fbpx

Bashkimi Evropian pajtohet për sanksione të reja kundër Bjellorusisë

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian miratuan të hënën një seri sanksionesh të reja kundër Bjellorusisë, raporton REL. Lista përfshin 78 njerëz dhe tetë subjekte.

Në mesin e tyre janë familjarë të udhëheqësit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, ligjvënës, prokurorë, gjyqtarë dhe zyrtarë të tjerë, që thuhet se janë “përgjegjës për shkelje serioze të të drejtave të njeriut, për minim serioz të sundimit të ligjit, si dhe për shtypje të shoqërisë civile dhe të opozitës demokratike”.

Djali i Lukashenkës, Dzmitry, dhe gruaja e djalit të tij të madh, Liliya, janë përfshirë në listën e të sanksionuarve për, siç thuhet, “përfitim dhe mbështetje të regjimit të Lukashenkës”.

Sanksionet e reja, që përfshijnë ngrirje të aseteve dhe ndalim të vizave, vijnë pasi Bjellorusia ka devijuar me forcë një avion të kompanisë Ryanair, muajin e kaluar, për të arrestuar një gazetar që ndodhej në bordin e tij.

Bashkimi Evropian tashmë i ka ndaluar kompanitë ajrore bjelloruse të fluturojnë mbi territorin e bllokut ose t’i shfrytëzojnë aeroportet e tij. Edhe para incidentit me avion, BE- ja ka konsideruar sanksione të reja kundër Bjellorusisë, për shkak të shtypjes brutale të opozitës nga regjimi i Lukashenkës.

Lukashenka është rizgjedhur president në një proces të kontestueshëm zgjedhor, gushtin e kaluar, dhe prej atëherë opozita ka organizuar protesta të herëpashershme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button