Ministria e Transport të RMV ka mbledhur propozimet e dorëzuara, ligji i ri për legalizimet është në fazë të përpilimit

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka mbledhur propozimet e dorëzuara nga palët e interesuara në lidhje me ligjin për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje dhe tani janë në fazë të përpilimit të një ligji të ri. Nga kjo ministri, kanë konfirmuar për Portalb.mk se pasi të përpilohet ligji, do t’iu dërgohet sërish palëve të interesuara, për të paraqitur vërejtjet shtesë nëse kanë.

“Kemi mbledhur propozimet nga të gjitha palët dhe tani ligji është në fazë të përpunimit. Kur ta bëjmë gati versioni draft përsëri do t’ua dorëzojmë të gjitha palëve të interesuara ta shohin, nëse kanë ndonjë vërejtje të reagojnë në mënyrë shtesë”, thanë nga kjo ministri.

Prej aty kanë shtuar se, propozimet kanë ardhur nga palë të ndryshme, përfshirë këtu edhe partitë politike, por edhe qytetarë të rëndomtë.

“Propozime kanë dorëzuar partitë politike, asociacioni i arkitektëve, shoqata qytetare, qytetarë të rëndomtë kanë dorëzuar kërkesa individuale dhe gjithçka që është cilësore dhe në kuadër të asaj që mund të mbrojë interesat shtetërore, do të jetë me siguri e përfshirë në atë ligj”, kanë thënë nga Ministria e Transportit.

Ligji për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje së fundmi ka qenë pjesë e një debati të gjerë në opinion.

Kujtojmë se, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 11 maj miratoi një ligj për legalizimin e objekteve pa leje të propozuar nga Ministria e Transportit, me mbështetje nga deputetë edhe të pushtetit edhe të opozitës. “Pro” kanë votuar 72 deputetë, tre ishin “të përmbajtur”, ndërsа pesë “kundër”.

Mirëpo, miratimi i këtij ligji u prit me reagime të bujshme në opinion, ndërkaq presidenti Stevo Pendarovski, nuk e nënshkroi dekretin për shpalljen e ligjit më 14 maj dhe e ktheu në Kuvend.

Në vërejtjet e tij, Pendarovski ka thënë që Ligji nuk është kushtetues për shkak se ofron amnisti për persona fizik dhe firma për ndërtim pa leje dhe që në atë mënyrë stimulohet mosrespektim i dispozitave juridike. Ai e kontestoi edhe nenin nga Ligji me të cilin parashihet legalizim i objekteve pa leje në zona të mbrojtura dhe parqe nacionale, me arsyetim që ka shkelje të obligimit themelor të shtetit për ta mbrojtur mjedisin jetësor.

Kryeministri, Zoran Zaev fillimisht tha se, Qeveria do të vazhdojë me diskutim dhe përmes ekipeve profesioniste në Qeveri, munden të shkojnë një hap më tej në specifikimet më të hollësishme të legalizimit në parqet nacionale dhe zonat e mbrojtura.

Por, më 29 maj Qeveria, në bazë të raportimit të aktiviteteve të realizuara dorëzuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve solli Vendim për tërheqje të Ligjit për përcaktim të statusit juridik të objekteve pa leje.

Ekspertët vlerësojnë se me miratimin e një ligji për legalizim do të stimulonte drejt asaj që ndërtimet e egra të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Edhe Shoqata e Arkitektëve të Maqedonisë është kundër miratimit të Ligjit për legalizimin e objekteve pa leje. Sipas tyre, i njëjti i pezullon të gjitha rregulloret e vlefshme të planifikimit urban që kujdesen për cilësinë e hapësirës së ndërtuar dhe jep sinjal të gabuar se ndërtimi i paligjshëm nuk do të ndëshkohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button