RMV, policia ka shtuar kontrollet, këto janë dënimet për krisje me armë zjarri në dasma

Nga 200 deri në 500 euro do të dënohen personat të cilët në dasmë apo manifestimet tjera gjatë sezonit veror do të krisin me armë zjarri, kështu informuan sot nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë nga ku edhe apeluan qytetarët që të kenë kujdes sepse kontrollet policore muajt në vijim do të shtohen, shkruan Portalb.mk.

Nga SPB-ja kumtuan se gjatë sezoneve të kaluara të dasmave shpesh herë ka pas raste ku qytetarët janë dënuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike, gjegjësisht për shkak se të njëjtit kanë krisur me armë zjarri.

“Gjatë dy muajt e ardhshëm, sidomos në korrik, në disa zona të pollogut janë paraparë të mbahen disa dasma dhe ceremoni të tjera. Këto ceremoni, vitet e kaluara, shpesh herë janë karakterizuar edhe me prishje të rendit dhe qetësisë publike përmes krisjes me armë zjarri apo përdorimi i mjeteve tjera ilegale” kumtuan nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.

Josifovski nga Sektori për Punë të Brendshme apelon deri te qytetarët që të përmbahen nga krisja me armë zjarri ndërkaq përdorimin e fishekzjarrëve ta bëjnë sipas rregullave, duke e paraqitur atë paraprakisht në polici.

“Me qëllim të parandalimit të këtyre dukurive, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë përsëri apelon deri te qytetarët që të përmbahen nga krisja me armë si dhe organizimi i kundërligjshme i fishekzjarrëve” kumtuan nga SPB-ja në Tetovë.

Dënimet për veprat e kundërligjshme të lartpërmendura janë nga 200 deri në 500 euro, megjithatë, në qoftë se pasojat janë të mëdha parashihet edhe dënim me burg deri në pesë vjet.

“Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë rikujton se përdorimi i armës së zjarrit është në kundërshtim me ligjin për kundërvajtje, dhe dënimi për këtë lloj vepre është nga 200 deri në 500 euro, ndërsa varësisht nga pasojat, parashihet edhe dënim në burg deri në pesë vjet” thane nga SPB-ja.

Ndryshe, ata paralajmëruan se muajt në vijim do të ketë përforcim të kontrolleve me qëllim të zbulimit dhe sanksionimit të këtyre veprave të kundërligjshme, gjegjësisht të prishjes të rendit dhe qetësisë publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button