KRIJIME ME COPËZA KUJTIMESH

​​Mozaiku i ka mbijetuar terrorit të mijëvjeçarëve.​

Falë mozaikëve kanë mbijetuar fragmente kulturash dhe qytetërimesh. ​

Artistët vazhdojnë që nëpërmjet mozaikut t’i shprehin frymëzimet e tyre.

​​Nëpërmjet mozaikut edhe Izet Zeqiri i ka transformuar në art përjetimet e tij.

​​​Derisa i shikojmë krijimet pamore të Zeqirit, ku dominojnë motivet etno-folklorike, na rikthehet në kujtesë poezia e njohur “Fshatari – qytetari” nga Johan Evaldi.

​​Është një poezi për qytetarin që fle në shtrat të butë dhe fshatarin që mbi lëndinë fle; për qytetarin që e sheh veten në pasqyrë dhe fshatarin që veten e sheh mbi syprinën e liqenit; për qytetarin që shkel mbi qilima dhe fshatarin që shkel mbi barin e ri; për qytetarin shëndetlig dhe fshatarin shëndetçelik; për qytetarin që gjen prehje te muzika dhe fshatarin që kënaqet me melodinë e ujit që rrjedh; për qytetarin që jeton mes stolive dhe fshatarin që jeton mes freskisë.

​​Është njëfarë paralelizmi mbi ankthin urban dhe qetësinë e idilit.

​​I ngufatur nga bota e ankthshme, dinamike, urbane, Zeqiri e zhvendos vëmendjen drejt një bote të largët, të harruar, te bota e reminishencave, te bota e fëmijërisë.

​​Profesori i ekonomisë, Izet Zeqiri, nuk mjaftohet vetëm me botën e shifrave. ​​Për të arti, nëpërmjet të cilit njohim edhe përmasa tjera të jetës, bëhet ishull qetësie.

​​Nëpërmjet krijimeve artistike tërthorazi na jep mesazhin, që e kanë theksuar shumë mendimtarë shqiptarë, se jeta nuk plotësohet vetëm nëpërmjet faktorit material, por edhe atij shpirtëror; se vetëm baraspesha ndërmjet dy faktorëve i jep kuptim jetës.

​​Zeqiri krijon i pangarkuar prej teorive të ndryshme për artin. Ai e ka krijuar botën e tij të përfytyruar dhe simbolike nëpërmjet fragmenteve jetësore, që i paraqet në formë mozaikësh.

Kjo botë simbolike është krijuar me copëza shumëngjyrëshe (si mozaiku i jetës) prej materialeve të ndryshme, ngjitur mbi një shtresë të fortë (të kujtesës).

​​Kjo është bota e tij, njëkohësisht është edhe bota jonë e humbur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. shkrim i bukur!
    ekspozitën do ta shoh posa të jem në Tetovë
    Izet Zeqirin e mbajmë mend si deputet të përgatitur, koshient për rolin si përfaqësues populli, dikush që na e zbardhte fytyrën saherë që merrte fjalën, dhe Fjalën e kishte serioze e të qartë
    dikush që e bën mirë një punë, i bën edhe të tjerat, se një i tillë e din ku duhet të hyjë e ku të rrijë anash
    Përgëzime Izet i nderuar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button