Në këto momente zhvillohet Këshilli për çështje të përgjithshme i BE-së, shanset për heqjen e bllokadës bullgare ndaj RMV-së janë të vogla

Në këto momente zhvillohet Këshilli për çështje të përgjithshme i BE-së, në të cilin ministrat për çështje evropiane të vendeve anëtare të BE-së do të vendosin për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por sinjalet nga Sofja nuk japin shumë shpresë, njofton korrespondent i MIA-së nga Brukseli, transmeton Portalb.mk.

Portugalia, e cila kryeson takimin e sotëm, nuk heq dorë nga një vendim pozitiv, sipas diplomatëve të saj në Bruksel. Kontaktet diplomatike midis Lisbonës dhe Sofjes janë intensifikuar në javët e fundit dhe Portugalia ka paraqitur propozim konkret për të dy palët, i cili duhet të shërbejë si zgjidhje kompromisi për Bullgarinë për të hequr bllokadën e saj.

Përkundër optimizmit portugez, pala maqedonase mbetet e përmbajtur. Kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar vazhdimisht se nuk dëshiron të rrisë pritjet e qytetarëve për të shmangur një zhgënjim të ri.

Maqedonia e Veriut, si edhe Shqipëria, janë duke pritur fillimin zyrtar të këtyre negociatave me BE-në nga viti 2018, për të cilat të dy vendet tani kanë përmbushur të gjitha kushtet, dhe metodologjia e re e negociatave është futur në BE, pas kërkesës së Francës.

Skenarët për ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë vazhdojnë të qarkullojnë në qarqet diplomatike në Bruksel, megjithëse shumica e vendeve anëtare dhe udhëheqësve të BE-së kanë deklaruar se janë kundër këtij opsioni. Mbetet, megjithatë, që Tirana, për dallim prej vitit të kaluar, tani i plotëson kushtet për fillimin e negociatave dhe ka mbështetjen edhe të vendeve më të rezervuara.

Debate të ashpra priten sot midis ministrave për çështje evropiane në Luksemburg, ku po mbahet ky Këshill për çështje të përgjithshme.

Portugalia ka mbështetjen e plotë të të gjitha vendeve anëtare të BE-së për propozimin për kapërcimin e bllokad[s nga ana e Bullgarisë, Sofjes i mbetet të vendosë nëse do të përdorë përsëri veton, pavarësisht kritikave të shumta nga vendet e tjera anëtare se kjo veto nuk është parimore, por gjithashtu se ri-bllokada e Maqedonisë së Veriut dërgon mesazh negativ për vetë vendin, si dhe për të gjithë rajonin, veçanërisht kur bëhet fjalë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button