret për vëllain e vrarë ose do të vritet sikurse ai. Më pas dëgjohet një këngë shqiptare për një të ri shqiptar që vete pas vashës dhe e sjell në shtëpi. Pastaj luajnë një valle shqiptare. Këngët janë shumë interesante, kurse kënga për Xhemë Sadrinë është shumë e dhimbshme«, shkruan ai.

Ky autor u kërkonte ndihmë muzikologëve që ta jepnin mendimin e tyre nëse në këngët kombëtare shqiptare kishte elemente orientale.

»Këta njerëz primitivë, shumë të zgjuar, të kthjellët dhe krenarë e kanë të madhe edhe dhuntinë. Si autodidaktë ia kanë dalë që me instrumente primitive të krijojnë melodi shumë të bukura. Ata e ndjekin njëri – tjetrin dhe krijojnë melodi tepër emocionale, që e trazon dëgjuesin«, shkruan Krajaçi, të cilin, nën ndikimin e kësaj melodie, e kishte marrë gjumi teksa rrinte shtrirë mbi hasra, pranë vatrës.

Studiuesi tjetër kroat, Mirko Markoviqi, shkruan se kavalli gjendet vetëm në Sharr. Muzika e veçantë, sipas tij, krijohet nga dy kavallistë dhe shpesh këngët ose meloditë kombinohen me tingujt e gajdes.

»Me këtë instrument shoqërohen këngët entuziaste, me tingëllim melankolik, plot mall për një rrojtje më të mirë e më të bukur, për një botë të gjerë e të paarritshme, të mbushur me dashuri të parealizuara e të dhimbshme dhe me shumë mahnitje e vetmi malore«, shkruan ai.

Meloditë e kavallit, sipas tij, janë në harmoni me natyrën dhe vijnë si jehonë kohërash të lashta.

Kur në shtëpitë malësore vinte një mysafir i veçantë, atëherë nikoqiri, për ta nderuar atë, ftonte mjeshtërit e kavallit.

Për këtë »ritual« ka shkruar edhe Dushan Krivokapiqi, derisa flet për raportet e malësorëve me turistët. Sipas tij, shtëpitë shqiptare, ndryshe nga shtëpitë sllave, pavarësisht gjendjes sociale të njerëzve, kishin dhomë të veçantë për mikun. Pasi mikut i bëheshin të gjitha nderet, ftoheshin kavallistët për t’i argëtuar.

»Pritja e mikut është akt solemn dhe t’i kujton fjalët antike: “Mirë se erdhe i panjohur nën kulmin tonë dhe le të jetë e bekuar ardhja yte!”«, shkruan ai.

Në mendjen e malësorëve të Sharrit muzika vepron sikurse vera. Në artin e tyre ka shumë mall, dhimbje dhe trishtim. Ndjenjat shprehen edhe nëpërmjet melodisë së kavalleve, që »mall e dhembje kullojnë«, sikurse thuhet në një poezi të poetit Ramadan Sinani. Libri i parë i tij titullohet »Kavallet e Sharrit« (1990). Poezia me të njëjtin titull është kënduar nga këngëtarja Eranda Libohova.

Në këngët malësore ka elemente luftarake, por ndodh që armët përçmohen, sepse janë humbëse kundrejt forcës së dashurisë ndaj vashës.

Për muzikën me kavalle ka shkruar edhe Peter Bremze. Në vitet ‘30 të shekullit XX ka shkruar për kavallistët shqiptarë në Shkup dhe Gostivar.

Studiuesi Anthony Tammer ka shkruar një studim të gjatë për kavallin, ku e veçon familjen Ferati nga Haraçina e Shkupit, që për herë të parë e kishte vizituar në vitin 1957.

Muzika në këto vise është adhuruar që në lashtësi. Dardanët njiheshin si adhurues të pijes, valles dhe muzikës.

Kompozitori Miloje Milojeviq shkruan se në Sharr kishte parë edhe valle pa muzikë, kurse valltarët vetëm lëshonin ofshamat: duf, duf.

Për Sharrin janë kënduar shumë këngë në gjuhën shqipe dhe në gjuhët tjera. Janë krijuar edhe simfoni, poezi, piktura dhe vizatime.

(Referencat janë hequr)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button