fbpx

Pendarovski: Pasi BE-ja na bllokon, duhet ta forcojmë partneritetin strategjik me ShBA-në

Presidenti Stevo Pendarovski konsideron se Maqedonia do të duhet të forcojë partneritetin e saj me Shtetet e Bashkuara bazuar në Deklaratën e vitit 2008, pasi Bashkimi Evropian dështoi të hapë dyert e saj për vendin. Deklarata për partneritet strategjik dhe bashkëpunim midis Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë, e nënshkruar në Uashington më 7 maj 2008 nga sekretari i atëhershëm i shtetit Antonio Milloshoski dhe sekretarja e shtetit e SHBA-së Condoleezza Rice, është dokumenti më i madh dhe më i rëndësishëm në marrëdhëniet maqedono-amerikane, transmeton Portalb.mk.

Deklarata u nënshkrua për shkak të vetos greke për hyrjen e Maqedonisë në Aleancë në samitin e NATO-s në Bukuresht në prill të vitit 2008. Me të, Shtetet e Bashkuara garantuan sigurinë e Maqedonisë, pa qenë kjo zëvendësim për anëtarësim në NATO. Deklarata thekson angazhimin për forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike, si dhe mundësinë për intensifikimin e marrëdhënieve midis qytetarëve të dy vendeve, duke promovuar shkëmbimin kulturor dhe arsimor.

“Çfarë nëse ngërçi me Bullgarinë zgjat me vite? Ndoshta jo 25, si me Greqinë, por ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të presim lajme të mira nga Brukseli. Në kushte kur zgjerimi i BE-së është de facto i ngrirë, kemi dy mundësi, ta sjellim Evropën në shtëpi dhe së dyti, sipas meje duhet që së shpejti të fillojmë ta kthejmë në ‘jetë’ Marrëveshjen e Partneritetit strategjik të vitit 2008 me Shtetet e Bashkuara. Në marrëveshjen me Uashingtonin ka të paktën katër-pesë fusha në të cilat mundeshim në mënyrë konkrete të hyjmë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara. Për këtë me gjasë së shpejti do të kemi takime të nivelit të udhëheqsisë së shtetit. Kjo nuk do të thotë heqje dorë nga integrimi evropian, përkundrazi. Por nëse mosmarrëveshja me Bullgarinë vazhdon, ne duhet të kërkojmë alternativa”, tha Pendarovski në një panel diskutimi mbi temën”Tridhjetë vjet pavarësi dhe perspektivat euro-atlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Sipas Deklaratës së vitit 2008, Shtetet e Bashkuara “riafirmojnë mbështetjen e tyre për parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve, për qëllimet dhe parimet e Kartës së KB dhe për një Maqedoni unitare dhe multietnike brenda kufijve të saj ekzistues”. Gjithashtu, Maqedonia dhe Shtetet e Bashkuara vërejnë se “Maqedonia, si vend demokratik, i sigurt dhe i prosperuar, me marrëdhënie miqësore dhe konstruktive me fqinjët e saj, dhe si pjesëmarrës aktiv në forume ekonomike, politike dhe të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, është jetike për paqen dhe stabiliteti në Evropën Juglindore”. Shtetet e Bashkuara deklaruan qëllimin e tyre të sigurojnë mbështetje shtesë për Maqedoninë “që të ndihmohet në ndërtimin e prosperitetit, forcimin e sigurisë dhe forcimin e lidhjeve edhe më të thella midis dy vendeve”. Përveç mbështetjes për reformën e forcave të armatosura, në deklaratë theksohej synimin i Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar zhvillimin ekonomik, kulturor dhe arsimor të vendit.

Pendarovski tha se temat historike nuk duhet të jenë kriter për hyrje në BE.

“Nuk është kriter evropian a ka qenë ai dhe ai tjetri bullgar ose maqedonas në vitet një mijë e tetëqind e diçka. Ne si politikanë në vitin 2021 nuk mund të flasim për tema historike dhe bisedat e historisë nuk mund të jenë kriter për hyrjen në Bashkimin Evropian, i cili u krijua në 1vitin 957. Ne mund të flasim për Car Samoilin prej para dhjetë shekujsh, por kjo nuk mund të jetë kriter për të hyrë në BE. Problemi kryesor i BE-së është vendimmarrja me konsensus. Pa ndryshime në këtë drejtim, BE nuk mund të jetë lojtar kyç gjeopolitik. Kjo çon gjithashtu në një rritje të euroskeptizmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Maqedoninë e Veriut, por gjithashtu edhe në vetë BE-në, e cila është dërrmuese”, tha Pendarovski.

Përndryshe dje Bullgaria konfirmoi qëndrimin e saj për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut në takimin e sotëm të rregullt të Këshillit për punë të përgjithshme në Luksemburg, duke mbetur e hapur për dialog konstruktiv me presidencën e ardhshme sllovene me Këshillin e BE-së në gjetjen e zgjidhjes së ndërsjellë të pranueshme. Vetoja bullgare megjithatë bllokoi të dy vendet e rajonit në procesin eurointegrues.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button