fbpx

Tre skenarë për negociatat RMV-BE – të gjithë përplot me pasiguri

Pasiguri e madhe për Maqedoninë e Veriut i paraprin takimit të sotëm të Këshillit për çështje të përgjithshme të BE-së në Luksemburg. Fokusi i interesit të brendshëm është nëse do të ndërpritet bllokada bullgare për fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në. Shpresat mbahen në minimum, megjithëse nuk përjashtohen plotësisht. Kryeministri Zoran Zaev në mënyrë të përsëritur ka deklaruar se nuk dëshiron të rrisë pritjet e qytetarëve për të shmangur një tjetër zhgënjim.

Qarqet e ekspertëve analizojnë me kujdes të gjitha sinjalet. Simonida Kacarska, drejtoreshë e Institutit për Politika Evropiane konsideron se në takimet e kësaj jave të Këshillit të BE-së, tre skenarë janë të mundshlm në lidhje me pikën e zgjerimit dhe Maqedonisë së Veriut, shkruan DW.

“Së pari, ekziston mundësi që zgjerimi të mos vendoset fare në rendin e ditës, duke pasur parasysh pozicionin e Bullgarisë dhe ngërçin në samitin e dhjetorit të BE-së. Së dyti, është e mundur që Këshilli të vendosë pikën, siç janë njoftimet e fundit, por të ketë karakter informues dhe të mos ketë konkluzione. Së treti, meqenëse presidenca ka punuar shumë për këtë çështje, ka mundësi të insistohet në një deklaratë nga vendet anëtare, por për mendimin tim kjo ka më pak mundësi të ndodhë. Nga njoftimet e fundit, situata është e pasigurt dhe harmonizimi i konkluzioneve do të jetë përsëri i vështirë”, tha Kacarska.

Nuk ka sinjale të reja nga Sofja

Portugalia, si kryesuese e Këshillit të BE-së, në maj paraqiti propozim konkret në Sofje dhe Shkup, me qëllim që të arrihej zgjidhje kompromisi. Autoritetet maqedonase propozimin portugez e vlerësuan si pikë të mirë fillestare për zgjidhje, por vlerësime të tilla nuk mbërritën nga Sofja. Ministria e Jashtme bullgare më 16 qershor qershor njoftoi se qeveria ka miratuar qëndrimin në lidhje me perspektivën evropiane të RMV-së, me të cilën vendi do të marrë pjesë në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme në 22 qershor në Luksemburg.

“Pozicioni i Bullgarisë në lidhje me kornizën negociuese dhe mbajtjen e Konferencës ndërqeveritare me Republikën e Maqedonisë së Veriut mbetet e pandryshuar. Kuadri negociues për pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE duhet të përmbajë garancitë e nevojshme në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2017, të cilat aktualisht nuk ekzistojnë. Kërkesat për mbajtjen e Konferencës ndërqeveritare nuk janë përmbushur. Në të njëjtën kohë, Bullgaria mbetet e hapur për dialog dhe po ndërmerr hapa për të forcuar besimin dhe për t’u kthyer në dialog pragmatik dhe konstruktiv”, njoftoi Ministria e Jashtme bullgare.

Një ditë pas këtij vendimi, Kryeministri maqedonas Zoran Zaev vizitoi Sofjen. Megjithëse pritjet nuk u rritën edhe pas takimit, “propozimi konkret” nga pala maqedonase dhënë Kryeministrit të përkohshëm bullgar, si dhe njoftimi i tij se do të shqyrtohet menjëherë, la përshtypjen se ndoshta jo të gjitha shanset për një hap përpara në proces mund të mos përjashtohen. Sidoqoftë, deri dje nuk arritën sinjale të tilla nga Sofja.

Prandaj, një nga skenarët që qarkullon në qarqet diplomatike në Bruksel është mundësia e ndarjes së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, me qëllim që Tirana të mos bëhet dëm kolateral nga vetoja bullgare në Shkup. Shumica e vendeve anëtare të BE-së kanë deklaruar deri më tani kundërshtimin e tyre ndaj një opsioni të tillë. E njëjta gjë u theksua tani nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. Ai për Euronews Albania tha se vendet anëtare të BE-së synojnë të çojnë të dy vendet përpara së bashku. Ai theksoi se për herë të parë të gjitha vendet e BE-së mbështesin hapjen e negociatave me Shqipërinë, por shanset për ndarjen e saj nga Maqedonia e Veriut janë shumë të vogla.

Rrënjët e qëndrimit këmbëngulës

Marjan Gjorçev, ambasador maqedonas në Bullgari nga viti 2016 deri në vitin 2020 – nuk është optimist dhe konsideron se Bullgaria do të vazhdojë të bllokojë fillimin e procesit të negociatave të shtetit maqedonas me BE-në. Sipas tij, fakti që në Bullgari aktualisht funksionon qeveri teknike (me mandat për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 korrik), nuk është arsyeja e vetme për qëndrimin këmbëngulës bullgar ndaj rrugës evropiane të Maqedonisë.

“Gjeopolitika statike dhe stereotipike bullgare ndaj të ashtuquajturës ‘çështja maqedonase ’, përcakton trajektoren bashkëkohore bullgare në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe miqësore me Maqedoninë. Fatkeqësisht, Bullgaria moderne është ende e ngarkuar me idealin për Bullgarinë e Madhe”, thotë Gjorçev.

Ai vlerëson se shteti maqedonas duhet të përgatitet për rezistencën afatgjatë bullgare ndaj sugjerimeve të vendeve evropiane, veçanërisht të Gjermanisë dhe Francës, për ndarjen mosmarrëveshjes dypalëshe nga zgjerimi i BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Bullgaria është e vetëdijshme se duke penguar fillimin e negociatave të anëtarësimit të plotë me Maqedoninë dhe Shqipërinë, nuk po fiton miq në klubin evropian. Megjithatë, ekziston një numër i madh i politikanëve, akademikëve, intelektualëve bullgarë, të cilët krijojnë mjedisin politik bullgar dhe nuk do të lëshojnë pe përpara presioni evropian, nëse institucionet evropiane nuk krijojnë mekanizëm për kapërcimin kategorisë ‘veto’, në kushte të mosmarrëveshjeve bilaterale midis dy vendeve evropiane, të cilat synojnë të jenë pjesë e familjes evropiane,” tha Gjorçev.

Sipas tij, vendi duhet të bashkojë të gjithë aktorët politikë në të, grupet e interesit dhe shoqërinë civile, për të bindur Bullgarinë dhe BE-në se nuk është i gatshëm të negociojë mbi vlerat dhe atributet shtetërore të civilizimit.

“Kodi civil maqedonas është pjesë e sistemit evropian të vlerave, si shtet, kulturë, komb dhe gjuhë. Në pritje të qeverisë së ardhshme politike bullgare, e cila do të ketë besueshmërinë për të propozuar zgjidhje për kapërcimin e mosmarrëveshjes dypalëshe mbi çështjet historike dhe arsimore, shteti maqedonas duhet të paraqesë qartë, saktë dhe me përgjegjësi të gjitha argumentet e tij dhe vendosmërinë për të mos devijuar nga ‘vijat e kuqe’ maqedonase”, që në fakt janë edhe horizonte evropiane”, shprehet Gjorçev.

Ndërkohë, në këto momente zhvillohet Këshilli për çështje të përgjithshme i BE-së, në të cilin ministrat për çështje evropiane të vendeve anëtare të BE-së do të vendosin për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por sinjalet nga Sofja nuk japin shumë shpresë, njofton korrespondent i MIA-së nga Brukseli.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button