Pendarovski – Riker: Forcimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik është në interes të të dy vendeve

Presidenti Stevo Pendarovski priti sot në Ohër Philip Reekerin, ndihmës sekretarin e shtetit të ShBA-së për çështjet evropiane dhe euroaziatike, transmeton Portalb.mk.

Në takim u bisedua për realizimin e prioriteteve të politikës së jashtme të Republikës së Maqedonisë, përmirësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, integrimin në BE, si dhe situatën aktuale në rajon.

Bashkëbiseduesit rikonfirmuan partneritetin midis Republikës së Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara, bashkëpunimin dhe aleancën e shkëlqyeshme brenda Aleancës së NATO-s, si dhe gatishmërinë për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat e tjera.

Presidenti Pendarovski theksoi se Maqedonia mbetet e përkushtuar në proceset reformuese, ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe pjesëmarrjen aktive në të gjitha iniciativat që synojnë promovimin e bashkëpunimit rajonal.

“Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë shumëvjeçar dhe mbështetësi parimor i reformave të mbrojtjes dhe sigurisë, sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit, administratës publike. Mbetemi të përkushtuar për forcimin e partneritetit strategjik dhe inkurajimin e marrëdhënieve miqësore edhe më të thella midis të dy vendeve”, tha presidenti Pendarovski në takim.

Presidenti theksoi se anëtarësimi në BE mbetet qëllimi ynë strategjik dhe se BE duhet të gjejë mënyrë për të vlerësuar atë që është bërë deri më tani dhe për të mundësuar zhbllokimin e procesit të integrimit evropian. “Çdo vonesë e mëtejshme në fillimin e negociatave rrit euroskepticizmin e qytetarëve dhe reflekton negativisht mbi situatën politike në vend”, shtoi presidenti Pendarovski në takimin me Reekerin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button