Avokati i Popullit: Të burgosurit me çrregullime për shkak të drogës janë të lënë pa mbrojtjen e nevojshme shëndetësore në burgjet e RMV

Avokati i Popullit e ka paraqitur si shumë shqetësuese gjendjen e të burgosurve me çrregullime të shkaktuara nga përdorimi i drogës në burgjet e territorit të Maqedonisë së Veriut. Në raportin vjetor të publikuar në prag të Ditës Ndërkombëtare të mbështetjes së viktimave nga tortura, avokati i popullit, thuhet se, situata e konstatuar çon në konkluzion se të burgosurit me çrregullime të shkaktuara nga përdorimi i drogës janë të margjinalizuar, stigmatizuar dhe të lënë pa mbrojtjen e nevojshme shëndetësore dhe kujdesin mjekësor, shkruan Portalb.mk.

Naser Ziberi në konferencën e sotme për media, ku prezantoi raportin në fjalë, deklaroi se situata në Burgun e Kumanovës është seriozisht shqetësuese, ku 35,5 % të personave të dënuar dhe 65 % nga gjithsej numri i personave të arrestuar janë me çrregullime të shkaktuara nga përdorimi i drogës.

“Në përbërje të personelit medicinal në burgun në mënyrë të rregullt është angazhuar një teknik medicinal, ndërsa vetëm 2 herë në javë ose sipas nevojës vjen mjeku i përgjithshëm nga Ndihma Emergjente mjekësore.  Në këtë kuptim u konstatua edhe se në Burgun e Kumanovës nuk i ofrohet kujdesi mjekësor kësaj kategoria të burgosurish gjatë periudhave të krizës së abstinimit, madje nuk kanë as mbështetje përkatëse psiko – sociale.  Alarmante është njohuria se tekniku medicinal, megjithëse është i vetëdijshme se nuk guxon të intervenojë – të injektojë injeksione dhe të ordinojë ilaçe, ai e bën këtë, duke u arsyetuar se ka presion nga këta persona. Gjithashtu edhe gjatë shpërndarjes së terapisë, nëse ndonjë person insiston, tekniku medicinal i jep ilaçe në doza më ndryshe nga ato që janë të ordinuar, ndërkaq për t’u liruar nga përgjegjësia, siç thekson, kërkon nga i burgosuri të nënshkruhet se ai e kërkon këtë dhe se është sipas insistimit të tij dhe në përgjegjësi të tij”, tha ai.

Ziberi tha se, konkluzion i përgjithshëm është se punëtorët shëndetësorë në institucionet ndëshkuese – korrektuese nuk janë të njoftuar në mënyrë të mjaftueshme me natyrën e sëmundjes, përkatësisht çrregullimet e shkaktuara nga përdorimi i drogave dhe nuk kanë ilaçe në dispozicion sipas mjekësisë së bazuar në prova për trajtim të varësisë nga opioidet dhe as nuk janë të edukuar për të trajtuar dhe vëzhguar këtë lloj të çrregullimit.

“Në institucionet ndëshkuese – korrektuese në të cilat nuk kanë qasje pranë terapie përkatëse ose kurohen me terapi jopërkatëse, personat me çrregullime të shkaktuara nga përdorimi i drogave deklarojnë se vuajnë vuajtje të rënda psikike. Ata tregojnë se u ka ndodhur të vuajnë kriza të rënda abstinimi pas ndërprerjes së përnjëhershme të përdorimit të metadonit, ndërkaq kanë pasur edhe mendime për vetëvrasje.  Situata u përshkrua si shumë dramatike, përkatësisht se personat në kriza lëndojnë veten e tyre, priten, godasin murin me kokë, kërkojnë trodon etj”, theksoi ai.

Sipas tij, e njëjtë është situata edhe në ENK Idrizovë, ku 62 % të grave të dënuara janë me çrregullime të shkaktuara nga përdorimi i drogave (28 prej 45 grave të dënuara), ndërsa te meshkujt kjo përqindje është 27 % (përkatësisht prej 1005 personave të dënuar në institucion, 270 janë me çrregullime të tilla). Në Burgun e Tetovës një e treta e personave të dënuar janë me çrregullime të shkaktuara  nga përdorimi i substancave/drogave, ndërsa personelin medicinal në institucion e përbën vetëm një mjek i mjekësisë së përgjtihshme. Personat e dënuar deklarojnë se edhe në Burgun e Tetëovës, gjatë pranimit ose kur kjo u nevojitet, nuk kontrollohen nga psikiatri.

Gjatë vizitave që u realizuan në periudhën prej datës 2-7 nëntor të vitit 2020, është konstatuar se në entet ndëshkuese – korrektuese: Idrizovë, Shtip, Prilep dhe Strugë si dhe në burgjet: Shkup, Tetovë, Kumanovë, Strumicë, Gjevgjeli dhe Ohër dënimin me burg dhe masën e paraburgimit vuanin gjithsej 2118 të burgosur, prej të cilëve 476 janë me çrregullime të shkaktuara nga përdorimi i drogave.

Ndërkaq, sa i përket stacioneve policore, në këtë raport thuhet se, një pjesë e vogël e personave të arrestuar të privuar nga liria dhe të ndalur kanë shfrytëzuar të drejtën për të thirrur mbrojtës, për shkak se në stacionet policore nuk u jepen informata të duhura në lidhje me këtë të drejtës.

Gjatë periudhës prej muajit janar deri në muajin shtator të vitit 2020 janë arrestuar gjithsej 1080 personave, prej të cilëve vetëm 15 persona e kanë shfrytëzuar të drejtën për mbrojtje ose vetëm 1%. Në periudhën e njëjtë janë privuar nga liria 3278 persona, prej të cilëve vetëm 144 kanë thirrur mbrojtës. Nga gjithsej numri i personave të arrestuar dhe personave të privuar nga liria, janë ndalur 713, ndërsa prej tyre vetëm 49 e kanë shfrytëzuar të drejtën për të thirrur mbrojtës.

“Personat e ndalur pothuajse asnjëherë nuk informohen për mundësinë e thirrjes së një avokati nga lista e avokatëve kujdestarë në kurriz të buxhetit të shtetit, në rastet kur kushtet janë plotësuar për këtë, ndërsa përshtypje e përgjithshëm është se numri më i madh i udhëheqësve të turnit nuk ishin as të njoftuar për një mundësi të tillë e cila është parashikuar në ligjin për procedurë penale. Lidhur me qasjen dhe realizmin e të drejtës për avokat, megjithëse në Ligjin për procedurë penale është përcaktuar në mënyrë koncize se personi i privuar nga liria mund të kërkojë të shohë listën e avokatëve kujdestarë, gjatë vizitave u konstatua se asnjë stacion policor nuk ka listë të azhurnuar të avokatëve kujdestarë”, tha Ziberi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button