Gjashtë deputetë të Kuvendit të Serbisë e njohin pavarësinë e Kosovës dhe e përkrahin Qeverinë Kurti, paralajmëroi Qeveria e Kosovës

Gjashtë deputetë të Kuvendit të Serbisë, shqiptarë e boshnjakë kanë vizituar të mërkurën Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti. E në njoftimin që Qeveria ka dërguar për media thuhet se “gjashtë deputetë të Kuvendit të Serbisë e njohin pavarësinë e Kosovës dhe e përkrahin Qeverinë Kurti”, raporton Koha.net.

Në njoftimin e Qeverisë bëhet e ditur se në vizitë te Kurti kanë qenë Sylejman Ugljanin, kryetar i Partisë Aksioni Demokratik i Sanxhakut, Shaip Kamberi, shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”, deputetët Enis Imamoviq, Nadije Beqiri, Mirsad Hodzhiq, Argjend Bajrami dhe Selma Kuçeviq.

“…ia shprehën gjithë përkrahjen e tyre Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin që patën sot në zyrën e tij në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas njoftimit, Ugljanin ka falënderuar Kurtin për miratimin në Kuvendin e Kosovës të rezolutës që dënon gjenocidin në Srebrenicë. Ai ka thënë se “boshnjakët janë shumë mirënjohës që Kuvendi i Kosovës u rreshtua në anën e së drejtës dhe dënoi krimin më të madh në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore, kur 8000 burra e djem boshnjakë u vranë e u masakruan në një ditë nga forcat serbe të sigurisë.”

“Z. Ugljanin theksoi se deputetët e koalicionit “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak” e njohin pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Ai tha se e përkrahin kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës në angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi”, thuhet më tej në komunikatë.

Duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve ju po mbroni edhe të drejtat e boshnjakëve, ka thënë Ugljanin, sipas komunikatës, që shton se e ka vlerësuar qasjen e Qeverisë Kurti për vendosjen e reciprocitetit të të drejtave të pakicave kombëtare në Kosovë e në Serbi. Ky është ilaçi i zgjidhjes së problemeve të pakicave në Ballkan, shtoi ai.

Deputetët e kanë njoftuar Kurtin për funksionimin e organeve ekzekutive të Këshillave nacionalë, me Këshillin Nacional Boshnjak që ka 35 anëtarë dhe 7 delegatë në bordin ekzekutiv, ndërsa Asambleja e Këshillit Nacional Shqiptar i ka 15 anëtarë.

“Kryeministri Kurti tha se aktualisht gjysma e Sanxhakut ndodhet në NATO e gjysma jo, duke u bazuar në faktin që një pjesë e Sanxhakut ndodhet në Serbi e tjetra në Mal të Zi. Ai ritheksoi se Serbia duhet të distancohet nga e kaluara e përgjakshme dhe politika e Sllobodan Milosheviqit. Pa u distancuar dhe pa e bërë Serbia një introspeksion për të kaluarën e saj, nuk mund të ecet drejt të ardhmes dhe normalizimit të raporteve me Kosovën, tha kryeministri Kurti”, përfundon komunikata.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button