RMV, Avokati i Popullit ka hapur lëndë për problemin me lëshimin e dokumenteve personale

Avokati i popullit ka hapur lëndë në lidhje me problemet rreth lëshimeve të dokumenteve personale dhe tabelave të regjistrimit. Siç tha sot avokati i popullit, Naser Ziberi, kanë arritur edhe ankesa individuale sipas të cilat do të shqyrtohen, transmeton Portalb.mk.

“Ne e kemi analizuar situatën dhe përveç që konstatuam se qytetarëve u është mohuar e drejta elementare për të poseduar dokumente personale, si dhe të mund të lëvizin lirshëm jashtë shtetit me automjetet personale, kemi kërkuar informatë nga Ministria e Punëve të Brendshme të na informojnë nëse problemi është për shkak të numrit të madh të kërkesave të dorëzuara apo ka lëshim në sistem. Sepse indikacionet tona janë se nuk është vetëm për shkak të asaj se ka rritje të numrit të kërkesave për lëshim të dokumenteve personale”, tha Ziberi.

Avokati i popullit ka kërkuar nga kontrolli i brendshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme të gjejë problemin dhe përgjegjësinë dhe të raportojë në mënyrë adekuate në afat prej tetë ditësh.

“Ndoshta do të ketë edhe raport të posaçëm për këtë rast, por do të kërkojmë nga Qeveria të ndërmarrë masa në raport me Ministrinë e Punëve të Brendshme”, tha Ziberi.

Qytetarët tash më dy muaj kanë vështirësi të caktojnë terminë për nxjerrje të letërnjoftimit dhe pasaportave, ndërsa më shumë se tre muaj nuk mund të nxjerrin as tabela të regjistrimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button