RMV-ja edhe sot në fazën e portokalltë – pasdite freski e lehtë

Sipas parashikimeve të DPHM, temperatura e mëngjesit do të lëvizë nga 14 në 23 gradë, ndërsa ajo e ditës nga 30 në 41 gradë. Në Shkup dhe zonën përreth koha do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira të moderuara. Temperatura e mëngjesit do të arrijë 20 gradë, kurse ajo e ditë deri 39 gradë dhe indeksi UV 9, transmeton Portalb.mk.

Vendi edhe sot do të jetë nën valën e të nxehtit me temperatura të larta të fazës së portokalltë, për shkak të së cilës autoritetet bëjnë thirrje që të respektohen masat e përgjithshme për mbrojtjen shëndetësore, të lirohen nga puna grupet më të prekshme, përfshirë gratë shtatzëna dhe të moshuarit mbi 60 vjet, ndërsa fëmijët nëpër kopshtet të mos ekspozohen jashtë nga ora 11:00 deri në orën 17:00.

Ministria gjithashtu rekomandon që njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për punë sociale në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit të kenë qasje më aktive dhe të ofrojnë ndihmë për njerëzit e vetëm, të moshuarit, të dobëtit dhe të pastrehët.

Duke pasur parasysh faktin se disa produkte të rrezikshme dhe procese teknologjike mund të paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, MSH u kujton punëdhënësve detyrimin për të respektuar rregulloret ligjore në këtë fushë.

Ministria gjithashtu kujton masat e përgjithshme për mbrojtje të cilat duhet t’u përmbahen qytetarët, veçanërisht në këto ditë jashtëzakonisht të nxehta.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) informoi se është e mundur që masa e ajrit të nxehtë që mbart pluhur ndërkufitar është arsyeja për rritjen e lehtë të përqendrimeve të grimcave PM 10. Supozohet se bëhet fjalë për erë shkretëtire që mund të vazhdojë në ditët në vijim.

Sipas njoftimeve të DPHM, këtë pasdite do të vijojë freski e lehtë – izoluar nga paraqitja e shiut afatshkurtër dhe bubullimave të rralla.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button