RMV, Ministria e Shëndetësisë deri te mediat: Mos përhapni teza të paverifikuara për efikasitetin e vaksinës “Sinovak”

Ministria e Shëndetësisë reagon ndaj disa raporteve dhe qëndrimeve të shprehura në media se vaksina kineze “Sinovak” nuk mbron nga soji “Delta” si dhe për pamje të rëndë klinike e sëmundjes së atyre që vaksinohen me këtë vaksinë, njofton Portalb.mk.

“Ky pretendim është absolutisht i pasaktë, nuk ka asnjë studim apo provë shkencore që e konfirmon këtë. U bëjmë thirrje mediave të mos vendosin teza të pa verifikuara nga individë që nuk bazohen në informacione zyrtare nga institucionet shëndetësore ndërkombëtare. Analizat dhe informacionet zyrtare të deritanishme të OBSH-së, e cila e aprovoi këtë vaksinë, deri më tani tregojnë se është 51 përqind efektive në mbrojtjen e rasteve asimptomatike dhe mbron 100 përqind nga zhvillimi i sëmundjes së rëndë”, informojnë nga Ministria e shëndetësisë.

Ata shpjegojnë se, sipas dy studimeve të fundit të OBSH-së të zhvilluara në Brazil mbi efikasitetin e vaksinës nga llojet e reja, të cilat aktualisht janë në qarkullim, është konfirmuar se sipas studimit të parë mbron 50%, ndërsa sipas studimit të dytë mbron 83%

“Meqenëse do të ketë studime dhe të dhëna të reja zyrtare mbi efikasitetin e vaksinave, Ministria e shëndetësisë do të informojë publikun. Në këto momente jashtëzakonisht të ndjeshme, kur fillon vaksinimi masiv në vendin tonë, apelojmë për përgjegjësi maksimale të të gjithë individëve dhe medieve në lidhje me vaksinimin dhe të ndajmë ekskluzivisht pikëpamjet që mbështeten nga prova shkencore dhe studime të konfirmuara”, apelojnë nga kjo ministri.

Venko Filipce
Venko Filipce

Ministri i Shëndetësisë,  Venko Filipçe deklaroi se në një periudhë kur jemi duke luftuar për të vaksinuar përqindje sa më të lartë të qytetarëve, është jashtëzakonisht e rëndësishme të ndajmë vetëm të dhëna të verifikuara dhe që kanë mbështetje shkencore në lidhje me vaksinimin.

“Ne guxojmë të lejojmë që me informacione të pa verifikuara, formulime të pasakta ose analiza të pabazuara shkencërisht të minojmë procesin e vaksinimit. Edhe një herë informoj se të gjitha vaksinat që i kemi janë të sigurta, e mbi të gjitha efikase dhe mbrojnë nga zhvillimi i simptomave të rënda të sëmundjes ose vdekjes nga të gjitha llojeve”, Venko Filipçe, në një postim në profilin e tij në Facebook .

Vaksinimi është mënyra e vetme për të mposhtur pandeminë, ka theksuar ministri.

“Në një periudhë kur jemi duke luftuar për të vaksinuar përqindje sa më të lartë të qytetarëve, është jashtëzakonisht e rëndësishme të ndajmë vetëm të dhëna të verifikuara dhe që kanë mbështetje shkencore në lidhje me vaksinimin. U bëj thirrje medieve, individëve që kanë qasje në medie, si dhe të gjithë qytetarëve që ndajnë pikëpamjet e tyre në rrjetet sociale, të jenë maksimalisht të përgjegjshëm.”, ka shkruar Filipçe.

Nga ana tjetër, dje Izraeli ka njoftuar se efektiviteti i vaksinës Pfizer/BioNtech ka rënë, pavarësisht se ajo mbetet shumë efektive në parandalimin e simptomave të rënda të sëmundjes COVID-19. Njoftimi vjen pas përhapjes gjithnjë e më të lartë të variantit Delta të koronavirusit dhe heqjen e kufizimeve të distancimit fizik në Izrael. Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha se efektiviteti i vaksinës në parandalimin e infektimit dhe të sëmundjes me simptoma ka rënë në 64 për qind, por ajo mbetet 93 për qind efektive në parandalimin e hospitalizimeve dhe simptomave të rënda të sëmundjes.

Varianti Delta, i cili u zbulua për herë të parë në Indi, thuhet se është përgjegjës për më shumë se 90 për qind të rasteve të reja të COVID-it në Izrael gjatë dy javëve të fundit. Që nga dhjetori i vitit 2019, pandemia ka marrë jetën e mbi 4 milionë personave në mbarë botën nga mbi 184 milionë raste të raportuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button