Bujarët shqiptarë të Venedikut

Studiuesi dhe shkrimtari kroat, Ivan Kukuleviq Sakcinski (1816 – 1889), në studimin “Familjet ilire në fisnikërinë venedikase”, jep të dhëna për disa familje aristokratike të Venedikut që ishin me origjinë nga Arbëria.

Duke u bazuar në dokumente të shumta arkivore ai shkruanve për familjet: Castrioti, Choco (ose Chochini), Comino, Dandazano (ose Dandazani), Jalina, Magro, Manotto (ose Minossi), Miegano dhe Mugaro. (I.K.Sakcinski, “Ilirske porodice u Mletackom plemstvu”, në: Arkiv za povjestnicu jugoslavenske, 1 janar 1851, f. 38-54.)

Familja Castrioti – ishte me origjinë nga Arbëria. “Më i njohuri është i lavdishmi Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pasardhësit e të cilit u vendosën edhe në Venedik. Kjo familje u përmend deri në shekullin XVI.

Familja Chachanigo (Kakanigu) – ishte nga Rumania ose Maqedonia, por nuk i dihet me saktësi origjina etnike. Ajo e fitoi statusin e familjes dinjitare në shekullin VIII. Në vitin 831 u shqua njëfarë Martin Chachanigo. Familje u shua në vitin 1304.

Familja Choco ose Chochini – ishte me origjinë nga Arbëria dhe u vendos në hapësirën venedikase në vitin 1197. Pjesëtarët e saj u dalluan si njerëz të ndershëm dhe tepër paqësorë me të tjerët.

Comino – ishte familje e pasur me origjinë nga Shkodra. Pjesëtarët e saj u dalluan si prijës të të huajve. Nga kjo familje ishte fisniku Areniko Comino.

Dandazano, Dandazani apo Dandanizi – ishte familje bujare me origjinë nga Arbëria. Pjesëtarët e saj u dalluan për trimëri, bukuri dhe për fytyrat zeshkane. Familje u shua në vitin 1212 ose 1245 me Petro Dandazanin.

Jalina – ishte familje bujare. Pjesëtarët e saj u dalluan si tribunë, tregtarë, pasanikë, të ndershëm, katolikë të mirë dhe të lidhur me atdheun e tyre. Kjo familje u zhvendos në Kandia, ku e humbi statusin e familjes bujare dhe për të më nuk u dëgjua. Kandia ishte emri zyrtar i Kretës derisa ishte koloni e Republikës së Venedikut.

Magro – ishte familje bujare me njerëz shumë të zgjuar, fetarë dhe të lidhur me atdheun e tyre. Nuk u ngatërruan në punët shtetërore. Më pas u vendosën në Kandia, ku u dalluan gjatë shekullit XVI.

Manotto ose Minossi – ishte familje dinjitare pjesëtarët e së cilës përmenden si njerëz të bukur, të fuqishëm, të zgjuar dhe të lidhur me atdheun e tyre. Në vitin 1318 u dalluan ushtarakët: Pascual Manotto dhe Dominik Michel, që u vendosën në Kandia.

Miegano – e fitoi statusin e familjes bujare në vitin 1297. Pjesëtarët e saj përshkruhen si njerëz të ndershëm dhe me sjellje shumë të mirë. Më vonë u vendosën në Kandia. Familja e arriti shkëlqimin në shekullin XVI.

Mugari ose Mugaro – ishte familje me njerëz shumë të zgjuar, katolikë të dalluar dhe të lidhur me atdheun e tyre. E fitoi statusin e fisnikërisë dhe u vendos në Kandia, ku arriti shkëlqimin në shekullin XVI.

Ivan Kukuleviq Sakcinski ka lënë shumë shënime të çmuara për shqiptarët. Veçanërisht për Skënderbeun, qytetet shqiptare, arbëreshët e Napolit dhe poetët arbëreshë, disa prej të cilëve i kishte takuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button