(Sh)për’puthen ose “immorality television” (2)

“Çdo kopje është e shëmtuar” – ka thënë poeti rus A. A. Voznesenski (1933-2010). Kur jemi te “Për’puthen” kemi të bëjmë me një imitim të “The Bachelor”, “Bachelorette”, “Too hot to handle”, “Married at first sight USA” dhe të ngjashmeve me to. Ndërsa “pjesëmarrja në këtë show është kumti publik për funeralin e trupave të pa jetë të cilët e vranë dashurinë për ta varrosur vetveten!” (L. Mustafa) Ky spektakël i idiotësisë është një agresion i të pahijshmes, një “guilty pleasure” që besoj se e ndjen çdo njeri me mend në kokë. Ç’e do që në sferën publike kosmopolitane të mediatizuar gjithnjë e më tepër po na serviren neveri të tilla si bukuri, e gërditshmja si e lezetshme, trend ky që na shpie kah një ardhmëri e abyssos, e ambisit etik, kulturor, qytetërimor.

Ndërsa ne, raca njerëzore duhet të përkujdesemi, mes tjerash edhe përmes medias, për atë që quhet ardhmëri morale e qytetërimit. Roger Silverstone (2007) teoretizon potencialin e medias për të ndërtuar një hapësirë publike morale, një univers moral, flet për një përgjegjësi substantive (“Unë jam përgjegjës për veprimet e mia dhe për veprimet e të tjerëve.”) Kreatorët e “Për’puthen” në fakt shpërputhen me vlerat, me traditën, me njerëzillëkun. Kjo që bëhet ndër ne s’është zanafilla e një kursi të tillë denigrues. Dikur, para disa dekadave, në hapësirën mediale franceze qarkullonte reklama në vijim:

“Martine, 24 vjeç, një bjonde, një e papunë, ish e angazhuar në një kompani shmëkombëshe të bankrotuar. Ajo do të jetë në një ishull parajsor mu në mes të askundësisë (nowhere). Me të do të përballen 8 (për)dhunues, të ndarë në dy ekipe, të ardhur drejt nga burgu special për këtë show. A do t’ia dalë Martine t’i shmanget grupit A dhe të strehohet te ai B? Të mbijetojë? Për të mbijetuar ajo do të ketë një busull, një kanaqe të tunës dhe një prezervativ. A do të mbijetojë? “Ishulli i përdhunimit” së shpejti në M6”. Veç edhe kjo na mungon.

Sipas Jelle Mast (2016) nga Universiteti “Vrije” i Brukselit, programet e kësaj kategorie e komodifikojnë jetën e njerëzve, shkaktojnë çështje morale me ndërhyrjen e tyre në privatësinë e pjesëmarrësve, nëpërmjet manipulimit me sjelljen e “aktorëve”, gjithnjë me qëllim të nxitjes së thashethemeve, lotëve dhe dramës. Michelle Crouch nga Reader’s Digest konstaton se producentët ndryshojnë skenat e emisioneve të tyre me qëllim të ekspozimit të konfliktyeve mes individëve të ndryshëm në skenë. Aty tregtohet “sex, violence and moral complication” (seks, dhunë dhe ndërlikime morale”, ndodh ajo që Freddy Davis e ka cilësuar si “normalization of immorality” (normalizim i imoralitetit).

Mast mes tjerash thotë se show-t e tillë moralisht provokues duhet të ndalohen. Me çfarë kufizimesh etike ato e justifikojnë operimin e vet? – pyet ai. Emisionet e tilla janë një dukuri që krijojnë varësi (addicting phenomenon), janë një diçka që e çoreintojnë kompasin tonë të rrugëtimit në jetë. Po, para dhe audiencë bëjnë, por vlerat etike nuk duhet të sakrifikohen për hir të atyre komerciale.

Dhe në fund ja disa komente qytetarësh – në youtube – lidhur me atë që ndodhi para disa ditësh në Tetovë, “Për’puthen on tour”, audicion për kandidatë nga RMV: “Me vrap se iku delja nga kopeja”; “Turma njerëzish që nuk dinë ku po shkojnë”; “Ndal degjenerimit, injorancës dhe mashtrimit!”; “Agjenda e ‘degjenerim i rinisë në maksimum’ vazhdon suksesin e vet nëpër fëmijët shqiptarë,” “Atë që s’na e bënë serbët… po na e bëjnë… nga Shqipëria.”

Gjithë të përfshirëve në këtë ndarmarrje degjeneruese u shkon për shtat lutja: “Zot drejtoji, fali, se s’dinë çfarë po bëjnë!”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button