Komari me lirinë

Në Gjykatën Penale në Shkup janë duke u thënë fjalët përfundimtare për rastin “Organizatorët e 27 Prillit 2017”. Është vërtet interesant të ndiqet komunikimi përmes mesazheve telefonike të të akuzuarve për organizimin e sulmit terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së vendit. Mënyra si është organizuar secili moment i ngjarjes është vërtet rënqethës. Hap pas hapi, çdo moment, është ditur kush cilin rol do ta luajë dhe për cilin aktivitet do të jetë përgjegjës.

Prokurorja në rastin në fjalë, Vilma Ruskovska, në fjalën e saj përfundimtare bëri një paralele interesante mes ngjarjeve të 27 Prillit të vitit 2017 dhe sulmit ndaj Kongresit Amerikan të 6 Janarit 2021. Kur ndodhi sulmi në Kongresin Amerikan, zëvendëspresindenti i atëhershëm i SHBA, Mike Pence i cili kryesonte me Komisionin për numërimin e votave, nuk pranoi kërkesën e presidentit të atëhershëm Trump ta shpallë atë fitues duke e ndryshuar rezultatin elektoral të disa shteteve. Zëvendëspresindeti Pence aty haptazi e kundërshtoi Presidentin duke i thënë që kjo nuk është e lejuar me Kushtetutën e SHBA të cilën ai është betuar ta respektojë. Për dallim prej tij, kryetari i Kuvendit të RMV, Trajko Veljanovski, në ditën kritike të 27 Prillit, gjithnjë sipas dëshmive të prezentuara nga Prokurorja Ristovska, nuk e ka kryer detyrën zyrtare të mbrojtjes së Kuvendit, por ka kërkuar vetëm mbrojtjen e kabinetit të tij dhe i ka kërkuar shërbimit të sigurisë së Kuvendit që të sigurohet se askush nuk do të ulet në karrigen e tij. Për më tepër, i ka siguruar të gjithë të involvuarit në këtë rast se qeveri nuk do të ketë.

Ja që qeveri kishte, dhe plani i këtij grupi nuk funksionoi. Grupi tani gjendet në gjykim, i përballur me dënime të rënda për sulm terrorist ndaj rendit kushtetues, të cilin rend pikërisht këta funksionarë shtetëror ishin betuar që ta mbrojnë.

Mënyra si disa mundohen ta relativizojnë atë që ndodhi me 27 Prill 2017, është vërtet për të ardhur keq. Thotë njeriu se bëhet fjalë për fëmijë të manipuluar që nuk dinë se ç’bëjnë. Prokurorja sot në fjalën e saj përfundimtare sqaroi shumë mirë që këta njerëz nuk kanë qenë fare të manipuluar dhe shumë mirë e kanë ditur se ç’bëjnë. Që nuk u ka dalë hesapi ashtu si e kanë planifikuar, ajo tjetër punë. Por për të qenë të sigurtë në atë që kanë bërë, ata kanë qenë shumë të sigurtë dhe kanë vendosur të luajnë all in. E kur të luash ashtu, kur ti vendosish të gjitha që i ke në një kartë të vetme, gjasat për të humbur janë të mëdha. Por ata nuk e kanë menduar humbjen, e kanë menduar vetëm përfitimin që do e nxjerrin nga kjo situatë. Përfitimi i mundshëm si duket ka qenë aq i lartë, sa që kanë menduar se ia vlen rreziku të shkohet me të gjitha forcat përpara deri në fund.

Dhe tash përballen me dënime me burg mbi 10 vjet e më shumë si organizatorë të ngjarjes më makabre që ka ndodhur vitet e fundit në vend dhe në rajon. Tani ndoshta kanë mendim ndryshe për atë se çfarë vlere ka pasur çmimi i premtuar nga organizatori kryesor i cili freskohet në ambientet e klimatizuara në Hungari. E këta këtu përballen me ambientet pa klimatizim të burgut të Shutkës.

Kështu është kur luan komar me lirinë. Në të dy rastet je i humbur. Po fitove, liria jote i takon kapos që i lëviz perët e marionetave të cilët punojnë për të. Po humbe, përfundon në burg dhe përshëndetesh një herë e mirë edhe me atë pseudoliri që ke pasur. Komari me lirinë asnjëherë nuk ia vlen.

​​Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button