Nuredini: Nuk e kuptoj pse deputetët gjithë vitin bllokojnë ligjet për ajër të pastër

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, shprehet nuk e di se si është e mundur që deputetët e zgjedhur nga populli, një vit e gjysmë të bllokojnë ligjet për ekologjinë dhe ajër të pastër. Aktualisht në Kuvend ka 16 ligje në lidhje me mjedisin jetësor, kurse më gjatë, 18 muaj, ka ngecur ligji për shkelje me të cilin parashikohet që për disa herë rriten gjobat për ndotësit e ambientit, transmeton Portalb.mk.

“Fiks dy vjet jam ministër, ndërsa as edhe një ligj që kemi hartuar nuk është miratuar në Parlament. Kjo është diçka për të cilën më së shumti më vjen keq. Me të vërtetë nuk e kuptoj se si mund të bllokohen ligjet që do të përmirësojnë ajrin eose do të ketë ndëshkime më të mëdha për ndotësit”, tha ministri Nuredini.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, në Kuvend kanë hyrë Ligji për cilësinë e ajrit, Ligji për mjedisin jetësor, Ligji për mbrojtjen e natyrës, Ligji për ujrat, Ligji për kontrollin e emetimeve të përbërjeve organike gjatë përdorimit të benzinës, Ligji për shtigjet malore, Ligji për mbrojtjen nga zhurma dhe Ligjin për organizmat e modifikuar gjenetikisht. Gjithashtu janë bërë ndryshime në Ligjin për shkelje, i cili parashikon gjoba deri në 20 herë më të larta për ndotësit.

Ligji për cilësinë e ajrit parashikon detyrime më precize për vetëqeverisjen lokale për përgatitjen e Planeve të menaxhimit të ajrit, me masa konkrete dhe të detyrueshme që duhet të merren në rast të rritjes së përqendrimeve të materieve ndotëse.

Në seancën e nesërme parlamentare, në rend dite është ligji për shpalljen e Malit të Sharrit  zonë e mbrojtur. Nuredini shpreson që deputetët të mos e bllokojnë ligjin dhe i njëjti të miratohet.

Qeveria më 2 mars, miratoi tekstin e Projektligjit për shpalljen e një pjese të Malit Sharr Park Kombëtar, të përgatitur nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, pas së cilës u dërgua në Kuvend.

Siç njoftoi atëherë Qeveria, qëllimi kryesor i kësaj zgjidhje ligjore është që të shpallë një pjesë të Malit Sharr një zonë të mbrojtur të kategorisë së dytë – Park Kombëtar, për të siguruar mbrojtjen e bukurive dhe vlerave të jashtëzakonshme natyrore, diversitetit dhe biodiversiteti, gjeodiversiteti, karakteristikat hidrologjike, peizazhi dhe vlera të tjera, si të mira me interes publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button