fbpx

Stadiumi ku Ali Ahmeti ngriti trofenë është në gjendje të mjerueshme, Arifi tre herë ka premtuar rikonstruimin e tij

Me xhama të thyer, mbeturina dhe mbishkrime që i japin një pamje jo të bukur, kështu duket sot stadiumi i qytetit të Tetovës, rikonstruimi i të cilit është premtuar nga viti 2013 nga kryetarja aktuale e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, premtimi i njëjtë u përsërit edhe në fushatën parazgjedhore të vitit 2017 kurse optimizmi i Arifit se kjo do të realizohet nuk është shterur as në katër mujorin e fundit të këtij mandati. Rikujtojmë se ishte pikërisht kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ngreu trofenë në maj të këtij viti kur KF “Shkëndija” u shpall kampion, edhe pse për dy dekada pushtet futbollistëve të “Shkëndijës” nuk u janë siguruar kushte për të ushtruar profesionin e tyre, shkruan Portalb.mk.

Në gjendje të shkatërruar dhe me grumbuj mbeturinash përreth tij ishte stadiumi i Tetovës, qytet ky i cili ka ekipin që jo një herë është shpallur kampion shtetërorë sa i përket futbollit ndërkaq hera e fundit ishte në maj të këtij viti.

Gazetari i Portalb.mk nuk u lejua të futet brenda stadiumit, kjo ishte gjendja përreth tij:

This slideshow requires JavaScript.

Kryetarja Arifi këtë fillimisht e premtoi në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe tani në vitin 2021

programin parazgjedhor të vitit 2013 të kryetares aktuale të komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në dy vende premtohet renovimi në standardet evropiane të këtij stadiumi.

“Stadiumi i qytetit (renovim si dhe mbushja e standardeve për FIFA) pasi Tetova ka mbi 3 klube dhe ka nevojë për një stadium të mirëfilltë” shkruan në programin e fushatës parazgjedhore “Ndërtojmë së bashku” në vitin 2013.

Meqenëse gjatë mandatit të parë të Arifit ky premtim nuk u realizua, me plot bindje të njëjtin premtim ajo e dha në debatin e Kallxo.com në bashkëpunim me Portalb.mk, ku në mes të tjerash garantoi se përkundër (mos) veprimeve të partnerit privat, ajo premton realizimin e këtij projekti në emër të komunës së Tetovës.

Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.
Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.

“Mendoj se brenda mandatit të ardhshëm ky premtim do të kryhet, së bashku me partnerin privat. Unë premtoj në emër të kryetares së komunës dhe në bazë të marrëveshjes që e kemi me partnerin privat” tha Arifi në vitin 2017.

Sot që flasim, jemi në vitin 2021 dhe në fund të mandatit të dytë të kryetares Arifi ndërsa ky premtim ende nuk është realizuar. Megjithatë, Arifi një javë më herët deklaroi se me dëshirën e mirë të partnerit privat, ky premtim sipas saj, do të realizohet.

“Mendoj që, duke u nis nga serioziteti që e kanë ata si kompani dhe interesimi, dëshira e tyre për të bërë më të mirën  për sa i përket stadiumit dhe qytetit të Tetovës, gjithsesi se do të gjejnë formën dhe mënyrën për ta kryer këtë” tha Arifi për Klan Maqedoni, më date 16 qershor.

“Në fakt është një çështje për të cilën gjithsesi se të gjithë e kemi të qartë se është edhe dikush tjetër i obliguar në këtë drejtim, duke u nis nga ky seriozitet, unë jam shumë e bindur se ata do ta bëjnë këtë” shtoi Arifi.

Ndërkaq, stadiumi i Tetovës me statusin e vet është objekt i nivelit shtetërorë i cili vite më herët i është kaluar komunës së Tetovës me vendim të qeverisë dhe më pas u kalua në partneritet publiko privat. Portalb.mk mëson se partneri privat sipas marrëveshjes duhet të investojë 7 milion euro në dy stadiumet e Tetovës.

Ndryshe, rikujtojmë se ishte pikërisht Ali Ahmeti që ngriti trofeun kur KF “Shkëndija” u shpall kampion, edhe pse stadiumi i qytetit ku ata e kanë bazën është në gjendje të mjerueshme dhe kompetentët kanë dështuar në sigurimin e kushteve për ata lojtarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button