Arsimi profesional gjithnjë e më tërheqës për nxënësit e rinj të shkollave të mesme

Çfarë të zgjedhim, gjimnazin ose shkollë profesionale? Nëse deri para ca kohësh, shumica e nxënësve të klasave të nënta zgjidhnin të shkojnë në gjimnaz në vend të shkollave profesionale, pas katër ditësh nga periudha e parë e regjistrimit, përshtypja është se gjërat ngadalë po ndryshojnë. Disa nga shkollat ​​profesionale kanë regjistrimin më të mirë në dekadën e fundit, e disa gjimnaze, për herë të parë pas një kohe të gjatë, nuk plotësuan të gjitha vendet e lira në afatin e parë të regjistrimit. I tillë është rasti me shkollën e mesme “Orce Nikollov”, ku ka vend edhe për afër njëzet nxënës, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Cila është arsyeja e rritjes së interesit për arsimin profesional? Sipas përvojës, kjo është për shkak të menaxhimit dhe angazhimit të mirë të vetë profesorëve, por këtë vit rezultate po jep edhe fushata e Ministrisë së arsimit dhe shkencës (MASH) “Mëso zgjuar, puno profesionalisht”, që është koncept fillestare i arsimit të dyfishtë . Nxënësve u ofrohet punësim pas diplomimit, ofrohen bursa dhe punë e drejtpërdrejtë në kompani, gjëra që i bëjnë profesionet më tërheqëse.

Aleksandar Aleksovski është profesor i biologjisë në shkollën “Marija Kiri Sklodovska”. Ai ishte pjesë e një ekipi profesorësh të cilët punuan për të tërhequr sa më shumë nxënës. Puna dha fryte, kështu që nga 306 vendet e lira, në afatin e parë janë regjistruar 236, që është suksesi më i mirë i shkollës në dekadën e fundit. Në afatin e dytë të regjistrimit, që duhet të fillojë brenda dy ditësh, ka vend edhe për 70 nxënësi të tjerë.

“E morëm detyrën tonë mjaft seriozisht, i gjithë ekipi dhe kolektivi. Vendosëm qëllime, ndërsa u takuam qysh në shkurt. Për një kohë të shkurtër arritëm të hyjmë në 70 shkolla fillore me një onlajn prezantim në Tims, në një klasë. Kur ua shpjegoni fëmijëve se çfarë ofroni për ta, përfitohet një pamje tjetër. Për nxënësin nuk ka rëndësi nëse i tregoj se çfarë do të mësojë. Por kur e pyes: “Dhe pastaj çfarë, ku do të punosh, ku do të shkosh?” Dhe këtu ndalet. Më së shumti u përqendrova aty ku do të mund të punonin. Kjo ishte thelbësore. Mendoj se me një plan të mirë mund të arrihet sukses. Çdo ditë postonim në Instagram, në YouTube, në Facebook, duke synuar  t’i afrojmë nxënësit sa më shumë me atë që mësohet këtu”, thotë Aleksovski.

Në shumicën e profesioneve në vend, është futur koncepti i arsimit të dyfishtë, i cili zbatohet në partneritet mes shkollave dhe kompanive vendase. Kjo do të thotë më shumë orë praktike për nxënësit drejtpërdrejt në vendin e punës e më pak teori. Ka klasa të dyfishta në “Dimitar Vlahov”. Drejtoresha Lidija Andonovska thotë se është e kënaqur me interesin këtë vit.

– Shumica e nxënësve u regjistruan në shërbime personale – kozmetikë, floktar dhe estet për kujdesin e duarve dhe këmbëve. Ka më pak interes për profesionin grafik. Regjistruam gjithsej rreth 120 nxënës në të gjithë sektorët. Vitin e kaluar, kemi pasur 150 nxënësi në tre afate regjistrimi, kurse tani vetëm pas afatit të parë kemi 120 fëmijë. Fushata “Mëso zgjuar, puno  profesionalisht” luan rol të madh në zgjedhjen e profesionit të ardhshëm. Çdo nxënës i cili regjistrohet në arsim dual, merr bursë prej 3,500 denarë për një periudhë prej 9 muajsh. Unë mendoj se edhe në arsimin fillor duhet të ketë orientim profesional sepse shumë nxënës nuk dinë ku të shkojnë më tej, prandaj është e nevojshme të ndjekin afinitetet e tyre. Për zgjedhjen e shkollës, besoj se rol vendimtar luajnë prindërit dhe natyrisht është edhe siguria e ambientit ku do të shkojë nxënësi – thotë drejtoresha Andonovska.

Edhe Aleksandar Sibinovski, drejtor i “Vlado Tasevski” është i kënaqur me atë se si ka kaluar afati i parë e regjistrimit.

“Ne kemi regjistruar gjithsej 203 nxënësi. Si shkollë e mesme profesionale që ofron tre profile arsimore, duhet të pranoj se interesin dhe regjistrimin më të madh e tërhoqi profesioni i Trafikut, pra drejtimi Transport i mallrave, ku ka vetëm disa vende të lira pune. Sidoqoftë, mendoj se kemi qenë mjaft të suksesshëm në profilet e tjera arsimore të elektroteknikës dhe makinerisë. Qëllimi ynë është që të ofrojmë arsim cilësor në kushtet më moderne dhe të mos tingëlloj modest, por në afatin e dytë të regjistrimit pres që vendet e lira të plotësohen”, thotë drejtori.

Në gjimnazin “Pançe Arsovski” në Avtokomandë janë regjistruar gjithsej 50 nxënës këtë vit. Vendndodhja specifike është arsyeja pse interesi për këtë shkollë, çdo vit lëviz brenda kësaj kornize, beson drejtori Jovan Petreski.

“Kemi regjistruar gjithsej 50 fëmijë, ndërsa  pranojmë 170. Presim që ky numër të rritet pas afatit të dytë dhe të tretë të regjistrimit. Deri më tani, numri i vogël i nxënësve për fat të mirë nuk i ka rrezikuar vendet e punës së profesorëve dhe nuk kemi tepricë teknologjike. Sidoqoftë, situata është e favorshme sepse është shumë më e lehtë të punosh me njëzet nxënës në një paralele, kështu që atyre u kushtohet më shumë vëmendje. Kam 20 vjet që punoj këtu, mund të them se dikur kishim klasa të mëdha, por më vonë, kur në shkollat ​​profesionale u hapën paralele të gjimnazit, numri te ne filloi të ulej. Nëse i pyet fëmijët, ata do t’ju thonë se ata zgjedhin shkolla të tjera sepse duan të largohen nga mikro-mjedisi dhe të gravitojnë kah Qendra, prandaj edhe regjistrohen atje”, thotë Petreski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button