Kosovë, të akuzuarit për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq sërish mohuan fajësinë

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e vrasjes së ish-politikanit serb, udhëheqës i nismës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq, ku të akuzuarit për vrasjen e tij mohuan edhe një herë akuzat, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancën e parë të shqyrtimit kryesor që u mbajt sot, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, gjashtë të akuzuarit, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Zharko Jovanoviq, Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara dhe Dragisha Markoviq, nuk pranuan fajësinë për akuzat lidhur me vrasjen.

Nga të akuzuarit, Zharko Jovanoviq, ka pranuar vetëm fajësinë për armëmbajtje pa leje, por u shpreh i pafajshëm për pikat tjera të akuzës.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Burim Qerkini, tha në deklaratën e tij hyrëse se prokuroria thekson se ekzistojnë prova logjike dhe bindëse që dëshmojnë se katër të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq (polic), Marko Rosiq (qytetar), Rade Basara (polic) dhe Silvana Arsoviq (ish-sekretare e Oliver Ivanoviqit) kanë qenë anëtarë të grupit të organizuar kriminal që ka vepruar në Mitrovicë nga viti 2014 deri në vitin 2018 dhe se përfundimisht janë përgjegjës për vrasjen e rëndë të politikanit Oliver Ivanoviq.

Qerkini tha se të akuzuarit e tjerë Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq akuzohen se abuzuan me autoritetet e tyre zyrtare.

Prokurori tha se shumë dëshmitarë do të merren në pyetje për të konfirmuar që të pandehurit ishin pjesë e grupit të organizuar kriminal në fjalë, të cilët kanë qenë aktivë edhe para vrasjes. Ai tha se dëshmitarët do të jenë të fshehur, për shkak të sigurisë së tyre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 dhjetor 2019 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.

Udhëheqësi i nismës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq, u vra në orët e para të 16 janarit të vitit 2018 para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut nga të shtënat e një veture në lëvizje.

Gjashtë të akuzuarit për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit kanë mohuar fajësinë edhe më parë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button